28 dhjetori si test shtetëror: A do ta nxjerrë vota Kosovën nga bllokada politike?
Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor në Kosovë po shihen si një moment kyç për daljen nga kriza e thellë politike dhe institucionale që ka karakterizuar vendin gjatë periudhës së fundit. Pas muajsh bllokade, përplasje politike dhe mungese konsensusi, vota qytetare po shihet si mekanizmi i vetëm për të prodhuar një zgjidhje, ndonëse jo pa rreziqe.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë produkt i një vizioni të qartë qeverisës, por pasojë e drejtpërdrejtë e një bllokade politike.
“Së pari duhet thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit vijnë më shumë si pasojë e një bllokade politike sesa si rezultat i një vizioni të qartë për qeverisje. Ato janë, në thelb, një përpjekje për ta zgjidhur përmes votës një krizë që politika nuk arriti ta menaxhojë përmes dialogut dhe kompromisit institucional”, shprehet Voca.
ImageMirsad VocaFoto galeri
Sipas tij, kjo ua shton peshën zgjedhjeve, por njëkohësisht rrit rrezikun që ato të prodhojnë sërish një rezultat të paqartë.
“Kjo situatë rrit rrezikun që zgjedhjet të prodhojnë përsëri një rezultat të paqartë, nëse vota qytetare nuk artikulohet qartë”, thekson ai.
Voca nënvizon se pas 28 dhjetorit, Kosova ka nevojë urgjente për një minimum uniteti politik, jo në formën e një qeverie gjithëpërfshirëse, por përmes ndërtimit të një konsensusi bazik mbi interesat shtetërore.
“Ky unitet ka munguar për një kohë të gjatë dhe mungesa e tij ka dobësuar institucionet, ka thelluar polarizimin politik dhe ka reduktuar kapacitetin e Kosovës për të vepruar si subjekt serioz në arenën ndërkombëtare”, vlerëson ai.
Sipas Vocës, pa një marrëveshje minimale mbi prioritetet kombëtare, çdo qeveri e ardhshme rrezikon të mbetet funksionalisht e kufizuar.
Duke folur për sfidat që e presin Kosovën pas zgjedhjeve, ai paralajmëron se viti 2026 do të jetë veçanërisht i ndërlikuar në disa plane.
“Në planin e brendshëm, prioritet mbetet forcimi i sundimit të ligjit dhe çlirimi real i institucioneve nga trashëgimitë e tranzicionit. Në planin politik, stabiliteti qeverisës dhe kapërcimi i ciklit të krizave do të jenë vendimtare”, shprehet Voca.
Ai shton se edhe në planin e jashtëm, Kosova do të përballet me sfida serioze.
“Kosova do të duhet të vazhdojë të konsolidojë besimin e partnerëve ndërkombëtarë, të avancojë integrimin evropian dhe të menaxhojë një ambient rajonal ende të paqartë”, thekson ai.
Në fund, Voca vlerëson se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk duhet parë si qëllim në vetvete.
“Ato kanë kuptim vetëm nëse prodhojnë një klasë politike më të përgjegjshme, të aftë për bashkëpunim institucional dhe për vendime që i shërbejnë shtetit përtej interesave afatshkurtra partiake. Pa këtë ndryshim qasjeje, edhe viti 2026 rrezikon të jetë vazhdim i pasigurive të tanishme, e jo një hap drejt konsolidimit të shtetit”, përfundon Voca për “Bota sot”.
