OPINIONTË FUNDIT

Pas bllokadës 9-mujore, politika “ndërron fytyrë” – Analistët tregojnë arsyet

Viti 2025 ka nisur me zhvillime intensive politike, të shoqëruara me fushata zgjedhore për zgjedhjen e kryeministrit të Kosovës dhe formimin e Qeverisë së re, por edhe ashtu do të përfundojë. Ndonëse procesi zgjedhor i 9 shkurtit u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa incidente të theksuara, vendi u përball për muaj me radhë me pamundësinë për të ndërtuar institucionet e reja.

Pavarësisht mbajtjes së seancave të njëpasnjëshme parlamentare, mungesa e konsensusit ndërmjet subjekteve politike bëri që Kuvendi të mbetej i bllokuar, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kjo situatë politike u reflektua edhe në vetë fushatën e 9 shkurtit, e cila u karakterizua nga një klimë e ashpër politike, me akuza dhe kundërakuza të vazhdueshme ndërmjet partive.

Në anën tjetër, fushata që po zhvillohet për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 po vlerësohet nga analistët politikë si dukshëm më e qetë dhe më e përmbajtur në krahasim me fushatat e mëparshme. Toni i komunikimit politik ka ndryshuar, duke reflektuar një nivel më të lartë përgjegjësie dhe vetëpërmbajtjeje nga ana e subjekteve politike.

Sipas analistëve politikë, përvoja e vakumeve institucionale, bllokadave politike dhe rrezikimit të funksionimit të shtetit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka ndikuar në një vetëdijesim më të madh të klasës politike.

Majkovci: Diskursi politik pas 9 shkurtit po zbutet gradualisht

Politologu Fahredin Majkovci, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se fushata u zhvillua në një kontekst të veçantë politik, si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe pamundësisë për konsensus institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

ImageFahredin Majkovci
Sipas tij, kjo u reflektua në një fushatë të fokusuar më shumë në pozicionime taktike dhe bashkëpunim paszgjedhor, sesa në programe konkrete, duke lënë në plan të dytë temat kyçe.

“Kjo fushatë u zhvillua në një kontekst të veçantë politik, pasi zgjedhjet erdhën si pasojë e një niveli të ulët bashkëpunimi ndërmjet subjekteve politike dhe pamundësisë për të ndërtuar konsensus institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kjo situatë është reflektuar edhe në vetë fushatën, e cila u karakterizua më shumë nga pozicionime taktike dhe përpjekje për të ndërtuar ura bashkëpunimi pas zgjedhjeve, sesa nga shpalosje e qartë programore. Temat kyçe si ekonomia, shëndetësia, arsimi, drejtësia dhe politika e jashtme mbetën në plan të dytë.

Thënë me pak fjalë, këto zgjedhje, më shumë se një garë e zakonshme elektorale, përfaqësojnë një moment reflektimi për klasën politike mbi nevojën e rikthimit të dialogut, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë institucionale pas përfundimit të procesit zgjedhor”, ka thënë ai.

Tutje, Majkovci ka thënë se diskursi politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit është zbutur ndjeshëm, si rezultat i përvojave me vakumet institucionale të viteve 2014 dhe 2025, të cilat kanë ndikuar në një vetëdijesim më të madh të klasës politike.

“Diskursi politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit është dukshëm më i zbutur. Ky ndryshim nuk është i rastësishëm, por lidhet drejtpërdrejt me përvojat e vakumeve institucionale, veçanërisht ato të viteve 2014 dhe 2025, të cilat kanë shërbyer si mësim politik për partitë.

Në gjykimin tim, këto periudha kanë ndikuar në një vetëdijesim më të madh të klasës politike për mënyrën e artikulimit të qëndrimeve kundër njëra-tjetrës. Gjuha përjashtuese dhe polarizuese e së kaluarës po zëvendësohet gradualisht me një komunikim më të matur.

Polarizimet e theksuara të së kaluarës po zbehen ngadalë dhe, le të shpresojmë, politika në Kosovë po hyn në një fazë të re të politikëbërjes, e cila në horizont paraqet një bashkëpunim më të madh ndërmjet partive politike.

Klima aktuale e retorikës së klasës politike lë shpresë se në fillim të muajit shkurt të vitit që po hymë, vendi do të ketë një qeveri të re. Një bashkëpunim i mundshëm ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të shënojë jo vetëm një kompromis politik, por edhe një hap përpara drejt normalizimit të jetës politike në vend”, është shprehur Majkovci.

Qarri vlerëson ndryshimin e diskursit politik pas zgjedhjeve të përsëritura

Analisti politik, Gani Qarri, ka thënë se zgjedhjet e reja parlamentare ishin të panevojshme, pasi ato të 9 shkurtit u mbajtën tashmë, por u imponuan nga bllokada e opozitës që rrezikoi funksionimin e shtetit dhe humbjen e ndihmave ndërkombëtare.

ImageGani Qarri
Ai ka vlerësuar se fushata aktuale është më e qetë dhe më e përmbajtur se më parë, gjë që është pozitive duke pasur parasysh tensionet politike dhe kërcënimet e sigurisë ndaj Kosovës.

“Në fakt këto janë zgjedhjet e katërta me radhë, që po mbahen brenda 11 muajve, të vitit që po e lëmë pas, të cilat sidomos këto të fundit, nuk kishte kurrfarë nevoje as të mbaheshin, pasi që zgjedhjet parlamentare Kosova i mbajti më 9 shkurt të këtij viti, por bllokada e inskenuar nga opozita, e cila nuk e votoi as buxhetin e vendit për vitin 2026, si dhe nuk miratoi as marrëveshjet ndërkombëtare, duke rrezikuar edhe funksionalitetin e shtetit dhe quar në humbjen e qindra miliona eurove ndihma nga BE dhe Banka Ndërkombëtare, të ndara për Kosovën, e bëri të patejkalueshme përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare, fushata e të cilave, tanimë po shkon drejt fundit.

Për fat të mirë, përkundër tensioneve mbi 9 mujore ndërpartiake, pas ndërrimit të kryetarit të PDK-së, fushata aktuale, krahasuar me ato të zgjedhjeve të kaluara, është dukshëm më e përmbajtur në deklarime dhe po zhvillohet shumë me ton më të qetë se që ishte menduar.

Dhe duke pasur parasysh problemet që veçanërisht nga viti 2023, kanë vazhduar njëra pas tjetrës, duke eskaluar më 24 shtator të vitit 2023, deri te sulmi i armatosur i grupit të kryeterroristit Millan Radojçiq në Banjë të Zveçanit, me ç`rast edhe u vra në detyrë rreshteri i Policisë, tani hero i Kosovës Afrim Bunjaku, pastaj sulmi terrorist më 29 nëntor 2024 në kanalin Ibër Lepencë, zbulimi gati i përditshëm i armëve dhe municioneve në veri si dhe informatat publike, se Serbia kishte planifikuar dhe planifikon edhe sulme të reja kundër integritetit territorial të shtetit të Kosovës, toni i matur në fushatë duhet vlerësuar lartë dhe kërkuar që të vazhdojë deri në fund, sepse vetëm në këtë mënyrë vetkrijohen mundësit optimale, që pas përfundimit të votimeve, në rast nevoje edhe krijimi i koalicioneve të jetë më i mundshëm dhe të mos përsëritet torturimi i qytetarëve dhe shtetit të Kosovës me gjendjen e 9 muajve, të kaluar, që nuk dha asnjë rezultat”, ka shpjeguar ai.

Po ashtu, Qarri ka përmendur zbutjen e diskursit politik dhe ka kërkuar që ai të mbetet bashkëpunues deri në fund, veçanërisht mes partive shqiptare, si faktorë kyç për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.

“Shto kësaj faktin se Serbia, në vazhdimësi i ofron mbështetje të gjithanshme dorës së vet të zgjatur në Kosovë, të ashtuquajturës “listës serbe”, duke ndërhy brutalisht edhe në fushatat zgjedhore, si dhe angazhohet si shtet, për votim të organizuar të personave të ashtuquajtur të “zhvendosur” nga Kosova, si në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ashtu edhe në zgjedhjet lokale në tetor dhe balotazhin në nëntor të këtij vitit, partitë shqiptare, pas 9 muajsh mospajtime për ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit, duke iu drejtuar, disa herë edhe Gjykatës Kushtetuese, duhet të jenë të ngopur dhe vetëdijesuar përfundimisht se Kosova nuk e ka luksin, që gjendja serish të përsëritet, e cila edhe pas më tepër se 9 muajve ngërçe e bllokada nuk ofroi rrugëdalje dhe qoi vendin në përsëritjen e zgjedhjeve.

Kështu që zbutja e diskursit politik në krahasim me fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurti, duhet përshëndetur nga të gjithë dhe inkurajuar partitë politike, për mbajtjen e këtij diskursi deri në fund, i cili duhet të jetë edhe më përafrues, veçanërisht ndërmjet segmenteve politike shqiptare, të cilat edhe janë forca dominuese dhe faktori vendimtar për krijimin e Kuvendit, Qeverisë së re dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, ka theksuar ai.

Në fund, Qarri ka shtuar se partitë politike shqiptare duhet të bashkëpunojnë më ngushtë dhe të veprojnë të bashkuara përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme të vendit.

“Partitë politike shqiptare, përfundimisht duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me njëra tjetrën dhe medoemos të jenë më unike në veprimet e tyre kryesore, ngase vendi përballet me shumë sfida të brendshme e të jashtme dhe të përqendrohen bashkërisht në ruajtjen e sigurisë, me theks të veçantë në veri të vendit, përshpejtimin e zhvillimit ekonomik gjithandej Kosovës dhe votimin e përbashkët të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat mund të arrihen vetëm duke qenë unike dhe të bashkuara, veçanërisht në çështjet madhore dhe interesat e patjetërsueshme të shtetit të Kosovës, nga siguria e zhvillimi ekonomik, deri te qëndrueshmëria financiare e stabiliteti politik, si kusht për rrugëtim të suksesshëm të Republikës së Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, anëtarësimit në NATO pasi që Kosovës me vendimin më të ri të Kongresit amerikan, i është hapur edhe një mundësi më shumë, si dhe organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare, deri te pranimi i vendit tonë si shtet i pavarur e me të drejta të plota në OKB, që duhet të jetë synimi kryesor i të gjitha segmenteve politike, pa dallime partiake”, ka përfunduar Qarri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *