Garancia amerikane ndryshon gjithçka: Geci shpjegon pse Kosova nuk rrezikon më ndarje
Halil Geci ka reaguar mbi pozicionimin strategjik të Kosovës në rendin e ri gjeopolitik global, duke theksuar rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në garantimin e sigurisë, stabilitetit dhe hapësirës manovruese të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Në postimin e tij në Facebook, Geci vlerëson se përfshirja e Kosovës nën ombrellën e sigurisë amerikane ka krijuar një realitet të ri politik, ku rreziku i destabilizimit dhe cenimit territorial është ndjeshëm i reduktuar, ndërsa dialogu duhet të zhvillohet në koordinim të drejtpërdrejtë me Uashingtonin, përcjell ‘Bota sot’.
Shkrimi i plotë
Pas ombrellës së sigurisë amerikane: Kosova fiton hapësirë strategjike në dialog
Pozicionimi i Kosovës në rendin e ri gjeostrategjik global dhe roli i garancive amerikane
Ky shkrim përfaqëson një analizë mbi pozicionimin strategjik të Kosovës në rendin e ri gjeopolitik dhe ndikimin vendimtar të garancive amerikane në lehtësimin e dialogut me Serbinë, si dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Pozicionimi i Kosovës në kushtet e luftës hibride, rivalitetit të fuqive të mëdha dhe dialogut të garantuar nga Shtetet e Bashkuara sot është dukshëm më i favorshëm se në të kaluarën.
Përfshirja e Kosovës nën ombrellën e sigurisë amerikane ka krijuar një realitet të ri politik, ku rreziku i cenimit territorial dhe destabilizimit të drejtpërdrejtë është ndjeshëm i reduktuar.
Sistemi ndërkombëtar po kalon drejt një rendi të ri botëror, ku rivaliteti midis fuqive të mëdha zhvillohet kryesisht përmes luftës hibride:
— sanksione ekonomike,
— presion diplomatik,
— kontroll teknologjik,
— luftë informative
— dhe operacione indirekte të sigurisë.
Rrëzimi ose arrestimi i liderëve shtetërorë, si në rastin e Venezuelës, tregon kufijtë e ndërhyrjes direkte. Përvoja nga Iraku, Libia dhe Afganistani demonstron se ndryshimi i elitës drejtuese pa reformim strukturor të shtetit shpesh prodhon destabilizim afatgjatë dhe jo konsolidim institucional.
Si pasojë, fuqitë perëndimore kanë kaluar nga ndërhyrja ushtarake e drejtpërdrejtë drejt presionit të kontrolluar dhe negociatave graduale, një model që po institucionalizohet si praktikë standarde e menaxhimit të krizave në rendin global të sotëm.
Ballkani mbetet një rajon me rëndësi strategjike mesatare, por me ndjeshmëri të lartë politike. Ai funksionon si zonë tampon midis NATO-s dhe influencës ruse, duke qenë terren i konkurrencës diplomatike mes Perëndimit dhe aktorëve euroaziatikë.
Stabiliteti në rajon nuk është prioritet për shkak të peshës ekonomike, por për shkak të rrezikut të përhapjes së krizave që mund të ndikojnë në sigurinë rajonale dhe globale.
Shqipëria dhe Kosova: dy realitete strategjike
Shqipëria ka avantazh strukturor si anëtare e NATO-s, me sovranitet të plotë në fushën e sigurisë dhe integrim të konsoliduar perëndimor. Ky pozicion i jep fleksibilitet diplomatik dhe ul ndjeshëm rrezikun e instrumentalizimit nga fuqitë e mëdha.
Kosova, nga ana tjetër, ndodhet në një pozitë të mbrojtur, por të kufizuar. Ajo nuk është anëtare e NATO-s apo e OKB-së, ka prani të përhershme ndërkombëtare të sigurisë përmes KFOR-it dhe varet drejtpërdrejt nga garancitë amerikane dhe perëndimore.
Gjithashtu,Kosova mbetet subjekt i dialogut të detyruar me Serbinë, duke u trajtuar më shumë si objekt stabilizimi sesa si aktor plotësisht autonom.
Angazhimi amerikan ndaj Kosovës është i qëndrueshëm, por jo i pakushtëzuar. Ai mbështetet në tri shtylla kryesore:
1. Ruajtjen e stabilitetit rajonal,
2. Parandalimin e zgjerimit të ndikimit rus,
3. Mbrojtjen e kredibilitetit të NATO-s në Ballkan.
Në një rend multipolar, shtetet e vogla aleate mbrohen, por nuk lejohen të bëhen shkak për kriza.
Stabiliteti global është më i rëndësishëm se interesat e ngushta të një shteti të vogël që është nën mbikëqyrjen e fuqive të mëdha.
Fuqitë e mëdha nuk u lejojnë këtyre shteteve të veprojnë lirshëm nëse veprimet e tyre mund të sjellin konflikte më të mëdha, të prishin balancat mes fuqive, ose të rrezikojnë paqen ndërkombëtare.
Hapësira strategjike për Qeverinë e Kosovës
Meqenëse Shtetet e Bashkuara e kanë përfshirë Kosovën nën ombrellën e sigurisë dhe kanë garantuar se nuk do të ketë ndarje apo cenim territorial, prioriteti strategjik i Kryeministrit Kurti duhet të jetë dialogu i drejtpërdrejtë dhe i koordinuar me Uashingtonin.
Në këtë kuadër, ai duhet të rishikojë dhe të korrigjojë marrëveshjet paraprake të trashëguara, të ratifikuara nga qeveritë e kaluara, duke ruajtur sovranitetin dhe duke nxjerrë maksimumin nga këto tradhti në interes të shtetit.
Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara mund të reduktohet ndikimi rus, të ulet rreziku i eksteritorialitetit për manastiret, të kufizohen kompetencat e zgjeruara të Asociacionit dhe të shmanget çdo konfrontim i mundshëm.
Kosova duhet gjithashtu të forcojë institucionet shtetërore, të konsolidojë ekonominë si element kyç të sigurisë kombëtare dhe të ruajë koordinim të vazhdueshëm me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian.
Mençuria strategjike si element i sovranitetit.
Në një botë të dominuar nga lufta hibride dhe rivaliteti i fuqive të mëdha, mençuria strategjike përfaqëson formën më të lartë të sovranitetit. Jemi dëshmitarë se, në momentin e duhur, Bashkimi Evropian hoqi sanksionet, ndërsa Shtetet e Bashkuara e përfshinë Kosovën nën ombrellën e sigurisë.
Në këtë realitet të ri, Kryeministri Kurti ka më shumë hapësirë për të zhvilluar dialog strategjik me Uashingtonin – jo me Beogradin – duke e zhvendosur fokusin nga presioni rajonal te garancia ndërkombëtare e stabilitetit.
