TË FUNDIT

Bislimi mohon takime të fshehta me Gjuriqin: Portalet keqinterpretuan qëllimshëm shkrimin e NZZ-së

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar publikisht ndaj asaj që ai e cilëson si fushatë dezinformuese dhe propagandistike të disa portaleve në Kosovë, të cilat – sipas tij – kanë keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ).

Në një postim në rrjete sociale, Bislimi ka theksuar se gjatë ditës së djeshme janë shpërndarë me shpejtësi lajme të rreme, duke krijuar një narrativë të pavërtetë për kinse “takime të fshehta e sekrete”, me Marko Gjuriqin të cilat ai i mohon kategorikisht.

Ai ka sqaruar se as vetë gazeta zvicerane NZZ nuk ka aluduar në asnjë moment për një takim të tillë, duke theksuar se keqinterpretimi ka ardhur nga portale dhe gazetarë joprofesionalë, të cilët – sipas tij – e kanë keqpërdorur artikullin origjinal për të dezinformuar opinionin publik dhe për të çorientuar të vërtetën.

Bislimi ka paralajmëruar se nuk do ta lërë pa pasoja këtë situatë, duke bërë të ditur se dezinformatat e shpërndara me qëllim do t’i adresojë përmes ankesave apo padive në institucionet relevante.

Postimi i plotë:

Dezinformata të shumta dhe propagandë nga portale në Kosovë u përhapën dje duke keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës zvicerane NZZ. Është për keqardhje me sa lehtësi dhe shpejtësi krijohen dhe shpërndahen dezinformatat me synim informimin e rrejshëm ndaj opinionit publik dhe çorientim të së vërtetës.

Si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në kapacitet tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime “të fshehta e sekrete”, e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq. As gazeta serioze zvicerane NZZ nuk aludoi në shkrimin e saj që nga publikimi në asnjë moment për një takim të tillë, por ishin portalet joprofesionale dhe gazetarë joprofesionalë që raportuan rrejshëm në atë mënyrë, duke keqpërdorur artikullin nga NZZ.

Dezinformatat e shumta të shpërndara në mënyrë të qëllimshme do t’i adresoj përmes ankesës/padisë në institucionet relevante.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *