Dumani në Kosovë, drejtësia në sprovë: Kërkohet reformë e thellë antikorrupsion
Vizita e ish-kreut të SPAK-ut të Shqipërisë, Altin Dumani, në Kosovë, me ftesë të Ambasadës Britanike, ka rikthyer fuqishëm në vëmendje dështimin e sistemit kosovar të drejtësisë për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.
Ndryshe nga Shqipëria, ku SPAK-u ka goditur figura të nivelit më të lartë shtetëror, në Kosovë, edhe pas më shumë se 25 vitesh, drejtësia vazhdon të shihet si e kapur nga politika dhe e pafuqishme përballë mafies institucionale.
Vizita e Altin Dumanit në Kosovë, përtej debatit publik që ka nxitur, ka rihapur edhe një herë pyetjen kyçe: a është Kosova e gatshme për një drejtësi që godet të fuqishmit?
Qarri: Angazhimi i Altin Dumanit nuk është rastësi
Analisti politik Gani Qarri vlerëson se kontrasti mes veprimeve të SPAK-ut dhe realitetit nw Kosovw është alarmues.
ImageGani QarriFoto galeri
Sipas tij, fakti që në Shqipëri arrestohen ish-presidentë, ministra, kryetarë bashkish dhe zëvendëskryeministra në detyrë, ndërsa në Kosovë drejtësia nuk ka dënuar asnjë funksionar të lartë shtetëror, është dëshmi e një sistemi drejtësie tërësisht të dështuar.
“Kur në Kosovë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, pa asnjë shpjegim publik, heq aktakuzën ndaj Millan Radojçiqit, ndërsa në Shqipëri SPAK-u arreston figura kyçe të pushtetit, kjo flet për një drejtësi të kapur këmbë e kokë nga mafiopolitika dhe krimi i organizuar”, shprehet Qarri.
Ai thekson se pas vendimit historik të presidentit amerikan Donald Trump për përfshirjen e Kosovës në Ligjin për Politikën e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-ve, riafirmimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe hedhjen poshtë të çdo ideje për ndarje territoriale, është bërë e qartë se SHBA-të kërkojnë një Kosovë jo vetëm të sigurt politikisht, por edhe funksionale ligjërisht.
“Angazhimi i Altin Dumanit nuk është rastësi. Ai vjen si kërkesë e drejtpërdrejtë e SHBA-ve për ndërtimin e një shteti real të së drejtës në Kosovë. Një drejtësi e fortë është kusht themelor për shtetndërtim”, vlerëson Qarri.
Sipas tij, edhe partnerët ndërkombëtarë janë bindur tashmë se me një Prokurori Speciale të kapur dhe me një Këshill Prokurorial jofunksional, ku merren vendime kundërligjore edhe pa kuorum, Kosova nuk mund të ketë as sundim të ligjit, as procese gjyqësore normale.
Qarri thekson se përfshirja e Dumanit në procesin e reformës në drejtësi mund të shënojë një kthesë historike për Kosovën, por vetëm nëse ai ka kompetenca reale dhe jo rol simbolik.
“Altin Dumani ka dëshmuar se është në gjendje të arrestojë edhe figurat më të fuqishme politike. Por nëse ai mbetet vetëm ‘këshilltar’, përballë një rrjeti të gjerë mafioz dhe të rrënjosur prej vitesh, nuk mund të bëjë pothuajse asgjë”, shprehet Qarri.
“Besimi i qytetarëve në drejtësi është në rënie të lirë dhe se vetëm një mekanizëm i ngjashëm me SPAK-un, i fokusuar në korrupsionin e nivelit të lartë, konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe zbardhjen e krimeve të pasluftës, mund ta rikthejë këtë besim”, përfundon analisti Gani Qarri.
Burjani: Vendorët nuk mund ta luftojnë korrupsionin
Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Blerim Burjani, shprehet skeptik për vullnetin e brendshëm politik për luftimin e korrupsionit.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
Sipas tij, deri më tani nuk ka asnjë sinjal serioz se në Kosovë do të luftohen krimi politik, nepotizmi, ryshfeti, konflikti i interesit dhe tenderizmi.
“Vendorët nuk mund ta luftojnë korrupsionin. Kosova ka nevojë për një ligj të veçantë për një task-forcë kundër korrupsionit, të votuar në Kuvend, me gjyqtarë ndërkombëtarë dhe prokurorë nga BE-ja dhe SHBA-të”, thekson Burjani.
Sipas tij, vetëm një mekanizëm i tillë, me mbikëqyrje dhe autoritet ndërkombëtar, mund të përballet realisht me korrupsionin e rrënjosur thellë në strukturat shtetërore të Kosovës.
