OPINIONTË FUNDIT

Lis Bukuroca: Nëse të mbështet Baton Haxhiu…

Nëse të ndihmon Baton Haxhiu, nëse të ndihmon Adriatik Kelmendi, Milaim Zeka, Berat Buzhala, e vartësit e tyre; nëse të mbështesin T7 dhe Klan Kosova bashkë me portalet e tyre dhe disa të tjerë periferikë, atëherë mos u gëzo, sepse të ha dreqi pa e vënë re. Fundosesh!

Pse?
Sepse ata luftojnë për protagonizëm, për t’u ngulur në qendër të vëmendjes, për të mbetur aty, edhe nga frika e shtetit ligjor.

Ata, në fakt, nuk luftonin për ju, por për t’i arritur qëllimet e veta, për t’i mbrojtur interesat e veta, duke ju përdorur si vegla. Ose si shkallë. Ose si ashensor për t’u ngjitur lart. Ose edhe më keq, si gomarë.

Ju nuk e shihnit, nuk e kuptonit dhe nuk e ndienit këtë: ata abuzuan me ju, ndërsa ju u dorëzuat si delja te kasapi. Ata nuk dëshironin shtet ligjor; ata luftonin nëpërmjet jush për një shtet që u siguron atyre imunitet. Liri pa shtet.

Shkrova disa herë se duhej fitore edhe kundër Kartelit Mediatik, sepse ju patët humbur qysh kur refuzuat kryetaren e Kuvendit, kur refuzuat qeverinë me Kurtin, me Konjufcën, kur u barrikaduat me arrogancë dhe nuk merreshit me shtetin, me interesat publike, por me kultivimin e urrejtjes, ashtu si ju predikonte Karteli.

Ju ëndërronit Baton‑shtet, si ai i Edi Ramës, apo Klankosova‑shtet.

Ju refuzuat edhe buxhetin, edhe kreditë, duke i shkaktuar Kosovës mbi një miliard euro dëme, dhe bëtë vetëm një vepër të mirë: zgjodhët datën e zgjedhjeve kur inteligjenca iluministe nga mërgimi kthehej në shtëpi, për t’ua treguar juve, Kartelit Parapolitik si çerdhe të korrupsionit, dhe Kartelit Mediatik, vendin që e meritoni.

Dhe, sa herë e poshtëroni diasporën, flisni për të afërmit dhe miqtë tuaj që jetojnë jashtë, sepse vetëm ata i njihni. Të tjerët jo. Por një mërgimtar që ka jetuar së paku dy vite në Perëndim është ndriçuar dhe ka përvetësuar kulturën demokratike më mirë sesa ju të Kartelit për 25 vjet.

Këtë e dëshmon fjalori juaj, sharjet, paragjykimet dhe mendimet që, në Gjermani, do të ndëshkoheshin me gjoba të rënda apo edhe me burg. Sepse shpifjen e keni ngritur në standard ligjërimi, ndërsa cenimin e dinjitetit në normë të komunikimit publik.

Për nivelin gjuhësor, as mos të flasim: debatet tuaja televizive i ngjajnë atyre të kooperativave komuniste. Nëpër stalla.

Në vendet demokratike, nuk mund të merret me mend që, në prani të një prokurorie, të shahet dhe të paragjykohet dikush në televizion me fjalor vulgar. Sepse pikërisht ato mendime dëmtojnë rininë dhe flasin qartë për një sistem arsimor të dështuar dhe për një socializim të mangët, si në shtëpi, ashtu edhe jashtë saj.

Juve “gazetarëve” të Karteli ju mungon kultura elementare e komunikimit! Ju nuk shkëmbeni mendime, lexoni në celular ghatë debatit, ndërpreni njëri-tjetrin, dhe luftoni për epërsi, për imponim, për dominim!

Karteli kishte vetëm një projekcion, një aberracion: urrejtjen patologjike ndaj Albin Kurtit.

Dhe ju morët ligjërimin dhe arsyetimet e tyre, i përvetësuat, i mësuat përmendsh dhe nuk ju interesonte më Kosova, por shfaqnit hapur vetëm urrejtje kundër Kurtit, vetëm refuzim, vetëm përbuzje. Vetëm barrikadim.

E shpallën njeri të Serbisë dhe më të rrezikshëm se Millosheviqi, që ka vrarë mbi 13.500 shqiptarë dhe dëbuar 50% të popullsisë.

Dhe tani, Karteli ju fajëson juve, jo vetveten, sepse ata, si ju, luftonin kundër shtetit ligjor. Tash ata e urojnë Kurtin nga frika, jo nga respekti: nga dyfytyrësia dhe pafytyrësia. Të paskrupulltë.

Lëpirjen dhe zvarritjen i kanë filozofi të jetës.

Ata abuzuan me ju, ju përdorën, ju keqpërdorën, ju shfrytëzuan dhe ju hodhën si letër nevojtoreje; në atë ecuri ata fitonin, me klikime e publicitet në TV, ndërsa ju i premtonut popullit se do ta mënjanonit Kurtin përgjithmonë.

Për ju brenga kryesore ishte bërë Kurti, jo gjeopolitika, jo shërbimi sekret serb. Jo sulmet kundër Kosovës.

Karteli prodhonte dyshime se Kurti me qeverinë po organizonte sulme terroriste për të shpëtuar Vuçiqin, sepse besonin se propaganda ia shpëlan trurin popullit, duke besuar se ai nuk dinte kush ishte Kurti, kush ishit ju dhe kush ishin mbështetësit tuaj. Ju i besuat asaj propagande.

Ju nuk iu gëzuat as fitores mbi terroristët, as mbylljes së administratës paralele serbe; madje përhapnit mendime se qeveria po i terrorizon serbët në veri, mu siç thonë Lista Serbe dhe Vuçiqi.

Ato paragjykime i mësuat nga Karteli, nga hibridët, dhe ja ku jeni: në fund të pusit. Mu aty ku e merituat.

Dhe disa komandantë ende besojnë se jemi në kohën komuniste, se me luftën e djeshme u lejohet vjedhja e sotme dhe se duhet të vdesin në pushtet si Titot e Enveri. Nuk e kanë kuptuar ende se tani vendos populli, jo partia.

LDK, pa larguar kuadrot e Isa Mustafës, pa reformë, pa demokraci të brendshme, pa distancim nga mustafizmi, rrezikon të shuhet si parti. Por LDK-ja e vërtetë, ajo e Rugovës, është partia e Vjosa Osmanit, jo e Abdixhikut dhe zonjës Kica. LDK e tyre merrej me polemika, jo me shtetin. Jo me interesin publik.

Tash, mblidhni mend dhe bashkëpunoni me qeverinë për vetingun dhe largimin e prokurorëve që mbrojnë interesat e Serbisë. Me Albin Kurtin mund të ndërtohet shteti ligjor si në Gjermani e Zvicër. Mund të kontribuoni, ose do të zhdukeni nga sipërfaqja.

Dhe mos harroni kurrë: në demokraci fitohet aq shumë pa vjedhje votash, vetëm kur shumica e partive zhyten në korrupsion dhe përpiqen ta mbrojnë plaçkën e tyre. Pa u shkëputur nga e kaluara kleptokratike, ju nuk fitoni kurrë. Kurrë, ose krijoni parti tjera dhe braktisni ato strofulla piratësh.

PS. Shkrimet e këtij muaji do të kenë mbi një milion lexime apo klikime. Vetëm gjatë 28 ditëve të fundit janë regjistruar 949.632 vizita, siç shihet edhe në imazh. Artikujt demaskues janë lexuar deri në 15.000 herë, ndërsa videot janë ndjekur deri në 40.000 herë. Ju falënderoj për mbështetjen.

Lufta për shtet ligjor nuk ka përfunduar. Ne, mërgata, e dimë mirë si duket një shtet ligjor, si ndërtohet ai dhe kush ka vullnetin dhe aftësinë për ta ndërtuar atë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *