Franca dhe Italia zbulojnë “fytyrën e vërtetë”: Analistët ndërkombëtarë tregojnë kush janë miqtë e vërtetë të Kosovës
Kosova në vetëm pak ditë mori disa lajme të mira të rëndësishme së madhe. Kosova u njoftua se iu hoqën masat nga Bashkimi Evropian dhe si shkak i kësaj do të jetë përfituese e miliona eurove. Këtë lajm të mirë e ndau Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga takimet që zhvilloi në Bruksel.
Po ashtu, Presidentja njoftoi të premten se shteti Bahamas njohu pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i katërt për këtë vit.
Megjithatë, masat ndaj Kosovës i kundështuan dy vende europiane.
Para se të merrej vendimi për këto masa, Franca dhe Italia dolën kundër Kosovës, duke kërkuar të mos hiqen ndëshkimet për Kosovën.
Duke pasur parasysh këtë, a ka Kosova miq të besueshëm në Perëndim?
Lidhur me këtë ҫështje për ‘Bota sot’ kanë folur njohës ndërkombëtarë të politikës dhe njëherë miq të shtetit të Kosovës. Njëri ndër ta është ish oficeri britanez, oficer ndërlidhës i KFOR-it me Trupat Mbrojtëse të Kosovës gjatë viteve 2008-2009, Ade Clewlow. Ai thotë se, duke u mbështetur në vendet që nuk e njohin, Franca dhe Italia kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë. Marrëdhënia e Francës me Serbinë ka qenë gjithmonë më e fortë se me Kosovën.
Clewlow: Kosova ka shumë miq në bashkësinë ndërkombëtare, siç është Mbretëria e Bashkuar
“Le të mos harrojmë Major Pierre-Henri Bunel, oficerin ushtarak francez që ndau informacion të klasifikuar me ushtrinë serbe në lidhje me operacionet ajrore të NATO-s në vitet 1998/99”, rikujton ai.
Ndërkaq, sa i përket vendimit të Italisë, Clewlow thotë se është i habitshëm.
ImageAde ClewlowFoto galeri
“Pozicioni i Italisë është më i habitshëm. Pavarësisht një marrëdhënieje të ngushtë me Shqipërinë, vendimi i Italisë për t’u bashkuar me Rumaninë, Sllovakinë, Greqinë, Qipron dhe Spanjën e bën të qartë se ku qëndron besnikëria e saj. Duhet të vihet në pikëpyetje roli aktual i Karabinierëve italianë, të cilët aktualisht shërbejnë në një rol shumë të ndjeshëm që ndan komunitetet në Mitrovice”, vlerëson ai.
Në këtë rast, ai përmend miqtë e Kosovës dhe thotë se duhet rivendosur dialog me këto vende që duan ta shohin Kosovën vend të pavarur dhe sovran.
“Ajo që thotë kjo është se Kosova nuk mund ta marrë asnjë marrëdhënie si të mirëqenë në klimën aktuale gjeopolitike. Kosova ka shumë miq në bashkësinë ndërkombëtare, siç është Mbretëria e Bashkuar. Por Kosova duhet të rivendosë dialogun me ato vende që duan ta shohin Kosovën të bëhet një vend vërtet i pavarur dhe sovran. Ajo ka nevojë që këto vende të ushtrojnë presion mbi pesë vendet që nuk e njohin për t’i mundësuar Kosovës të zërë plotësisht vendin e saj në botë”, thekson britanezi për ‘Bota sot’.
Tutje ai thekson se, ‘veprimet e Francës dhe Italisë i shërbejnë vetëm qëllimit strategjik të Serbisë për të minuar sovranitetin e Kosovës, duke ushqyer paqëndrueshmërinë në një rajon të paqëndrueshëm dhe të paparashikueshëm’.
Fehlinger: Kosova mund dhe duhet të përparojë drejt anëtarësimit në BE përpara Serbisë
Ndërkaq, eksperti austriak, Gunther Fehlinger në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se vendimi për të hequr masat ndëshkuese kundër Republikës së Kosovës është një fitore e qartë për drejtësinë, demokracinë dhe vlerat evropiane.
“Ai vërteton një të vërtetë themelore: Kosova ka miq të besueshëm në Perëndim, dhe këta miq janë institucionet dhe qeveritë që qëndrojnë në anën e duhur të historisë – Gjermania, Austria, Brukseli dhe bërthama demokratike e Bashkimit Evropian”, thekson ai.
Tutje, ai thotë se Franca dhe Italia, për fat të keq, zgjodhën të pozicionoheshin në anën e gabuar të këtij vendimi duke u rreshtuar me grupin e vogël të shteteve që nuk e njohin dhe duke u përpjekur të zgjasin presionin e padrejtë mbi Kosovën.
“Duke vepruar kështu, Parisi dhe Roma e kanë izoluar veten politikisht – jo Kosovën. Lidershipi në Evropë sot nuk vjen nga hezitimi apo qetësimi, por nga qartësia, parimet dhe guximi. Heqja e masave tregon se Brukseli ka rivendosur autoritetin e tij dhe se Bashkimi Evropian nuk do të tolerojë më simetrinë e rreme që ka ndëshkuar viktimën ndërsa ka shpërblyer pengimin. Kosova është një shtet demokratik, një partner i besueshëm perëndimor dhe një anëtar i ardhshëm i BE-së dhe NATO-s. Serbia, në të kundërt, vazhdon të flirtojë me Moskën, refuzon të përputhet me sanksionet e BE-së dhe minon stabilitetin rajonal”, vlerëson ai.
Fehlinger thotë se ky vendim hap rrugën qartë dhe në mënyrë të pakthyeshme për rrugën evropiane e Kosovës.
“Kosova mund dhe duhet të përparojë drejt anëtarësimit në BE përpara Serbisë. Njohja, integrimi dhe anëtarësimi tani janë domosdoshmëri politike, jo debate teorike. Gjermania dhe Austria kanë treguar lidership të qëndrueshëm dhe qartësi morale. Brukseli ka vepruar me vendosmëri. Mesazhi është i pagabueshëm: Evropa ecën përpara me ata që ndajnë vlerat e saj”, thotë eksperti austriak.
Sipas tij, Kosova i përket Bashkimit Evropian, jo si një lëshim, por si pasojë e zgjedhjes së saj demokratike.
“E ardhmja është evropiane dhe Kosova është në anën fituese të historisë”, vlerëson ai.
