OPINIONTË FUNDIT

“Kurti triumfon, demokracia feston”, Harry Bajraktari lavdëron zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Kosovë

Biznesmeni dhe veprimtari i njohur në SHBA, Harry Bajraktari ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, duke i cilësuar ato si dëshmi të pjekurisë demokratike të shtetit.

Në reagimin e tij ne Facebook, Bajraktari ka përgëzuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe kulturën e treguar gjatë procesit zgjedhor, ka uruar fituesit e zgjedhjeve dhe ka theksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve të qëndrueshme, duke vënë theks të veçantë në forcimin e demokracisë, ekonomisë dhe orientimin euroatlantik të Kosovës, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Kosova sot dëshmoi edhe një herë se është një shtet i pjekur demokratik. Zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në mënyrë të lirë dhe të ndershme, me rezultate të shpejta të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve brenda pak orësh. Kjo është dëshmi e qartë se Kosova është ndër vendet më demokratike në rajon — një arritje që meriton respekt dhe vlerësim.

Popullin e Kosovës e përgëzoj për pjesëmarrjen dhe për kulturën që ka treguar gjatë këtij procesi zgjedhor, një tregues i përkushtimit ndaj demokracisë.

E uroj Kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në këto zgjedhje. Po ashtu, i përgëzoj edhe PDK-në, LDK-në dhe AAK-në për një garë korrekte dhe për respektimin e vullnetit të qytetarëve. Kur zgjedhjet janë të ndershme, fiton demokracia, fiton populli dhe fiton Kosova.

Tani është koha për të ecur përpara me shpejtësi dhe përgjegjësi. Kosova ka nevojë urgjente për institucione të qëndrueshme dhe funksionale. Nuk kemi kohë për të humbur. Prioritet duhet të jetë krijimi i një qeverie stabile në funksion të qytetarëve dhe interesit shtetëror.

Përfaqësuesit e rinj në Kuvend dhe qeveria e re duhet të fokusohen në synimet madhore të vendit: forcimin e ekonomisë, mbrojtjen e Kosovës, ndërtimin e kapaciteteve shtetërore dhe avancimin drejt anëtarësimit në NATO. Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të mbetet shtylla kryesore e politikës sonë të jashtme dhe të sigurisë.

Kosova ka dëshmuar se di të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Tani duhet të ecim përpara me qeverisje të mirë, me unitet dhe vizion për të ardhmen euroatlantike të vendit. 🇺🇸🇺🇸

Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë popullin shqiptar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *