Albin Kurti nga Peja zotohet për progres në shëndetësi, arsim, infrastrukturë e turizëm
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë tubimit të radhës në kuadër të fushatës zgjedhore në Pejë, ka premtuar se gjatë qeverisjes së tij do të ketë përmirësime në shëndetësi, arsim, infrastrukturë e turizëm.
Kurti premtoi në sektorin e shëndetësisë një rezonancë magnetike në spitalin e Pejës, poliklinikë specialistike të stomatologjisë, magjistralen e Dukagjinit, çerdhe të reja dhe tri lloje të turizmit.
Ai po ashtu premtoi objektin e ri të muzeut të Pejës si institucion publik, i cili do të hyjë në hartën turistike të vendit.
Kurti: Qeveria mbështet ndërtimin e objektit të ri të muzeut të ri të Pejës
“Me spitalin e Pejës jemi përqendruar te modernizimi dhe ia kemi shtuar një rezonancë magentike për banorët, jo vetëm të Pejës. Do të hapim poliklinikën specialisitike stomatologjike, sepse kujdesi shëndetësor duhet të jetë i qasshëm. Në të gjitha rajonet do të ndërtojmë sisteme të reja të ngrohjes qendrore… Do të ndërtojmë magjistralen e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën me Deçanin, Pejën dhe Istogun… Do të investojmë në hapjen e pesë çerdheve, duke i bërë të përballueshme për çdo familje. Tri lloje turizmit do të zhvillojmë në Pejë, kulturor, shëndetësor dhe agroturizmi… Qeveria e mbështet ndërtimin e objektit të ri të muzeut të ri të Pejës, si institucion publik i kujtesës dhe historisë. Shërben si pikë referimi për vizitorë dhe do të hy në hartën turistike të Kosovës”, tha Kurti.
Ai premtoi edhe ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos në Pejë për Lojërat Mesdhetare 2030 dhe renovimin e sallës së sporteve Karagaq.
Kurti: 6 milionë euro për ndërtimin e kompleksit qendrës nacionale të xhudos në Pejë
“19 milionë euro për stadiumin e qytetit “Shahin Haxhi Islami”, punimet nisin së shpejti, 6 milionë euro për ndërtimin e kompleksit qendrës nacionale të xhudos në Pejë, e para të llojit të vet në vendin tonë, do të zhvillohen edhe Lojërat Mesdhetare 2030, salla e sporteve Karagaq, do të rinovohet thellësisht, sepse aty do t’i mirëpresim lojërat mesdhetare”, shtoi Kurti.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk la pa e përmendur edhe luftimin e krimit në veri të Kosovës.
Kurti: Në veri mund të ketë ndonjë kriminel që ende fshihet diku, por të mëdhenj nuk ka më
“Kur jemi te thurja e gardhit, mbrojtja e kufirit, prej 37 rrugëve ilegale, 29 kanë qenë në veriun e Kosovës, kontrabandë, krim, me armë, drogë, me gjësende nga më të ndryshmet e bile edhe me njerëz. 29 rrugë kanë qenë e nuk kanë ngelur asnjë. Në veri të Kosovës, mund të ketë ndonjë kriminel që ende fshihet diku, por të mëdhenj nuk ka më, ose janë në burgun e sigurisë te lartë në Gërdovc, ose janë vrarë në Banjskë, e disa kanë ikur në Serbi”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë përmendi edhe momentin e tij më të rëndë që ka pasur gjatë qeverisjes së tij për mirëqenien sociale, pasi premtoi procedimin e ligjit të ri për ligjet në tavan.
Kurti: Pasnesër bëhen 25 muaj prej ditës më të rëndë që kam pasur në qeverisje për mirëqenien sociale
“Vendimi i parë do të jetë buxheti për 2026. Procedimi i ligjit të ri për ligjet në tavan. Pasnesër bëhen dy vjet e një muaj prej ditës më të rëndë që kam pasur në qeverisje për mirëqenien sociale, kur Gjykata Kushtetuese na rrëzoi ligjin për çmimin në tavan, për produktet bazë që shporta e familjes të ketë çmim të përballueshëm. Ndërhyri në politikat tona fiskale dhe çka më mbeti mu tjetër përveç që të deklaroj se këta po dëshirojnë me u bë parti politike. Ne na thoshin buxhetin e grumbulloni, e shpenzimin duhet me na vetë neve gjykatën, për me ju pyet juve si shpenzohet buxheti, atëherë do të duhej që ata të garojnë me ne në zgjedhje, e jo kur të fitojmë zgjedhjet, të na tregojnë se çka është dashur të themi në fushatë”, tha Kurti.
Kurti gjatë qeverisjes së tij premtoi se do të ketë miratim të buxhetit prej 4 miliardë eurosh për vitin 2026, procedimin e ligjit të ri për çmimet tavan, procedimin e ndryshimit plotësues të ligjit që heq kufizimin për punësimin për veteranët që marrin beneficione, miratimin e pagës së 13-të për sektorin publik, rritje të pagës, pensioneve dhe rikthimin e skemës për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike për 200 mijë familje. Për të gjitha këto premtime, Kurti kërkoi votën e qytetarëve të Pejës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
