Ish-polici serb i akuzuar për krime lufte provokon shqiptarin që dëshmoi si ia vranë familjen: Bëni t’fala te shpia, se e ki…
Flamur Rexhaj doli para gjykatës për të rrëfyer ditën më të keqe të jetës së tij. Ditën kur, në shtëpinë e familjes, gjeti të djegur babanë dhe katër familjarë të tjerë.
Me zë të rënduar, ai rrëfeu përjetimet e asaj periudhe para dy serbëve, atëkohë pjesëtarë të policisë, sot të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Momir Pantiq dhe Zharko Zariq dëgjuan se si, me urdhër të policisë, një pjesë e familjes Rexhaj u detyrua të largohej nga shtëpia në Lubozhdë të Istogut, përmes rrugëve malore.
Rexhaj tregoi se në ditët kritike të vitit 1999, pa me sytë e tij të akuzuarin Zariq dhe disa serbë të tjerë duke u grumbulluar për të shkuar në drejtim të shtëpisë së familjes së tij.
Ai rrëfeu edhe momentin më të rëndë, kur u kthye dhe gjeti pa jetë më të afërmit e vet.
Pasi përfundoi dëshminë para gjykatës, dëshmitari dhe i dëmtuari në procedurë, Flamur Rexhaj, po largohej nga salla. Në atë çast, ai u provokua nga i akuzuari.
Një provokim që, siç u pa në sallë, u shoqërua me reagime tallëse nga të akuzuarit serbë për krime lufte kundër popullsisë civile.
