Hafiz Shala: Fshehurazi me francezët e “hapur me Amerikën”
Fliste me Amerikën dhe, në anën tjetër, lidhte aleanca me francezët; qëllimi ishte ndarja e veriut. U bë anëtar i shërbimit inteligjent francez DGSE, me shefin e kësaj inteligjence, çka e konfirmuan vetë ata: Arnaud Danjean (i martuar me serbe) dhe ministër i shërbimit inteligjent francez, Pierre Siramy. Prandaj, atë ditë veriu u nda dhe popullatës shqiptare iu ndalua kthimi në shtëpitë dhe pronat e tyre në veri.
Në vitin 2004 u mbytën tre fëmijë, pasi serbët e veriut ua ndërsyen qentë, duke i detyruar të hidhen në lumin Ibër, ku humbën jetën në mënyrën më mizore, para ushtarëve të KFOR-it francez. Këta, sipas Marrëveshjes së Kumanovës, me gjeneralin Jackson, sipas urdhrit të politikës franceze, e kushtëzuan pjesëmarrjen në misionin e KFOR-it vetëm nëse caktoheshin në pjesën veriore të Mitrovicës. Ashtu ndodhi dhe ashtu Mitrovica u nda, gjë që e deklaroi vetë Thaçi, aleati i sinqertë francez, kur tha:
“Fatkeqësisht, veriu i Mitrovicës është i ndarë.”
Po ashtu, kur amerikanët deshën t’i bashkëngjiteshin shtabit për të ndihmuar, Thaçi u kishte premtuar se brenda dy ditësh do t’i lajmëronte. Pas dy ditësh u tha se nuk kishte nevojë. Në të vërtetë, shërbimi inteligjent francez ishte aty i instaluar, i cili si hije i ka përcjellë pa u ndarë edhe në Rambuje.
Dëmet që ky njeri i ka bërë Dardanisë (Kosovës), pa marrë parasysh epilogun e Hagës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë shtetërore, e cila do të duhej t’u shërbente gjeneratave të reja si shembull se si nuk duhet të luhet me fatin e shtetit dhe të popullit, çka në një mënyrë është akt tradhtie dhe shitje e interesave të vendit.
Në një vlerësim zyrtar, apo më së miri në Parlament, do të duhej të bëhej një debat si organi më i lartë shtetëror, i cili do të nxirrte konkluzione që do t’u shërbenin pretendentëve të ardhshëm për çfarëdo pozite të lartë shtetërore. Duke pasur parasysh një shembull të tillë antishtetëror, duhet të kalohet nëpër të gjitha filtrat politikë dhe moralë për t’ia dhënë besimin për të drejtuar vendin.
Askush nuk mund të thirret në “argumente falso”, duke keqpërdorur tri germa të arta – UÇK-në – duke u paraqitur herë si luftëtar i vijave të para të frontit, herë si pjesëmarrës që nuk ka marrë pjesë në luftë dhe, përfundimisht, si drejtor politik.
Ndërprerja e udhëtimit të tij për në Washington DC për nënshkrimin e marrëveshjes së dëmshme ishte akti i fundit para vendimit fatal për Dardaninë (Kosovën), përderisa kjo zonjë ishte aktore e rëndësishme në lobimin pro-Serbi dhe anti-Dardani, si dhe lidhjet e saj politike me njerëz të pushtetit të atëhershëm të Serbisë. Kjo vërtetohet edhe përmes vizitës së parë të po kësaj zonje në Beograd, menjëherë pas pavarësisë, dhe përqafimeve miqësore që vërehen edhe përmes video-incizimeve.
Shtrohet pyetja shumë e thjeshtë: ku do të ishim sot sikur Albin Kurti të mos e kishte çliruar veriun dhe të mos i kishte përzënë grupet kriminale terroriste, të cilat sipas urdhrave të Vuçiqit sulmuan shtetin sovran për ta aneksuar me dhunë, të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, i afërt me ish-udhëheqësit shtetërorë, të cilët në zyrat e tyre kishin njerëz të BIA-s? Mund ta paramendoni se ku ishte sekreti shtetëror dhe ku ishte shërbimi inteligjent dardan – AKI – që ishte i kontrolluar apo bashkëpunonte me BIA-n serbe.
Nuk mund të lejohet që gjërat të kalojnë në heshtje, sepse do të na kushtojnë shtrenjtë gjatë transformimit dhe konsolidimit në një shtet normal dhe funksional, dhe njëherësh t’u ndalet hovin analfabetëve politikë të vendosen në poste për të cilat nuk janë as përafërsisht të kualifikuar për t’i kryer ato detyra me përgjegjësi të lartë.
Populli thotë:
“Një kafshatë që nuk je në gjendje ta përtypësh e ta përpish, mos e konsumo, se të mbetet në fyt.”
Tani po ndodh një fenomen i trishtë nga opozita dhe forcat e tjera armiqësore, të cilat janë bashkuar të gjitha kundër Albin Kurtit, për ta penguar me të gjitha mënyrat dhe metodat, duke deklaruar se kurrë më nuk do të bëhet kryeministër, nga frika se ai do t’ua zbulojë të bëmat e tyre hajdute e kriminale, lojërat me pjesë të territorit të Dardanisë në radhë të parë dhe konfiskimin e pasurisë së vjedhur.
Shembull është përdorimi i metodave diverzante, si ndalja e organizuar e rrymës për qytetarët në kohë dimri, pikërisht gjatë fushatës, për ta akuzuar Kurtin si fajtorin kryesor për ndërprerjen e energjisë. Ekziston rreziku edhe i konflikteve në baza partiake, sërish për ta fajësuar Kurtin për këtë “gjendje kaotike”, sepse, siç po shihet, ai gëzon përkrahje të madhe nga populli, me theks të veçantë nga diaspora, dhe vetëm përmes vjedhjes industriale të votave mund të dëmtohet.
Organet e sigurisë, AKI-ja dhe Prokuroria e Shtetit, duhet të ndërmarrin masa të nevojshme sigurie, sepse ata që janë të zhytur në këto afera, për t’i shpëtuar përgjegjësisë, janë në gjendje të ndërmarrin hapa drastikë dhe të rrezikshëm për të dështuar edhe këto zgjedhje.
Kurrë zgjedhje më të rrezikshme se këto të 28 dhjetorit të këtij viti nuk ka pasur.
Arsyeja është se janë të zhytur thellë në akte hajnie, tradhtie dhe mercenarizmi, apo bashkëpunimi me armikun tonë, Serbinë, si rezultat i shantazhimit.
