Pse aleatët i rikthehen marrëdhënieve të mira me Kosovën?!
Nëse krahasojmë situatën e vitit 2023 me atë të sotmen në Kosovë sa i përket marrëdhënieve me aleatët, atëherë duhen vënë re disa dallime thelbësore:
Së pari në vitin 2023 thuajse çdo javë kishte një grindje e mospajtim midis qeverisë Kurti dhe një ose disa faktorëve perendimorë. Sidomos ambasadorët e QUINT-it mblidheshin mbas çdo aksioni të qeverisë dhe policisë së Kosovës në veri të vendit dhe i kritikonin ato aksione për vendosjen e sovranitetit shtetëror në vend. Ka muaj që QUINT-it po i harrohet emri dhe ambasadorët e këtyre pesë vendeve nuk mblidhen më për “t’i treguar muskujt” qeverisë në detyrë të Albin Kurtit. Çfarë ka ndryshuar? E kemi thënë asokohe se kritikat dhe qortimet bëheshin për ta josh Aleksandër Vuçiq në orientimin drejt NATO-s dhe BE-së. Por kjo lojë diplomatike, koston e së cilës e pagoi Kosova, nuk funksionoi. Përfundimisht Aleksandër Vuçiq nuk ndryshon. Eshtë ai snajperisti i Sarajevës dhe ende vazhdon të nxisë luftëra e genocid kundër popujve të tjerë jo serbë. Madje u tregon dhëmbët e kriminelit ordiner edhe vetë serbëve. Ndaj Perendimi ndryshoi qasje!
Së dyti, në vitin 2023 disa vende të BE-së dhe diplomatët amerikanë ishin shumë kritikë ndaj Albin Kurtin. Thonin se Kurti po destabilizon Kosovën e madje rajonin, duke mos rekorduar me ndërkombëtarët, aleatë të Kosovës. Në fakt aleatët asokohe ishin kategorikisht kundër çdo hapi që Kurti ndërmori për të rikthyer autoritetin e shtetit në katër komunat e veriut. Jo vetëm thanë se Kurti “është kokëfortë”, por me këtë arsyetim vendosën masa shtrënguese kundër Kosovës. Tani erdhi koha që këto masa të hiqen. Çfarë ndryshoi? Thjesht kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri u rikthyen në sistemin institucional të Kosovës. Ata që ikën vetë, erdhën gjithashtu vetë. Kurti nuk kishte asnjë rol as në ikjen e tyre, as në rikthimin që bënë pas zgjedhjeve lokale. Serbët kryen aktin e bojkotit dhe BE ndëshkoi Kosovën për atë bojkot. Heqja e masave shtrënguese financiare është thjesht një lloj tërheqje e europianëve. Nuk është se Kosova dhe qeveria e saj ndryshuan pikëpamje ose ndryshuan qasje në veprimet e tyre për forcimin e institucioneve në të gjithë territorin e vendit.
Së treti, ndërkombëtarët pas dy-tri vitesh kuptuan jo vetëm se Aleksandër Vuçiq është i pandreqshëm, por edhe se Albin Kurti kishte të drejtë në qëndrimet ndaj tij. Ishte kryeministri i Kosovës ai që ua ndriçoi të vërtetën ndërkombëtarëve. Madje në një kohë kur homologu i tij shqiptar, Edi Rama, promovonte politikat pro-perendimore të presidentit të Serbisë dhe mbante anën e tij edhe në konfliktin serb me Kosovën. Ky qëndrim parimor dhe konsekuent po vërtetohet nga qëndrimet e sotme të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova sot po rikthehet më fuqishëm në skenën ndërkombëtare, jo më si servile e interesave të aleatëve, por si mbrojtëse edhe e interesave të saj.
Së katërti, ata që kritikuan qëndrimet e Albin Kurtit dhe shpesh edhe të Vjosa Osmanit për marrëdhëniet e tyre me ndërkombëtarët po heshtin. Dje ishin në vijën e kundërshtimit të politikave të qeverisë Kurti për Kosovën, ndërsa sot nuk thonë asnjë fjalë për kthesën historike të këtyre marrëdhënieve në favor të Kosovës. Eshtë mirë që të gjithë këta, krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të kërkojnë ndjesë për qëndrimet kritike që kanë mbajtur ndaj qëndrimeve parimore e konsekuente të institucioneve të Kosovës gjatë këtyre peesë viteve të fundit për të mbrojtur dinjitetin, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e vendit, sidomos në veri.
Së pesti, kthesa e sotme e qëndrimeve ndërkombëtare të BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve në dobi të sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe integritetit të saj territorial lidhet edhe me seriozitetin e institucioneve dhe forcave të sigurisë e të policisë së Kosovës për ta mbrojtur atdheun. Rasti i Banjskës nuk ishte vetëm fitore e shtetit, por edhe poshtërim i politikës destabilizuese të Beogradit në Kosovë. Rritja me 100 fish e buxhetit për armatim dhe pajisje për ushtrinë dhe policinë është gjithashtu tregues i përkushtimit për ta mbrojtur territorin dhe shtetin. Para këtyre fakteve do të thyhej patjetër qëndrimi kundërshtues dhe kritik i aleatëve perendimorë për çfarë? Për ndërtim urash apo mbyllje të institucioneve kriminale paralele të Serbisë në Kosovë! Paradoks! Ukraina dhe qëndresa e saj epike e historike kundër agresionit të Rusisë janë një mësim i madh për atë se si mund të garantohet përkrahja e aleatëve!
