Kadri Kryeziu: Pa shkëputje nga klani i Riinvestit, LDK rrezikon të bjerë nën 10 për qind
Profesori Kadri Kryeziu ka kritikuar ashpër gjendjen në LDK, duke thënë se pas rënies në 13 për qind nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, emra si Avdullah Hoti apo Hykmete Bajrami do ta çonin partinë edhe më poshtë.
Sipas tij, ndikimi i Riinvestit dhe kalkulimet e vjetra politike po e defaktorizojnë LDK-në dhe po dëmtojnë pluralizmin në Kosovë. Kryeziu thekson se partia ka nevojë për reflektim të thellë dhe shkëputje nga klanet, përndryshe rënia nën 10 për qind do të jetë e pashmangshme.
Postimi i plotë:
Nëse Lumiri e ka katandisur LDK-në në 13 për qind, atëherë Avdullah Hoti apo Hykmete Bajrami – projeksione të pastra të Riinvestit për kryetar partie – do ta çojnë pa asnjë dilemë nën 10 për qind.
Kjo nuk është më garë idesh, por menaxhim i rënies. Nuk është reformë, por riciklim i një klani që e ka shteruar LDK-në politikisht dhe moralisht. Riinvesti nuk po prodhon lidership; po prodhon alibi për vazhdimin e kontrollit nga prapaskena.
Defaktorizimi i LDK-së nuk është lajm i mirë për askënd. Një LDK e zvogëluar, e frikësuar dhe e kapur është humbje direkte për demokracinë në Kosovë. Pa një LDK funksionale, pluralizmi shndërrohet në dekor.
Prandaj, shkurorëzimi nga klani i Riinvestit dhe nga kalkulimet cinike të Kujtim Shalës nuk është luks – është kusht mbijetese. Çdo “zgjidhje” që vjen nga e njëjta kuzhinë është vetëm një shminkë tjetër në arkivolin politik të partisë.
LDK-së i duhet reflektim i vërtetë, jo kirurgji estetike. Një proces që e dëgjon bazën, përndryshe, rënia nën 10 për qind nuk do të jetë aksident, por destinacion.
Dëgjojeni Profën. Ju del më mirë – edhe politikisht, edhe historikisht.
