Njofton Kurti: FSK-ja pajiset me sistemin raketor gjerman Panzerfaust 3 – VIDEO
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me sistemin raketor antitank gjerman Panzerfaust 3, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Sipas Kurtit, gjatë mandatit aktual, Ministria e Mbrojtjes ka realizuar disa investime strategjike, ndër to edhe blerjen e këtij sistemi modern antitank, i cili konsiderohet një nga më të avancuarit dhe më të besueshmit në botë dhe që përdoret gjerësisht nga ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s.
“Sistemi raketor antitank gjerman Panzerfaust 3 tashmë është pjesë e arsenalit mbrojtës të FSK-së”, ka theksuar Kurti, duke nënvizuar se ky investim rrit ndjeshëm aftësitë mbrojtëse dhe operacionale të forcave të sigurisë së Kosovës.
Kryeministri ka shtuar se investimet në mbrojtje nuk janë të orientuara drejt konfliktit, por përkundrazi, janë investime në paqen, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke garantuar siguri afatgjate për qytetarët dhe shtetin.
