Zeqiraj: Humbja e LDK-së ishte e shmangshme, përgjegjësia kërkon riorganizim të thellë
Publicisti Idriz Zeqiraj vlerëson se humbja e fundit e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ishte e pashmangshme dhe se ajo mund të ishte shmangur pa kosto politike për partinë dhe për shtetin. Sipas tij, rezultati zgjedhor është pasojë e vendimeve të gabuara dhe e mungesës së llogaridhënies brenda LDK-së.
“Humbja nuk është fundi i botës, por kësaj radhe është super-specifike dhe lehtësisht e shmangshme”, thotë Zeqiraj, duke shtuar se qytetarët e Kosovës e kanë bërë të qartë se nuk e dëshirojnë rikthimin në pushtet të figurave të komprometuara të së kaluarës.
“Populli nuk e do kthimin e disa ‘komandantëve’ në pushtet, sepse kriminalizimi i tyre tashmë është dëshmuar katërçipërisht”, shprehet ai.
Zeqiraj thotë se, pavarësisht këtij realiteti, lidershipi i LDK-së ka këmbëngulur në bashkëpunim me PAN-in, duke provokuar opinionin publik dhe familjet e të vrarëve politikë.
“Këmbëngulja për ta rikthyer PAN-in në qeverisje ishte provokim i rëndë për shoqërinë shqiptare”, thekson ai.
Sipas publicistit, mungesa e mekanizmave të brendshëm të përgjegjësisë e ka dëmtuar rëndë partinë. Ai kujton se prej vitesh ka kërkuar krijimin e një institucioni të tillë brenda LDK-së, ide që ia kishte propozuar edhe presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Kam qenë ndër të parët që kam kërkuar krijimin e Institucionit të Përgjegjësisë brenda LDK-së”, deklaron Zeqiraj.
Duke folur për drejtimin aktual të partisë, Zeqiraj vlerëson se kryetari Lumir Abdixhiku ka qenë aktiv në terren, por ka vazhduar praktika të trashëguara që e kanë dëmtuar demokracinë e brendshme.
