Muharrem Sfarqa: LDK po rrëshqet nga humnera në humnerë për shkak të lidershipit aktual
Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muharrem Sfarqa, ka reaguar ashpër për gjendjen aktuale në parti, duke e fajësuar drejtpërdrejt lidershipin dhe kryetarin për, siç thotë ai, degradimin e vazhdueshëm politik dhe organizativ të LDK-së.
Në një postim publik, Sfarqa shprehet se edhe pse dihej që LDK nuk po kalonte ditët e saj më të mira, rënia e saj e thellë ishte e paimagjinueshme, madje edhe për kundërshtarët politikë, brenda dhe jashtë Kosovës.
Sipas tij, lidershipi aktual, në vend se të merrej me zgjerimin, forcimin dhe unifikimin e partisë, i ka shërbyer një klike të ngushtë, e cila është futur në strukturat drejtuese pa asnjë kontribut në LDK, shpeshherë si ardhacakë nga parti të tjera apo organizata joqeveritare të dështuara.
Në reagimin e tij, ish-nënkryetari i LDK-së thekson se partia është shndërruar në strehë për figura të dështuara politike, të cilat po kërkojnë “rehabilitim” dhe pozita në një qeveri të mundshme, me premtime gati publike për poste ministrore.
Postimi i plotë:
Se LDK nuk ishte në ditët e saj më të mira, tashmë dihej, por se do të binte nga humnera në humnerë, këtë nuk do ta kishin menduar as armiqtë, e lëre më kundërshtarët e saj politikë e jopolitikë, brenda e jashtë Kosovës.
Atë që nuk arritën ta bënin ata, pa asnjë vështirësi e katandisi lidershipi i saj në krye me Kryetarin, i cili, në vend se të merrej me zgjerimin, forcimin, unifikimin dhe rritjen e partisë, po krijonte përshtypjen se ishte aty për t’i shërbyer një klike, e cila pjesërisht u katapultua në Kryesinë e saj pa asnjë kontribut në parti, si hibride të partive të tjera apo nga ndonjë OJQ e falimentuar.
Njeriu i cili e largoi LDK-në nga shtrati i saj institucionalist, duke larguar veprimtarët emblematikë nga strukturat e saj dhe duke i zëvendësuar me njerëz që kanë milituar nëpër parti të tjera, madje edhe në katër parti njëra pas tjetrës, si: FER, VV, PSD, PDK (ndonjëri prej tyre tashmë është edhe kryetar dege, madje jo të vogël), sigurisht që nuk mund të pritej ndonjë përfundim tjetër.
LDK u bë strehë e disa njerëzve të dështuar të partive të tjera, të cilët po kërkonin identitetin e tyre të ri politik dhe “rehabilitimin” si kuadro për një qeveri eventuale, me premtime gati publike se do të bëhen ministra.
Tashmë egoja e tyre e lënduar i ka çorientuar dhe, sa më shumë që të vazhdojë kjo apati, do të prodhojë pasoja të reja për vetëorganizimin e saj, për një të ardhme aspak të lehtë.
Prandaj,
LDK duhet të kthehet në themelet e saj dhe të heqë dorë nga çdo eksperiment që fillon me fyerjen e figurave të rëndësishme, të cilët për këtë parti, përveç çdo sakrifice, vazhdojnë edhe sot të bartin plumba në trup.
Reflektim dhe fillim i zgjedhjeve pa asnjë preferencë e ndërhyrje, prej lagjeve e fshatrave, nga aktivet, nëndegët, degët e deri te kupola e piramidës – te Kryetari i ri i LDK-së. (E vërteta është se nuk pres që Kryetari të japë dorëheqje dhe as që do të pranohet dorëheqja eventuale e tij nga Kuvendi i LDK-së).
Sa më herët që të trajtohet gjendja reale, aq më mirë.
Qetë, pa zhurmë dhe me prirje racionale e pozitive.
Në të kundërtën, rrijmë ku jemi dhe shkruajmë statuse vetëngushëlluese, derisa ta kuptojmë se LDK do të rrëshqasë drejt një shume njëshifrore votash (nëse ky nuk është mision i papërfunduar).
Por atëherë do të jetë tepër vonë për të gjithë ata që LDK-në e kanë emocion dhe rugovizmin vizion, frymë e ushqim shpirtëror e shtetëror.
