“Fitorja e Vetëvendosjes dihej, LDK-ja humbësja më e madhe”
Juristi dhe profesori universitar, Blerim Burjani, vlerëson se fituesi i zgjedhjeve tashmë është i qartë dhe se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë në krye pa dilema të mëdha, ndërsa partitë opozitare kanë dështuar të përmbushin pritjet.
Sipas Burjanit, Lidhja Demokratike e Kosovës është humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, ndërsa as Partia Demokratike e Kosovës nuk ka arsye për t’u lavdëruar, pavarësisht pritjeve më të larta që kishte opozita në përgjithësi.
“Rezultatet në nivel nacional pothuajse pasqyrojnë trendin e votave komunale. Gjendja demokratike mbetet e mjerë, po ashtu edhe zhvillimi ekonomik i shtetit dhe përpjekjet për të ndalur largimin e qytetarëve nga Kosova”, thekson Burjani.
Ai rikujton se qeverisja e Vetëvendosjes është parë qartë që nga viti 2019, duke vënë në pah mungesën e zhvillimit ekonomik, mungesën e reformave sociale dhe ekonomike, si dhe dështimin në ndërtimin e një sistemi efektiv të mbrojtjes shëndetësore.
“Në këtë kontekst, shtrohet pyetja thelbësore: për çfarë kanë votuar qytetarët Vetëvendosjen?”, shtron dilemë Burjani.
Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron vetëm te kalkulimet politike, por te niveli i ulët i vetëdijes qytetare dhe edukimit. Ai vlerëson se edukimi mbetet sfida më e madhe strukturore e shoqërisë kosovare.
Burjani veçon edhe çështjen e veriut, për të cilën thotë se kryeministri Albin Kurti arriti ta kthejë në një narrativë frike, duke krijuar perceptimin se Kosova mund të ballafaqohet me luftë dhe se është e domosdoshme blerja e armatimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Qytetarët, në thelb, zgjodhën izolimin e shtetit, të paktën për një periudhë kohore”, thekson ai.
Në fund, Burjani paralajmëron për një krizë të mundshme institucionale, duke theksuar se mosdhënia e votës për presidentin e vendit mund ta lërë Kosovën pa një president funksional deri në qershor, me ushtrues detyre, që mund të jetë kryetari i Kuvendit.
“Kjo situatë hap rrugën për një qeverisje të Albin Kurtit me mbështetjen e minoriteteve joserbe, për të arritur kuotën e nevojshme qeverisëse”, përfundon Burjani.
