TË FUNDIT

Kryetarja e Ranillugut intervistohet nën dyshimin se ushtroi ndikim te votuesit për të votuar sipas udhëzimeve të saj

Kryetarja e Komunës së Ranillugut, Tanja Antiq, është intervistuar nën dyshimin se ushtroi ndikim te votuesit për votim sipas udhëzimeve të saj.

Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjilanit.

“Me datën 28.12.2025, përmes rrugëve operative kemi pranuar informacion se anëtarja e kryesisë së forumit të gruas nga partia Lista Serbe dhe aktualisht Kryetare e Komunës së Ranillugut, dyshohet se përmes anëtarëve të Komisionit Komunal zgjedhor të kësaj partie në komunën e Ranillugut ka ushtruar ndikim tek votuesit e pa përcaktuar ose votuesit e subjekteve të tjera. Të njëjtit dyshohet se janë kanosur për ndërprerje të benifiteve të cilat këta qytetar i përfitojnë nga shteti i Serbisë, në rast të mos votimit sipas udhëzimeve”, tha Hashani.

E dyshuara është intervistuar dhe ndaj saj është iniciuar rasti “Cenimi i fshehtësisë së votimit”.

“E dyshuara është shoqëruar në ambientet e hetimeve rajonale dhe intervistuar në prezencën e avokatit me qëllimi të verifikimit të informacioneve dhe sqarimit të rrethanave. Pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është liruar, ndërsa rasti “Cenim i fshehtësisë së votimit” do vazhdoj të hetohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore”, tha Hashani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *