OPINIONTË FUNDIT

Alarm i rremë nga Vuçiqi: Frika e Serbisë nga fuqizimi i Kosovës maskohet me propagandë, eksperti zbërthen situatën

Deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se “rendi botëror ka rënë” kanë hapur debate të shumta mbi gjendjen aktuale të sistemit ndërkombëtar dhe rolin e Serbisë në këtë realitet gjeopolitik në ndryshim.

Akuzat e Vuçiqit për “mungesë parimesh” nga ana e Shteteve të Bashkuara, të ilustruara me rastin e Venezuelës, ngrenë dilema nëse kemi të bëjmë me një kritikë të qëndrueshme ndaj politikës ndërkombëtare apo me një përpjekje për të relativizuar qëndrimet dhe veprimet e Serbisë në rajon.

Në këtë kontekst, vëmendje të veçantë marrin edhe pretendimet e tij se armatosja e Kosovës bie ndesh me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244, si dhe përdorimi i vazhdueshëm i narrativës së “kërcënimit nga Kosova” si mjet presioni ndaj Perëndimit dhe në kuadër të dialogut me Prishtinën.

Për këto çështje, në një prononcim për “Bota sot” flet eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, duke ofruar një analizë të detajuar juridike, politike dhe strategjike.

Ai ka komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç se “rendi botëror ka rënë”, duke vlerësuar se ajo duhet kuptuar kryesisht si retorikë politike dhe vetëm pjesërisht si reflektim i realitetit gjeopolitik aktual.

ImageFidair BerishaFoto galeri
“Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiç se ‘rendi botëror ka rënë’ mund të kuptohet në dy nivele kryesore: si retorikë politike dhe, vetëm pjesërisht, si reflektim i një realiteti gjeopolitik në ndryshim. Në thelb, nuk kemi të bëjmë me fundin e rendit botëror, por me një fazë të thellë tranzicioni dhe krize të rendit ndërkombëtar liberal. Vuçiç e interpreton këtë realitet në një mënyrë selektive, e cila i shërben drejtpërdrejt interesave politike dhe strategjike të Serbisë”, thekson Berisha.

Sipas tij, në planin politik kjo deklaratë i shërben disa qëllimeve konkrete të Beogradit.

“Në planin politik, kjo deklaratë i shërben disa qëllimeve konkrete. Së pari, ajo synon mobilizimin e opinionit të brendshëm, duke paraqitur sistemin ndërkombëtar si të paqëndrueshëm dhe ‘pa rregulla’, çka përdoret për të justifikuar politika më të kujdesshme, autoritare ose një neutralitet strategjik të vetëshpallur. Së dyti, ajo ndihmon në pozicionimin diplomatik të Serbisë, e cila përpiqet të balancojë mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës”, shprehet Berisha.

Ai shton se kjo retorikë i mundëson Serbisë të shmangë presionet ndërkombëtare.

“Diskursi mbi ‘rënien e rendit botëror’ i mundëson Beogradit të shmangë rreshtimin e qartë politik dhe të relativizojë presionet ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me Kosovën, sanksionet ndaj Rusisë dhe procesin e integrimit evropian”, vlerëson eksperti i sigurisë.

Berisha nënvizon se pretendimi për kolaps të rendit botëror është i ekzagjeruar.

“Në këtë kontekst, pretendimi se rendi botëror ‘ka rënë’ përbën një ekzagjerim politik. Më saktë, rendi ndërkombëtar ndodhet në transformim dhe në krizë, por jo në një gjendje kolapsi apo shkatërrimi të plotë. Prandaj, deklarata e Vuçiçit duhet parë kryesisht si retorikë politike e kalkuluar, e përdorur për interesa të brendshme dhe për manovrim diplomatik”, thotë ai.

Duke iu referuar përmendjes së Venezuelës nga Vuçiq, Berisha thekson se kjo përdoret vetëm si shembull ilustrues.

“Përmendja e Venezuelës nga Vuçiq shërben më tepër si rast ilustrues, sesa si shqetësim real thelbësor. Ai e përdor këtë shembull për të theksuar pretendimin se SHBA-të kanë vepruar në mënyrë joparimore, duke mbështetur opozitën kundër regjimit të Maduro-s, duke vendosur sanksione të ashpra ekonomike dhe duke njohur aktorë alternativë politikë si përfaqësues legjitimë të shtetit”, shprehet ai.

Sipas Berishës, kjo qasje është kryesisht instrumentale.

“Nga një këndvështrim kritik, këto veprime mund të interpretohen si ndërhyrje në sovranitetin shtetëror, ndërsa nga perspektiva amerikane ato justifikohen si mbështetje për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kuptim, deklarata e Vuçiqit për ‘mungesë parimesh’ nga SHBA-të është kryesisht retorikë politike e instrumentalizuar, e cila shfrytëzon kontradikta reale të politikës ndërkombëtare për të legjitimuar politikën e jashtme serbe, dhe jo për të ofruar një analizë objektive të rendit botëror”, thekson Berisha.

Ai ndalet edhe te manipulimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Rezoluta vendos administrim të përkohshëm ndërkombëtar në Kosovë (UNMIK), parashikon prani ushtarake ndërkombëtare (KFOR) dhe kërkon çmilitarizimin e UÇK-së dhe të grupeve të tjera të armatosura jo-shtetërore. Megjithatë, ajo nuk përmban asnjë ndalim eksplicit dhe të përhershëm ndaj forcave të sigurisë lokale, as nuk mohon të drejtën e Kosovës për vetëmbrojtje në të ardhmen. Prandaj, nga pikëpamja juridike, Rezoluta 1244 nuk ndalon armatosjen e Kosovës”, sqaron ai.

Në fund, Berisha vlerëson se Serbia vazhdon të përdorë narrativën e kërcënimit nga Kosova si instrument politik.

“Serbia, në mënyrë të vazhdueshme, e përdor narrativën e ‘kërcënimit nga Kosova’ si mjet presioni politik, si ndaj Perëndimit ashtu edhe në kuadër të dialogut me Prishtinën. Kosova paraqitet sistematikisht si faktor destabilizues, si palë që ‘militarizohet’ në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe si rrezik për serbët në veri dhe për stabilitetin rajonal. Kjo nuk është thjesht retorikë, por një instrument i llogaritur politik, i cili synon të ndikojë perceptimet ndërkombëtare dhe të forcojë pozicionin negociues të Serbisë”, përfundon Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *