Dialog pa dialog: 2025-ta, vit i ngecjes totale në bisedimet Kosovë–Serbi, njohësit tregojnë shkaqet
Viti 2025 është viti ku dialogu Kosovë-Serbi pothuajse ka ngecur tërësisht. Vetëm me dy takime të mbajtura në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve, dhe asnjë takim në nivel të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, procesi ka humbur peshën dhe dinamikën që kishte në vitet e mëhershme. Këto takime, të mbajtura kryesisht për çështje teknike dhe për menaxhim krizash, nuk sollën marrëveshje të reja dhe as përparim të dukshëm në zbatimin e atyre ekzistuese.
Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti gjatë vitit 2025 ka qenë i qartë në deklaratat publike se dialogu nuk mund të vazhdojë “si më parë”, pa përgjegjësi dhe pa barazi mes palëve. Kurti ka theksuar vazhdimisht se Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet e arritura, përfshirë obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit, ndërsa ka kërkuar që dialogu të fokusohet në njohjen reciproke dhe respektimin e sovranitetit të Kosovës. Ai po ashtu ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se mungesa e presionit ndaj Serbisë e ka bërë dialogun të pabalancuar.
Në këtë kontekst, viti 2025 u karakterizua më shumë nga deklarata, paralajmërime dhe qëndrime politike, sesa nga përmbajtje konkrete negociuese. Dialogu u mbajt gjallë vetëm formalisht, pa takime të nivelit të lartë dhe pa ndonjë agjendë të qartë për ecje përpara. Për rrjedhojë, dialogu me Serbinë mbetet një ndër çështjet kryesore që do të përcaktojnë agjendën politike të vitit 2026, me pikëpyetje të mëdha nëse do të ketë një rifillim serioz të procesit apo vazhdim të stagnimit aktual.
Ish- ambasadorja, Alma Lama, thotë se pas themelimit të qeverisë së Kosovës pritet rifillimi i dialogut.
Por, sipas saj, Kosova dhe Serbia nuk kanë vullnet për të implementuar marrëveshjet e arritura.
“Pas themelimit te qeverisë së Kosovës , pritet edhe të rifillojë dialogu me Serbinë. Së paku kështu janë deklaruar përfaqësuesit e BE-së të cilët kanë bërë [përpjekje që gjatë gjithë kësaj kohe të mbajnë derën e hapur , mirëpo realisht dialogu në këtë format dhe këtë përmbaje ka vdekur, është inekzistent. Është e qartë se Kosova dhe Serbia nuk kanë vullnet për të implementuar marrëveshjet e arritura, e po kështu është e qartë se edhe BE-ja nuk është shumë e fokusuar në këtë çështje, pasi ka preukupime shumë më të rëndësishme, siç është lufta në Ukrainë, raportet me SHBA-në, riarmatimi dhe siguria evropiane. Unë mendoj se presioni i BE-së mund të rritet por nuk do të jetë efikas pa përfshirjen vendimtare të SHBA-së”, deklaron Lama.
Sipas saj, BE mund të kushtëzojë procesin integrues së Kosovës dhe Serbisë, por deri më tani këto kushtëzime nuk kanë pasur efekt real për t’i nxitur palët drejt implementimit.
“Mbetet për tu parë nëse së pari SHBA- do të përfshihet, së dyti, si do të përfshihet, në koordinim apo jo me BE-në dhe së treti cili do të jetë objektivi i dialogut kemi parë se doktrina e politikës së jashtme të SHBA-së ka ndryshuar në raport me Evropën dhe botën, së paku nga Shtëpia e Bardhë, por ende mbetet kongresi që vazhdon linjën e njëjtë edhe për sa i përket rajonit tonë, ku në Aktin e mbrojtjes kërkon përfundimin e dialogut me njohje të ndërsjellë. Tani për tani asgjë nuk mund të thuhet me saktësi. Për sa i përket kërkesave e diskursit të BE-së do të vazhdojnë të kërkojnë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe mbase të kushtëzojnë procesin integrues së Kosovës dhe Serbisë, mirëpo deri tani këto kushtëzime nuk kanë pasur efekt real për ti nxitur palët drejt implementimit”, shprehet ish- ambasadorja.
Tutje, ajo shton se pa njohje reciproke dialogu do të vazhdojë të vuajë nga ambiguiteti dhe mungesa e vullnetit politik.
“Mendoj se pa njohje reciproke, dialogu Kosovë Serbi do të vazhdojë të vuaje nga ambiguiteti dhe mungesa e vullnetit politik, nga zvarritjet e pafund dhe humbja e energjisë në mënyrë të padobishme. Dy gjëra janë esenciale, korniza kohore, dhe përfundimi me njohje, Dialogu i BE-së i mbajtur deri tani nuk e ka asnjërin nga këto komponente, prandaj edhe kemi një rezultat të tillë, që është realisht mungesë rezultatesh konkrete”, shton Lama.
Pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Bashkimi Evropian ka uruar partinë fituese dhe kandidatin Albin Kurti, madje ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut me Serbinë.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të jetë e vetmja mënyrë që të dyja palët të arrijnë përparim në rrugët e tyre evropiane. Ne presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të zbatohen pa vonesa ose parakushte të mëtejshme. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të Nivelit të Lartë sapo të krijohen kushtet”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të përfaqësueses së Lartë të BE-së Kaja Kallas dhe Komisiones për Zgjerimin Marta Kos.
Vazhdimi i dialogut dhe kërkesa për serbët lokalë
Ndërsa, publicisti Emin Azemi thotë se serbët lokalë duhet të thellojnë ndjenjën e përkatësisë shtetërore të Kosovës.
Sipas tij, pa njohjen e shtetësisë së Kosovës nuk mund të pritet mbyllja e plagëve nga e kaluara.
“Serbët lokalë duhet të thellojnë ndjenjën e përkatësisë shtetërore kosovare! Mbase, sipas një rendi kronologjik të gjërave, do të duhej nga fundi i pyetjeve tuaja të fillojmë të gjejmë përgjigjet ,sepse aty e shoh kuptimin e asaj që përmban agjenda evropiane e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, pa njohjen e shtetësisë së Kosovës, nuk mund të presim që të mbyllen plagët e së kaluarës dhe çdo diplomat Perëndimor që bën trysni të njëanshme, duke e detyruar Kosovën të formojë Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, para se Serbia të njohë shtetin e Kosovës, do të ishte veprim kontraproduktiv dhe i dëmshëm për vet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, shprehet Azemi.
Ai kërkon që dialogu të vazhdojë dhe se serbët lokalë kërkesat e tyre t’i adresojnë në Prishtinë.
“ Dialogu gjithsesi duhet të vazhdojë, por Kosova në tryezën e negociatave duhet të paraqes vizionin e saj si shtet, pavarësisht nëse Serbia e njeh apo jo shtetësinë e saj. Kosova nuk duhet t’i ikë përgjegjësive shtetërore ndaj statusit të pakicave, përfshi edhe minoritetin serb, dhe në vitin 2026 duhet të zhvilloj një dialog më intensive me serbët lokal, duke i dëgjuar me kujdes hallet dhe problemet e tyre, në mënyrë që Serbisë t’i mbyllet çfarëdo lloj hapësire manipulimi me interesat e serbëve të Kosovës. Nga ana tjetër, serbët lokalë kërkesat e tyre duhet t’ia adresojnë Prishtinës dhe të thellojnë ndjenjën e përkatësisë shtetërore kosovare, sepse vetëm kështu ata mund të faktorizohen si komunitet kredibil. Gjithçka tjetër, është lojë e Beogradit për qëllime krejt tjera që nuk kanë kurrfarë pikëtakimi me interesat e serbëve lokalë të Kosovës”, përfundon Azemi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar zyrtarisht në vitin 2011.
Dialogu u inicua nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, fillimisht si dialog teknik, me qëllim zgjidhjen e çështjeve praktike dhe teknike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008. Bisedimet u zhvilluan mes përfaqësuesve teknikë të të dyja palëve dhe u fokusuan në tema si: liria e lëvizjes. dokumentet civile, doganat, energjia. telekomunikacioni
Dialogu mori një dimension më të lartë politik në vitin 2012, kur në proces u përfshinë kryeministrat e atëhershëm. Kulmi i kësaj faze ishte Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, që synonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Megjithatë, pavarësisht mbi një dekade bisedimesh, dialogu ka kaluar nëpër faza shtangimi, kriza dhe moszbatimi të marrëveshjeve, veçanërisht në vitet e fundit.
