Kosova rreshtohet pranë SHBA pas arrestimit të Maduros: Aleanca strategjike garanci për paqe dhe siguri
Udhëheqësit e Kosovës kanë shprehur mbështetjen e vendit të tyre për SHBA dhe presidentin Donald Trump pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Presidentja Vjosa Osmani shkroi në X: “Presidenti Trump qëndroi pranë popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu shtetit narko të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelët dhe krimi i organizuar.”
Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha në Facebook: “Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.”
“Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë.”
Mekuli: Shqiptarët e dinë çfarë do të thotë të jesh popull i pakrah, dhe e dimë sa e rrezikshme është të jesh popull jetim
Gazetari Gëzim Mekuli, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se reagimet e Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti kanë si dimension simbolik, ashtu edhe strategjik, duke riafirmuar qartë aleancën e palëkundur të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe rreshtimin e saj të plotë në kampin euro-atlantik dhe arkitekturën perëndimore të sigurisë.
“Reagimet e Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti janë të lexueshme në dy rrafshe: atë simbolik dhe atë strategjik.
Në rrafshin simbolik, ato riafirmojnë boshtin themelor të politikës së jashtme të Kosovës; aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky nuk është një pozicion i rastësishëm, por themeli mbi të cilin është ndërtuar vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës, i kombit shqiptar. Kosova është shembulli më i drejtpërdrejtë historik se ndërhyrja amerikane, kur është e lidhur me ndalimin e krimeve të rënda shtetërore dhe mbrojtjen e civilëve (krimet serbe 1878 – 1999), ka prodhuar liri, paqe dhe shtetformim.
Në rrafshin strategjik, mbështetja retorike e Prishtinës për SHBA-në dërgon një porosi shumë të qartë: Kosova është e rreshtuar pa ekuivok në kampin euro-atlantik dhe në arkitekturën perëndimore të sigurisë dhe rendit ndërkombëtar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një botë ku po thellohet polarizimi global dhe ku linjat gjeopolitike po ashpërsohen”, thotë ai.
Sipas Mekulit, ndërhyrjet amerikane mund dhe duhet të kritikohen në rrafshin akademik, por për shtete të vogla si Kosova dhe Shqipëria, aleanca me SHBA-në është çështje mbijetese. Shqiptarët e dinë çfarë do të thotë të jesh pa aleatë, prandaj pragmatizmi shtetëror dhe rreshtimi euro-atlantik janë domosdoshmëri, jo luks ideologjik.
“Duhet theksuar se ndërhyrja amerikane në Venezuelë është kritikuar gjerësisht në Evropë dhe në rrafshin ndërkombëtar, dhe kjo është e vërtetë. Historikisht ndërhyrjet amerikane janë kritikuar nga qeveri evropiane, juristë të së drejtës ndërkombëtare dhe intelektualë të shumtë. Noam Chomsky, për shembull, ka theksuar vazhdimisht se luftërat dhe ndërhyrjet e fuqive të mëdha rrallëherë zhvillohen vetëm për arsye humanitare; ato lidhen edhe me dominimin ekonomik, kontrollin e burimeve, korridoreve strategjike dhe influencës gjeopolitike. Shembujt nga Iraku, Libia, Amerika Qendrore, Ukraina dhe Lindja e Mesme e bëjnë këtë intervistë shumë të fortë.
Si akademik dhe intelektual, unë e shoh si detyrë të jem kritik, i pavarur dhe i guximshëm në analizë. Intelektuali nuk ka pse të jetë i lidhur me kufizimet e postit politik. Por politika kombëtare/shtetërore është një hapësirë shumë më e ngushtë: aty vendoset për sigurinë, mbijetesën dhe orientimin strategjik të një populli të vogël.
Nëse ka një popull në Evropë që e di çfarë do të thotë të jesh «jetim» e i pambrojtur në një botë të dominuar nga perandori, fqinjë të egër dhe superfuqi, ai është populli shqiptar. Ne kemi qenë të copëtuar pa qenë në tavolinë. Jemi ndarë, zhdukur, vrarë, përdhunuar, asimiluar, deportuar; sepse nuk kishim aleatë, por vetëm të «drejtë morale». Dhe e drejta morale, siç e kanë treguar shekujtë e moçëm XIX – XX, nuk mbron askënd pa aleancë ushtarake dhe politike.
Shkurt e shqip: shqiptarët e dinë çfarë do të thotë të jesh popull i pakrah, dhe e dimë sa e rrezikshme është të jesh popull jetim.
Këtu vjen edhe baraspesha; kritika akademike dhe pragmatizëm shtetëror. Prandaj unë (ndoshta) mund ta kritikoj ndërhyrjen amerikane në rrafshin teorik, juridik, retorik dhe etik, por e kuptoj plotësisht pse Tirana dhe Prishtina nuk e bëjnë këtë në rrafshin diplomatik. Sepse Kosova dhe Shqipëria nuk janë Norvegjia, Franca, Spanja apo Brazili; ne jemi shtete të vogla, ende të brishta, në një rajon ku balancat e sigurisë janë të ndjeshme dhe ku ndikimi ser, rus dhe kinez është real. Kosova shqiptare është një shtet i vogël, ende i sfiduar në njohje, në siguri dhe në konsolidim ndërkombëtar. Në këtë kontekst, diplomacia nuk është luks ideologjik; është instrument mbijetese”, shprehet ai.
Në fund, Mekuli thekson se për shtetet e vogla si Kosova dhe Shqipëria, rreshtimi me SHBA dhe aleatët perëndimorë nuk është luks politik, por domosdoshmëri për mbijetesë dhe siguri. Kritikë ndaj ndërhyrjeve mund të ketë, por shkëputje diplomatike nga aleatët do të ishte e rrezikshme, ndërsa qëndrimi i qëndrueshëm forcon besueshmërinë dhe stabilitetin strategjik të Kosovës.
“Kjo problematikë na çon te disa pyetje thelbësore:
1. A do të duhej që Prishtina dhe Tirana të dilnin publikisht kundër SHBA-së dhe të rreshtoheshin në të njëjtën linjë me Rusinë, Kinën, Serbinë dhe aleanca që historikisht kanë qenë kundër interesit gjeopolitik shqiptar?
2. A do të ishte ky “neutralitet” apo një vetë-izolim në një botë që po polarizohet gjithnjë e më shumë?
3. Dhe e fundit: A kanë luksin popujt e vegjël të luajnë rolin e arbitrit moral global, apo janë të detyruar të rreshtohen me fuqitë që u garantojnë mbijetesë politike dhe siguri? Përgjigjja ime është e qartë: jo.
Historia botërore është e ashpër dhe e padrejtë me popujt e vegjël që kanë mbetur pa aleanca. Polonia u zhduk disa herë nga harta në shekullin XIX; shtetet baltike u fshinë nga sovraniteti për dekada; Çekosllovakia u copëtua nga marrëveshjet e fuqive të mëdha; shumë kombe të Lindjes së Mesme u fragmentuan pas ndërhyrjeve të jashtme. Mësimi është i qartë: popujt e vegjël nuk mbijetojnë vetëm me moral, por me aleanca; e këtu jemi edhe ne shqiptarët, apo jo?
Kjo do të thotë se Prishtina dhe Tirana duhen të jenë e kujdesshme, pragmatike dhe strategjike. Rreshtimi me SHBA-në dhe me aleatët kryesorë perëndimorë nuk është thjesht «pëlqim politik», por zgjedhje ekzistenciale.
Unë e shtroj edhe një pyetje retorike për lexuesin shqiptar: A ka vend për kritikë ndaj ndërhyrjes amerikane? Po. A ka vend për shkëputje diplomatike nga SHBA? Absolutisht jo.
Si ndikon ky qëndrim në marrëdhëniet me aleatët?
Qëndrimi retorik/diplomatik i Kosovës forcon besueshmërinë e saj strategjike. Ai e paraqet Kosovën si partner të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të rreshtuar qartë. Në diplomaci, kjo ka vlerë të jashtëzakonshme. Aleatët investojnë më lehtë në shtete që nuk luhaten në momentet e tensionit global.
Në fund të fundit, kjo nuk është çështje «pëlqimi» ndaj çdo veprimi amerikan, por çështje e pozicionimit historik të Kosovës: ne jemi pjesë e Perëndimit, jo vetëm gjeografikisht, por politikisht, strategjikisht dhe civilizimisht. Dhe ky pozicionim është garancia jonë më e fortë për paqe, siguri dhe shtetësi të qëndrueshme” – përfundon ai.
Jakupi: Reagimet e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti janë konsistente me linjën tradicionale të politikës së jashtme
Analisti Zejnullah Jakupi, vlerëson se reagimet e Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti pasqyrojnë harmoni institucionale dhe linjën tradicionale të politikës së jashtme të Kosovës: Osmani thekson dimensionin historik dhe moral, Kurti mbështet veprimin amerikan mbi baza ligjore dhe anti-krim, duke e pozicionuar Kosovën qartë pranë demokracive liberale.
“Reagimet e presidentes Osmani dhe kryeministrit (në detyrë) Kurti janë konsistente me linjën tradicionale të politikës së jashtme të Kosovës:
Vjosa Osmani e kornizon mbështetjen për SHBA-në në terma historikë dhe moralë, duke e lidhur vendosmërinë amerikane me përvojën e Kosovës gjatë çlirimit. Ky është një mesazh që:e paraqet SHBA-në si garantuese të lirisë dhe rendit ndërkombëtar,e pozicionon Kosovën qartësisht në anën e demokracive liberale kundër regjimeve autoritare. Albin Kurti e vendos theksin te shteti ligjor dhe lufta kundër krimit të organizuar, duke e mbështetur veprimin amerikan si operacion anti-narkotik, jo thjesht si akt politik. Kjo gjuhë:shmang glorifikimin e forcës,e justifikon mbështetjen mbi baza të ligjit ndërkombëtar dhe përgjegjësisë penale.
Së bashku, këto reagime tregojnë harmoni institucionale në raport me SHBA-në, pavarësisht dallimeve të brendshme politike”, thotë ai.
Jakupi shprehet se qëndrimi i Kosovës ndaj Maduros tregon rreshtim të palëkundur me SHBA, pozicionim kundër regjimeve autoritare dhe kërkesë për trajtim të barabartë ndërkombëtar.
Sipas tij, ky qëndrim forcon marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe paraqet Kosovën si aktor normativ në arenën globale.
“Mbështetja e Kosovës dërgon disa mesazhe të qarta: Rreshtim i palëkundur me SHBA-në Kosova sinjalizon se mbetet një nga aleatët më të besueshëm të Uashingtonit, edhe në çështje globale që nuk lidhen drejtpërdrejt me Ballkanin.
Pozicionim kundër regjimeve autoritare Duke kritikuar regjimin e Maduros, Kosova rreshtohet kundër:autoritarizmit,korrupsionit shtetëror,lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar.
Kërkesë indirekte për trajtim të barabartë ndërkombëtar Mesazhi i nënkuptuar është: një shtet që respekton rendin ndërkombëtar dhe mbështet aleatët meriton mbështetje për njohje, integrim dhe siguri.
Si mund të ndikojë ky qëndrim në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës? Ndikime pozitive
Forcon marrëdhëniet me SHBA-në, që mbetet aleati kyç i Kosovës në siguri, diplomaci dhe procesin e njohjeve.
Përmirëson koherencën me vendet perëndimore (sidomos ato që e shohin Venezuelën si regjim problematik).
E paraqet Kosovën si aktor normativ, jo thjesht përfitues i rendit ndërkombëtar.
Rreziqe apo kufizime
Mund të tensionojë më tej raportet me shtete që mbështesin Maduron, si Rusia, Kina apo disa vende të Amerikës Latine (ndonëse këto raporte janë tashmë të kufizuara). E ekspozon Kosovën ndaj kritikave se ndjek automatikisht politikën amerikane, pa peshë të madhe autonome — megjithëse për një shtet të vogël kjo shpesh shihet si zgjedhje strategjike, jo dobësi.
Qëndrimi i Kosovës është politikisht i parashikueshëm, strategjikisht racional dhe diplomatikisht i qartë: Kosova zgjedh të jetë pa ekuivok në anën e SHBA-së dhe rendit perëndimor, duke e parë këtë si garanci afatgjatë për sigurinë, legjitimitetin dhe integrimin e saj ndërkombëtar”, përmbylli ai për “Bota sot”.
