Albin Kurti reagon për vdekjen e Shemit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit, njërit prej zërave më përfaqësues të muzikës shqiptare.
Në reagimin e tij në Facebook, Kurti e vlerësoi Shemin jo vetëm si artist, por si një figurë që përmes këngës krijoi kujtesë kolektive, identitet dhe ndjenjë bashkimi për shqiptarët kudo që janë, duke e cilësuar humbjen e tij si një pikëllim mbarëkombëtar, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Sot u nda nga jeta Shemsi Krasniqi – Shemi, një zë që ka hyrë në shtëpitë tona pa trokitur. Si vokalist i “Ilirëve”, ai i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës sonë dhe i dha publikun një mënyrë për ta ndjerë veten bashkë, edhe kur ishim larg.
Me interpretimin e tij, kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë; “Xhamadani vija-vija” u dëgjua e u këndua si shenjë identiteti dhe bashkimi për shqiptarët kudo.
Në këto çaste, e kuptojmë edhe më shumë se sa rrallë lindin zëra që nuk janë vetëm art, por janë gjuhë e përbashkët emocioni shpirtëror.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për dhimbjen e humbjes. Ngushëllime për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për gjithë publikun që e deshi, sepse kur ikën një artist i tillë, pikëllimi është mbarëkombëtar.
Të gjithë ne ta nderojmë me respektin që i takon, duke e mbajtur gjallë në kujtim dhe në mirënjohje.
Disa zëra nuk mbarojnë me një lajm, ata vazhdojnë sa herë që një këngë ngrihet si flamur në zemër. Ashtu do të dëgjohet përherë Shemi jonë, xhamadan i këngës e shpirtit.
U prehtë në paqe. I lehtë i qoftë dheu.
