Trump mbylli ‘pazaret’ për Kosovën, as ndarje, as shkëmbim territoresh – Zeqiraj ‘shpërthen’ ndaj Ramës, Vuçiqit dhe Grenellit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026, një paketë buxhetore rekord prej 901 miliardë dollarësh. Ky ligj, përveç çështjeve të sigurisë globale, përfshin edhe dispozita specifike që lidhen me Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ligji riafirmon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të bazuar në njohjen reciproke, duke përjashtuar qartë çdo opsion që synon shkëmbime territoriale, ndarje apo rishikim të kufijve mbi baza etnike si zgjidhje për mosmarrëveshjet rajonale.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Ai e mirëpriti këtë ligj të ri, derisa tha se kjo është një risi unike, e që garanton sovranitetin e shteteve më të vogla dhe shteteve që janë në rrezik nga shtetet fqinje.
“Nënshkrimi i ligjit federal nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, është risia më unike në historinë e të gjitha kohërave. Në veçanti, vlerë shtesë merr për garantimin e shteteve dhe të popujve të vegjël, të cilët kanë nevojë për mbështetjen dhe mbrojtjen e shteteve, nga shtetet diktatoriale dhe me pretendime pushtuese të fqinjëve të tyre. Shembull konkret është Serbia agresore, e cila, i lakmon Rusisë ekspansioniste, për krijimin e “botës ruse”. Qëllime identike ka edhe Serbia, me sloganet për “Serbinë e Madhe” dhe “botën serbe”!”.
ImageIdriz Zeqiraj.Foto galeri
Krahas kësaj, Zeqiraj përmendi edhe pretendimet e orekset e Serbisë ndaj Kosovës dhe territoreve tona.
Mirëpo, ai theksoi se me ligjin e ri të Trump, këto ‘ëndrra’ të Beogradit marrin fund.
“Serbia me orekset e saj pushtuese, pretendon aneksime të territoreve jashtë kufijve të saj shtetëror ku jetojnë serbët, me sloganin e njohur, të trashëguar nga etërit e saj racistë, se “Vetëm bashkimi i serbëve shpëton Serbinë”, kërcënon Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Dhe, në këto ëndërrime pushtuese, frymëzimin e merr nga Rusia edhe shpresat i mbështetë tek fuqia e saj ushtarake.
Ligji federal amerikan përfshinë garancitë parësore për Kosovën, në kuadrin e Ballakanit:
1) Nuk lejohet ndryshim kufijsh në rajon;
2) Nuk lejohet ndarja e shteteve mbi baza etnike;
3) Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të rezultojë me njohje reciproke;
4) Zgjerimi i NATO-s në Ballkan, do të vazhdojë edhe me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike”.
Po ashtu, veprimtari nga Gjermani theksoi se me kete vendim, Trump goditi edhe politikanët shqiptarë që synonin ndarjen e Kosovës.
Madje, tha se kjo është një përgjigje edhe për Grenellin, Ramën, Vuçiqin dhe për disa zyrtarë të PAN-it.
“Me ligjin e nënshkruar nga presidenti Trump për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, paralajmërohen diktatorët dhe “pazarxhinjtë pa hanxhinë”, që nga kërkesat e Thaçit, Ramës, Vuçiqit, të bërë shefit të Sigurisë amerikane, Bolton, që kishin për qëllim, nën maskën e “Shkëmbimit të territoreve”, të realizohej ndarja e Kosovës, në këmbim të lirisë personale të Hashim Thaçit. Përgjigjia e Bolton ishte aprovuese: “Administrata amerikane pajtohet, sido që të bini dakord ju”! Por, Trump e akuzoi vartësin e tij se “ka dashtë ta ndajë Kosovën prapa shpinës time” dhe e shkarkoi atë”.
Me ligjin në fjalë presidenti Trump u jep përgjigjen ultimative, që nga Grenelli i tij, argatëve të Hashimit në kryesinë e PDK-së dhe PANI-istët tjerë; Edvin Ramës, Vuçiqit me Serbinë e tij dhe Putinit me Rusinë e tij. Në ketë rreth destruktiv bënë pjesë edhe BE-ja, e cila përmes përfaqësuesve të saj që nga Mogherini, Borrell e Lajçak, por edhe të disa emisarë amerikanë, kanë mbështetur dhe përkëdhelur zëdhënësin e Millosheviqit, racistin Aleksander Vuçiq”.
Në fund, Zeqiraj përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi, e për të cilin tha se tani do reduktohet vetëm në njohje të ndërsjelltë dhe do përjashtohen lojërat e ndyta të presidentit serb.
Megjithatë, ai kishte edhe një paralajmërim sa i përket themelimit të Asociacionit.
“Me nënshkrimin e ligjit të ri të Trumpit, po konsiderohet si forcë politike, sigurie dhe gjeostrategjike. Madje nuk është deklaratë e thjeshtë, por lëndëzohet me garanci ligjore federale. Dialogu nuk ka më hamendësime, bien poshtë draft-statutet e BE-së, Macronn-Scholz, Escobar dhe të tjerë. Hapësira e dialogut reduktohet me përfundimin e procesit për njohjen reciproke. Përjashtohet mundësia e lojërave të ndyra të Vuiqit për dialog në zyre dhe provokime e tensione në veriun e Kosovës.
Ligji fedaral i Trump besoj se do të lehtësojë çështjen e krijimit të Asociacionit, i cili i rrinë mbi qafë “si shpatë e Demokleut” popullit të Kosovës për 10 vjet radhazi.. Bazuar në atë që i ndodhi Bosnjes, me Asociacionin e 14 komunave serbe, prej nga lindi “Republika Srpska” atje dhe entusiazmin që treguan serbët e Ballkanit, duke festuar krijimin e “Republlika Srpska” të dytë në Ballkan. Personalitete amerikane, evropiane dhe botërore, e këshillojnë Kosovën të mois krijojë asnjë lloj Asociacioni, qoftë me apo pa kompetenca, sepse është kancer për Kosovën. Asociacionet ligjore janë vetëm ai i tipit që e ka Kosova aktualisht”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.
