Kurti tregon cilët faktorë ndikuan që LVV-ja të ketë sërish mbi 50 për qind në zgjedhje
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka treguar faktorët që ndikuan që Lëvizja Vetëvendosje t’i marrë mbi 50 për qind në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kurti, i cili është kryetar i LVV-së, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress thotë se qytetarët e kanë parë qartë se kush ishte përgjegjës për krizën politike të vitit të kaluar. Sipas tij, kulmi i bllokadës dhe refuzimit të partive të ish-opozitës ishte refuzimi për pjesëmarrje në seancën ku duhej të miratohej buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka 50.24 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Megjithatë, Kurti shton se faktor tjetër për këtë votë të madhe në zgjedhje janë zotimet në fushatë.
Kurti tregon cilët faktorë ndikuan që LVV-ja të ketë sërish mbi 50 për qind në zgjedhje
“Kulmin ia vendosi refuzimi për pjesëmarrjen në seancë ku do të duhej të miratohej buxheti i 2026-ës, pastaj tri marrëveshjet me Bankën Botërore dhe gjithashtu plani i rritjes së Bashkimit Evropian, që gjithsej këto të fundit bënin mbi 1 miliardë euro. Unë besoj që qytetarët e Republikës e panë të qartë, përtej zhurmës që zhvillohej, se kush mban përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhemi. Dhe prandaj na u dha një mandat edhe më i fuqishëm sesa më herët. Besoj që ky ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm për këtë fitore me votë të madhe, për këtë rritje të re që patëm. Por unë nuk e kisha neglizhuar edhe një faktor tjetër, e këto janë zotimet tona, të cilat unë besoj që i kemi plasuar edhe më suksesshëm, por edhe ka pasur disa të tilla të reja, të cilat i kanë entuziazmuar më shumë qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje. Pra, unë nuk besoj që Lëvizja Vetëvendosje ka konvertuar votues ose anëtarë të partive të tjera. Ne kemi arritur që të bëjmë një mobilizim gjithëpopullor. Prandaj po them, kjo fitore e 28 dhjetorit është e popullit dhe e Republikës”, thekson ai.
Duke shprehur sigurinë për formimin e shpejtë të institucioneve, Kurti tha se mandati i ri iu jep shumë shpresë për rrugën përpara për shkak të mbështetjes së madhe popullore.
Ai fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit e quajti historike.
Kurti: Do të jetë një mandat i cili na jep shumë shpresë për rrugën përpara për shkak të mbështetjes popullore
“Besoj që janë të dyja, edhe më shumë besim, por edhe më shumë përgjegjësi. Ne konsiderojmë që realisht zgjedhjet i kemi fituar me datën 9 shkurt, atëherë kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare si Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët tanë. Mirëpo kësaj radhe, edhe kishim më shumë partnerë, por fitorja është realisht e popullit dhe e Republikës. Pra mbi 50 për qind, një lloj plebishiti, një fitore referendare, madje historike, e cila edhe për nga përmasa absolute, edhe për nga përqindja relative, po e tejkalon edhe atë të 14 shkurtit të vitit 2021. Andaj do të jetë një mandat i cili na jep shumë shpresë për rrugën përpara për shkak të mbështetjes popullore, por ne e kemi të qartë se sa më shumë mundësi që ke, aq më shumë përgjegjësi ke. Dhe këto mundësi të mëdha, padyshim që duhet të jenë përgjegjësitë tona karshi zotimeve që i kemi pasur edhe para një viti, edhe në këtë fushatën e fundit, por duhet ta përmendim edhe atë që do të na shfaqen shumë sfida të cilat nuk mund t’i parashikojmë sot e për të cilat duhet të jemi në nivel të detyrës”, shton ai.
Në bazë të rezultateve preliminare, LVV-ja ka marrë mbi 80 për qind të votave nga diaspora. Ai për KosovaPress tregon se pse është politikani më i votuar nga diaspora.
Sipas tij, mërgata një lloj plotësimi për mallin për atdhe e gjen te qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, sipas tij, është karakterizuar nga siguria shtetërore dhe publike në njërën anë, dhe te begatia e mirëqenia e të gjithë qytetarëve.
Pse është politikani më i votuar nga diaspora, flet Kurti
“Besoj që nuk ka shumë dallim në diasporë dhe në Kosovë. Mbështetja për Vetëvendosjen nuk është thjesht mbështetje vetëm e mërgatës sonë, është mbështetje brenda e jashtë, për shkak se bëhet fjalë për familje të ndara. Vëllezërit dhe motrat tona që ndodhen në Evropën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anë e mbanë botës, nuk janë të ndarë nga familja shpirtërisht, nuk janë të ndarë nga familja në aspektin shoqëror e kulturor. Bëhet fjalë për një ndarje traumatike, fizike, që ka ndodhur në periudha të ndryshme të historisë, të cilat i kemi përbrenda jetës sonë. Prandaj unë nuk besoj që është ndarja aq e madhe. Është e vërtetë se ata jetojnë në vende të tjera, ku malli për atdhe është shumë i madh dhe ka mundësi që një lloj plotësimi që e gjejnë është pikërisht te qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje, te programi ynë qeveritar, i cili është karakterizuar nga theksi te siguria shtetërore dhe publike në njërën anë, dhe te begatia e mirëqenia e të gjithë qytetarëve pa dallim. Pra unë e kisha potencuar elementin e traumës të motrave dhe vëllezërve tanë që janë detyruar të migrojnë, qofshin ata në vitet e ’80-ta apo në vitet e ’90-ta, për shkaqe ekonomike ose për shkak të persekutimit politik, ose si refugjatë gjatë luftës. Ky element traumatik e bën mërgatën tonë të ndryshme prej mërgatave të tjera të popujve të tjerë në përgjithësi, por jo të ndryshme prej vetë Kosovës”, thekson Kurti.
Krahas rritjes së LVV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, rënie të madhe pati Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka 13.40 për qind, apo rreth 50 mijë vota më pak sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar.
Sipas Kurtit, kjo rënie e votave tregon se qytetarët e kanë parë udhëheqjen e LDK-së si bllokuese të formimit të institucioneve vitin e kaluar.
Pse LDK pati rënie të votave sipas Kurtit
“Përshtypja ime është që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, udhëheqja e LDK-së u pa nga qytetarët e Republikës si bllokuese e çfarëdo bashkëpunimi. Tash, në kushtet kur del subjekti i tretë, dhe me një dallim të madh prej të parit, e jo të vogël edhe prej të dytit, të mos dëshirosh as të komunikosh, as të takohesh, as të bashkëpunosh, nuk mendoj që ka qenë racionale. Dhe në anën tjetër nuk ka pasur asnjë lloj alternative se si të ecet përpara. Në këtë kuptim, ka mundësi që një numër i konsiderueshëm i votuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kanë dashur ta shohin koalicionin me Vetëvendosjen në legjislaturën e kaluar, janë larguar prej mbështetjes së LDK-së. Sido që të jetë, tash me rezultatin e 28 dhjetorit, me krejt atë çfarë ndodhi në vitin 2025, ne nuk kemi më absolutisht asnjë pengesë, asnjë bllokadë që të ecim përpara dhe ta formojmë”, thotë ai.
