Mediat në Serbi dezinformojnë për forcimin legjitim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës
Mediat proqeveritare dhe tabloidet në Serbi po zhvillojnë një fushatë dezinformuese, duke e paraqitur furnizimin e Kosovës me sistemin kundërtank “Panzerfaust 3” si kërcënim për paqen në rajon, si pjesë të projektit të ashtuquajtur “Shqipëria e Madhe”, si akt agresioni ndaj “serbëve dhe Serbisë”, si dhe si “armatim të paligjshëm”.
Çfarë shkruajnë mediat në Serbi – Telegraf, Blic, Sputnik Serbia, Pravda, RT Balkan?
Në raportimet e tyre, media si Telegraf, Blic, Sputnik Srbija, Pravda dhe RT Balkan përdorin tituj dhe gjuhë sensacionaliste.
Disa prej tyre flasin për “goditje të re të Gjermanisë” dhe për “armë të rrezikshme që po i vijnë Prishtinës”, duke e paraqitur bashkëpunimin e Kosovës me partnerët perëndimorë si faktor destabilizues për rajonin.
Ndërsa Kosova, si shtet sovran dhe i pavarur, vazhdon të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse në bashkëpunim me partnerë kyç të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, në Serbi është aktivizuar një retorikë agresive mediatike që synon delegjitimimin e këtij procesi.
