Sead Zimeri: Mos lësho pe!
Të gjithë shqiptarët, anekënd botës, janë duke i përçjellur votimet në Kosovë dhe me padurim janë duke pritur rezultatet e votimit. Demokracia është e fortë në Kosovë, sigurisht më e forta në rajon. Por për shumicën, mbi të gjitha, kjo zgjedhje është kaq interesante për shkak të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje! që ai udhëheq. Ai është magneti që i tërheq shumicën e shqiptarëve por edhe që i largon një pjesë të madhe të tyre. Nuk ka rrugë të mesme kur është në pyetje Albin Kurti. Ose je me të, ose je kundër tij, ose e do ose e urren. Dëshen apo nuk dëshen kundërshtarët e tij, ai është simboli i politikës mbarëshqiptare, simboli i lirisë si vetëvendosje, i të vetmes formë të lirisë që meriton t’i falet gjithçka.
Lidhja e shqiptarëve me Kurtin shpjegohet në masë të madhe nga e kaluara jonë, nga mënyra se si na kanë trajtuar si mbeturina, si qytetarë më pak se të klasës së dytë, si ajo që serbët na quanin në mënyrë përçmuese “shiptari”. Ne nuk harrojmë, dhe plagët nuk janë shëruar ende. Të qëndrosh prapa Vetëvendosjes është të qëndrosh për veten tënde si subjekt zgjedhjeje, të mos lejosh që askush të të bulizojë deri në nënshtrim. Të paktën kjo është pjesë e arsyes sime për të mbështetur Albin Kurtin.
Dikush mund të kundërshtojë që ne nuk jemi më nën okupimin serb apo maqedonas, dhe kjo është e vërtetë. Por Serbia provokon dhe kërcënon vazhdimisht ekzistencën e Kosovës, dhe shqiptarët në Maqedoni nuk janë ende një popull i lirë, një subjekt i vërtetë politik; ata nuk janë ende përtej stigmës. Ne jemi ende qytetarë të klasës së dytë. Fuqia e simbolizmit është jashtëzakonisht e rëndësishme për të na lejuar të shërohemi, të rifitojmë pavarësinë tonë të vërtetë. Kjo nuk mund të arrihet pa pasur ne mundësinë të shprehim dhe të projektojmë atë pavarësi politikisht. Dhe aktualisht askush nuk mund ta luajë këtë rol më mirë se Kurti.
Shqiptarët e kuptuan mirë nga zgjedhjet e kaluara që partitë tjera nuk janë reformuar mjaftueshëm, që atyre u nevojitet ende kohë të ndryshojnë dhe kësaj radhe populli duhet t’ua plotësojë atë dëshirë. T’u japë edhe 4 vite të tjera që të reformohen. Ato sigurisht i duhen Kosovës, sepse i nevojiten demokracisë, meqë një demokraci e fortë nuk funksionon mirë pa një opozitë të fortë. Askush nuk është i pagabueshëm, dhe askush nuk është mbi mbikëqyrjen e popullit. Por, politika është dhe duhet të jetë aferë për interesat publike, jo ato private.
Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti i vetëm politik në kuptimin e plotë të fjalës, subjekti që është bërë shembull i pazëvendësueshëm i politikës demokratike, dhe shembull që shqiptarët, por edhe kombet tjera në Ballkan, duhet ta ndjekin nëse duan ta përforcojnë demokracinë në vendet e tyre. Subjekt politik nuk bëhesh vetëm duke formuar parti, por duke pasur një vizion dhe duke bërë politikë parimore. Të bësh politikë parimore nuk do të thotë të mos bësh kurrë lëshime, të mos ndryshosh mendje apo të mos korrigjosh gabimet që ke bërë. Do të thotë t’i bësh të gjitha këto, por të mos e humbësh vizionin, të mos e ndryshosh parimin, të mos devijosh nga ideali. Asnjë politikë, sado e suksesshme, nuk është pa provë dhe gabim, pa devijime gjykimi. Por, përderisa çdo gjë bëhet për të mirë të popullit dhe shtetit, ajo politikë e ndërtuar mbi një vizion dhe ideal të qartë meriton mbështetjen tonë.
Kurti nuk ka ndryshuar asgjë në vizionin e tij politik, por ka ndryshuar dhe sigurisht që ka bërë gabime në ekzekutimin e atij vizioni, dhe unë shpesh e kam gjetur veten në mospërputhje të plotë me disa nga vendimet e tij. Por asnjë nga vendimet e tij që unë i kam konsideruar të gabuara, nuk më ka bërë ndonjëherë të mendoj se Albin Kurti ka ndryshuar, se ai më nuk është i njëjti politikan që kërkonte vetëvendosje për shqiptarët. Ai është në këtë pikë i pandryshuar. Madje edhe kur BE-ja i vendosi sanksione ndaj Kosovës, ai nuk lëshoi pe, sepse pikë së pari ato sanksione ishin plotësisht të padrejta, politikisht të motivuara, por edhe sepse kur është në pyetje liria dhe vetëvendosja, asnjë kompromis nuk është i mundur. Por, të qëndrosh stoik në atë stuhi, të mos lëkundesh pavarësisht madhësisë së stuhisë është testi që dëshmoi se Albin Kurti është ai që përherë ka qenë: Vetëvendosje!
Kjo është pika qendrore dhe vetia më e lartë e një udhëheqësi. Por kjo nuk mjafton. Udhëheqësi duhet të bëjë gjykime racionale të sakta, dhe të bëjë vlerësime të drejta dhe të çmojë saktë e drejtë situatën dhe rreziqet, pasojat dhe çmimet që do t’i paguajë. Edhe këtu, Kurti është treguar i mençur, i mprehtë dhe fleksibël kur është e nevojshme. Ja një shembull ku Kurti tregoi që ai është politikisht i përgjegjshëm dhe bën gjykime politike të matura.
Shikojmë situatën në veriun e Mitrovicës. A ia vlente që Kosova të shtrijë sovranitetin e saj atje pavarësisht irritimit të pritshëm të aleatëve dhe kostove konkrete afatshkurtra? Unë besoj që po. Asnjë arritje e madhe politike nuk sigurohet pa një çmim. Besimi se kjo çështje mund të shtyhej pafundësisht ose të zgjidhej përmes gjesteve pa kosto ishte një iluzion. Dialogu me Serbinë ishte në ngërç. Tensionet në Veri ishin reale, jo të imagjinuara, dhe ato po i shkaktonin vendit barrë të vërtetë ekonomike dhe politike. Vonesa nuk ishte neutrale, ajo vetë ishte e kushtueshme.
Zgjedhja, pra, nuk ishte mes rrezikut dhe sigurisë, por mes llojeve të ndryshme të rrezikut. Të veprosh tani nënkuptonte kosto të menjëhershme. Të veprosh më vonë gati me siguri do të kishte nënkuptuar kosto më të larta dhe më të rrezikshme. Vendosja e autoritetit institucional në Mitrovicë nuk do të thotë që të gjitha plagët sociale apo politike janë shëruar, por krijon kushtet në të cilat shërimi është i mundur. Nuk mund të ketë asnjë llogaritje të kuptimtë që e trajton integritetin territorial si një shqetësim të negociueshëm, veçanërisht në një vend ekzistenca e të cilit u sigurua përmes luftës dhe sakrificës.
Kurti pra ka dëshmuar që ai ka edhe guxim edhe mençuri të mjaftueshme për të udhëhequr Kosovën. Mos lësho pe!
