OPINIONTË FUNDIT

Serbia tronditet nga tri goditje serioze, SHBA forcon pozicionin e Kosovës

Marrëveshja e shkurtit 2023 mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE-ja, vlerësohet në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së si hap pozitiv drejt normalizimit, duke kërkuar zbatim më të shpejtë të Aneksit.

Pas përparimit, SHBA-ja pritet të shqyrtojë forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimin ekonomik me të dyja vendet.

Gazetari Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se miratimi i Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare nga SHBA është një vendim strategjik që dobëson ambiciet e “Botës Serbe” dhe forcon sigurinë e Kosovës.

“Lajmi nga Shtëpia e Bardhë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aprovuar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare paraqet një nga vendimet më të rëndësishme strategjike që një president Amerikan ka nënshkruar në vitet e fundit. Ky vendim ka gëzuar shtetet dhe popujt liridashës të Evropës dhe Ballkanit, ndërsa në anën tjetër ua ka shuar ambiciet rezolutave, memorandumeve dhe projekteve të ashtuquajtura të “Botës Serbe”, në krye me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky zhvillim përbën një goditje serioze për politikën hegjemoniste serbe dhe njëkohësisht duhet t’i hapë rrugë forcimit të strategjisë së mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Asnjëherë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, qytetarët Shqiptarë nuk kanë qenë plotësisht të qetë dhe të sigurt nga propaganda agresive e Serbisë, e cila në vazhdimësi ka punuar kundër ekzistimit të shtetit të Kosovës, kundër stabilitetit dhe sigurisë, duke krijuar situata të tensionuara përmes grupeve kriminale të instaluara në pjesën veriore të vendit”, thotë ai.

Ai vazhdon më tej duke thënë se Serbia ka pësuar tri goditje serioze nga Perëndimi: anulimin e një marrëveshjeje në Beograd, bllokimin e kapitujve nga BE-ja dhe sanksionet ndaj industrisë së naftës.

Sipas tij, politika destruktive e Vuçiqit po zbulohet gjithnjë e më shumë, përfshirë rolin e tij në sulmin në Banjskë dhe përpjekjet e vazhdueshme për destabilizimin e Kosovës.

“Është me rëndësi të theksohet se Serbia, kohëve të fundit, ka marrë tri goditje serioze nga Perëndimi – nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – të cilat e kanë tronditur politikën zyrtare dhe opinionin publik serb.

-Goditja e parë ishte anulimi i marrëveshjes për blerjen e objektit të ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe në Beograd, një marrëveshje e lidhur me dhëndrin e ish-presidentit Trump. Me këtë akt u shuan edhe shpresat e Vučićit dhe të qeverisë së tij se përmes këtij pazari do të siguronin simpati dhe mbështetje politike në favor te serbise e ne dëm të interesave të Kosovës.

-Goditja e dytë erdhi nga Parlamenti Evropian, me mos-hapjen e kapitujve për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ndërsa goditja e tretë, padyshim më e dhimbshmja, ishte vendosja e sanksioneve ndaj industrisë së naftës serbe. Se politika destruktive e Serbisë po zbulohet gjithnjë e më shumë, e dëshmon edhe deklarata e deputetit serb Petar Boskoviç në Kuvendin e Serbisë, i cili foli haptazi për rolin e Aleksandar Vučićit në sulmin terrorist në Banjskë. “Ai deklaroi se Vuçiq kishte kërkuar ndihmën e KFOR-it për t’i hapur rrugë shpëtimit të Milan Radoičićit, me qëllim që të mos vritej nga Shqiptarët gjatë operacionit”. Sipas tij, në skenarin e sulmit ishin të përfshirë bijen serbe edhe struktura të larta të sigurisë serbe, përfshirë ish-drejtorë të policisë dhe ushtrisë. Fakti që Serbia ka rritur buxhetin ushtarak tri herë më shumë, dëshmon qartë për qëllimet e saj subversive ndaj Kosovës. Po ashtu, në disa institute ndërkombëtare të sigurisë është bërë e ditur se shërbime të huaja serbe, ruse dhe kineze janë të angazhuara në përpjekje për destabilizimin e Kosovës” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *