“Pasuria e dyshimtë e Ramush Haradinajt, përfshinë bashkëpunimin me struktura të Listës Serbe”, ushtaraku shqiptaro-amerikan flet edhe për Azem Sylen e Sami Lushtakun
Ish-ushtaraku Muharrem Maralusha, në një postim në Facebook, ka deklaruar se ndarja e pikave doganore në Kosovë ka qenë një praktikë e drejtpërdrejtë politike mes partive në pushtet. Sipas tij, PDK-ja ka kontrolluar disa prej tyre, ndërsa të tjerat janë marrë nga rrethi i Ramush Haradinajt. Ai thekson se figura të njohura të biznesit dhe politikës nuk e kanë dëshmuar kurrë përkushtimin ndaj shtetit të Kosovës, por përkundrazi janë pasuruar në emër të tij.
“As Ramiz Kelmendi, as Devolli e as Azem Syla nuk e kanë treguar ndonjëherë dashurinë për Kosovën. Të gjithë u bënë milionerë”, ka thënë Maralusha.
Duke folur për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, Maralusha shprehet se pasurimi i tij ka ardhur përmes marrëveshjeve të dëmshme politike dhe ekonomike, përfshirë, sipas tij, faljen e pronave dhe bashkëpunimin me struktura të Listës Serbe, me synim sigurimin e votave për pushtet.
“Ramush Haradinaj synonte të bëhej kryeministër apo president me votat e Listës Serbe dhe të veteranëve të rremë, vetëm për një grusht votash”, ka deklaruar ai.
Maralusha ka rikujtuar edhe një incident nga koha e luftës, duke thënë se Haradinaj kishte mbetur me një numër shumë të vogël ushtarësh dhe se kishte kërkuar ndihmë për të shpëtuar veten. Ai përmendi se gjeneralët Ahmet Krasniqi dhe Tahir Zemaj kanë pasur dijeni të plotë për këtë rast, por se të dy u vranë më vonë në rrethana të paqarta.
“Personi i vdekur nuk ka gjuhë të flasë”, ka shtuar Maralusha.
Sipas tij, pasurimi i shpejtë i Azem Sylës dhe klanit të tij familjar përbën një tjetër shembull të keqpërdorimit të pushtetit pas luftës, duke e krahasuar këtë fenomen edhe me raste të tjera të njohura nga skena politike.
“Brenda natës u pasuruan me qindra hektarë tokë, ndërkohë që deri dje shkonin në treg me opanga në këmbë”, ka thënë ai, duke e përmendur edhe Sami Lushtakun si pjesë të së njëjtës skemë.
Në vazhdim, Maralusha ka akuzuar biznesmenin Ramiz Kelmendi për tregti të paligjshme me Serbinë, duke pretenduar se mallrat deklaroheshin rrejshëm në doganë, ndërsa institucionet shtetërore nuk ndërhynin për shkak të korrupsionit.
“Qeveria e dinte, prokuroria e dinte, por askush nuk merrte masa, sepse të gjithë ishin të përfshirë”, është shprehur ai.
Ish-ushtaraku vlerëson se ardhja e Albin Kurtit në krye të Qeverisë shënoi një ndryshim, pasi sipas tij u ndërpre kontrolli i veriut nga bandat serbe që vepronin nën direktivat e UDB-së.
“Kosova nuk është as ‘nasha’, as ‘vasha’”, citon Maralusha mesazhin e Kurtit.
Ai ka kundërshtuar edhe deklaratat e fundit se ndihmat amerikane do të rikthehen pa kushte, duke thënë se Uashingtoni i ka dërguar një mesazh të qartë Qeverisë së Kosovës për rikthim në dialog me Serbinë.
Në fund, ai ka mohuar pretendimet se disa shtete aleate ia kanë ndaluar Hashim Thaçit udhëtimin në SHBA, duke theksuar se Anglia dhe Gjermania nuk kanë lidhje me këtë çështje
