OPINIONTË FUNDIT

“Fitore historike e LVV-së”, Mekuli tregon pse janë vendimtare rezultatet e 28 dhjetorit

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilave u paraprinë përplasjet disamuajshe ndërmjet partive politike, bllokadat institucionale dhe fjalori polarizues – përfunduan me një fitore bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

E për këtë temë, për “Bota sot” foli publicisti Gëzim Mekuli, i cili tha se fitorja e mbrëmshme, është një nga ngjarjet më të rëndëishme në historinë e re të Kosovës.

Krahas kësaj, ai sqaroi se pse është kaq vendimtare kjo fitore.

“Pas Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, fitorja e mbrëmshme e Vetëvendosjes dhe Guxo përbën njërën nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës; vetëm në planin politik, por edhe në atë kulturor, moral e civilizues.

Kjo fitore madhështore është vendimtare; është vendimtare sepse pavarësia e Kosovës kishte nisur të dobësohej e të lëkundej, madje të zhbëhej gradualisht, nën peshën e pazareve politike, relativizimit diplomatik, rehabilitimit të Serbisë dhe dhunës së organizuar mediatike. Me fitoren e mbrëmshme të Vetëvendosjes dhe Guxo, Pavarësia e Kosovës rikthehet në duar të sigurta: në duart e politikës së përgjegjshme, të sigurisë shtetërore dhe të diplomacisë dinjitoze”, shtjelloi ai.

Tutje, Mekuli tha se, propagandat kundër LVV-së do vazhdojnë edhe pas fitores së madhe, por që ka mundësi që të gjitha gjërat të mos merren papërgjegjësinë.

“Propaganda e tipit gebelsian, që për vite me radhë ka torturuar këtë popull dhe ka helmuar hapësirën publike, do të vazhdojë edhe më tej. Por tash është hapur rruga që kjo dhunë e egër mediatike, që do t’ia kishte lakmi edhe Reihut i Tretë, të mos mbetet pa përgjegjësi. Zëri i Millosheviqit dhe Vuçiqit duhet të ulet në Prishtinë dhe Tiranë dhe autorët e saj të japin llogari para institucioneve dhe gjykatave në ardhje të pavarura.

Shqiptarët nuk guxojmë të pranojmë realitetin cinik të Napoleon Bonapartit, kur thoshte se “më shumë i frikësohem tri gazetave sesa tri mijë bajonetave”. Sepse një shoqëri e lirë nuk sundohet nga frika, por nga e vërteta, barazia dhe ligji”.

Ndër të tjera, publicisti vlerëson se Kurti me punën e tij, ua ktheu shpresën shqiptarëve.

Madje, sipas tij, fitorja e LVV-së është fitore e dinjitetit qytetar.

“Historia botërore na jep mjaft shembuj. Skandali Ëatergate në SHBA dëshmoi se mediat mund të jenë armë të së vërtetës kur i shërbejnë interesit publik; por po aq lehtë mund të shndërrohen në armë shkatërrimi kur kapen nga interesa të errëta politike e financiare. Prandaj, liria e medias nuk mund të jetë alibi për manipulim, gënjeshtër dhe destabilizim.

Albin Kurti ua ktheu shpresën e vjedhur shqiptarëve dhe, me këtë akt politik, varrosi njëherë e përgjithmonë mendësinë mesjetare se “unë jam i forti, unë jam Zoti”.

Kjo fitore nuk është fitore e një njeriu apo e një partie, është fitore e dinjitetit qytetar, e shtetit dhe e së ardhmes së Kosovës. Dhe jo vetëm të Kosovës…”, përfundoi Gëzim Mekuli për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *