Statovci: Fitorja e LVV-së është “referendum i rradhës”
Jeta Statovci nga Partia Guxo e ka quajtur fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit si një “referendum të rradhës”.
Në emisionin “Info Nata”, ajo ka theksuar se Vetëvendosje me përqindjen aktuale është afër 50 përqind, ndërsa partitë tjera shqiptare së bashku nuk e kalojnë 42 përqind.
“Me përqindjen aktuale jemi afër 50 përqindëve, pa llogaritur votat që mund të vijnë në ditët në vijim. Nëse i mbledhim partitë tjera shqiptare, duke përfshirë PDK, LDK, AAK dhe Nismën, nuk jam e sigurt nëse arrijnë 42 përqind. Kjo tregon qartë besimin e qytetarëve dhe e bën këtë rezultat një referendum të rradhës”, ka thënë Statovci.
Ajo e ka vlerësuar këtë mbështetje të madhe si një validim të punës, seriozitetit dhe kauzës politike të LVV-së gjatë mandatit të kaluar.
“Është një validim për projektet që kemi prezantuar dhe për qasjen tonë serioze ndaj kauzës politike që kemi ndjekur. Nuk u ballafaquam me argumente apo kritika, por me një bllokadë që nuk e zgjidhnim tek partitë e tjera, prandaj e gjetëm zgjidhjen tek populli. Kjo mbështetje e fuqishme tregon se qytetarët e kanë vlerësuar punën tonë”, ka shtuar ajo.
Statovci po ashtu ka vlerësuar se fitorja ishte e pritshme, pasi LVV besonte se puna dhe përpjekjet për forcimin e shtetit, sovranitetit dhe ekonomisë ishin të drejta dhe të sakta.
“Ne kemi besuar se puna jonë ka qenë e drejtë dhe përpjekjet për fuqizimin e shtetit dhe ekonomisë kanë qenë të sakta. Për këtë arsye kemi tentuar që nga shkurti të konstituojmë institucionet, por u përballëm me bllokada të paarsyshme. Megjithatë, mbështetja e qytetarëve na ka dhënë forcë dhe drejtim”, ka përfunduar Statovci.
