OPINIONTË FUNDIT

Xhevat Meha: Kosova duhet të pajiset me teknika të avancuara mbrojtëse

Në vitet e fundit, Kosova ka rritur ndjeshëm shpenzimet dhe investimet në mbrojtje dhe siguri. Sipas statistikave, gjatë katër viteve të fundit, shpenzimet për këtë sektor arrijnë rreth 430 milionë euro, duke përfshirë blerjen e dronëve dhe pajisjeve të tjera teknologjike, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon transformimin drejt një ushtrie profesionale.

Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha, thotë se, megjithë rritjen e investimeve në pajisjet ushtarake të Ushtrisë së Kosovës, nevojat mbeten të larta, pasi ushtria po ndërtohet nga fillimi.

Ai thekson se Kosova duhet të vazhdojë të rrisë investimet në teknika të avancuara mbrojtëse, pavarësisht se kush është Kryeministër.

“Viteve të fundit kemi një rritje të investimeve në fushën e sigurisë, është fjala për rritjen e investimeve në pajisjet ushtarake të Ushtrisë së Kosovës. Rritja e investimeve ka shkallë bukur të lartë të rritjes. Edhe pse kemi rritje të lartë të investimeve, nevojat e Ushtrisë së Kosovës akoma janë shumë të larta. Kjo për faktin se është duke u ndërtuar ushtri nga fillimi. Mendoj se Kosova duhet të rrisë sa më shumë që mund të përballojë investimet në pajisjen e Ushtrisë së Kosovës me teknika të avancuara mbrojtëse, kjo sigurisht pavarësisht se kush botohet për Kryeministër”, thotë ai.

Ai shton se, përveç Ushtrisë, mekanizmat tjerë të sigurisë, veçanërisht AKI, kanë nevojë për rritje të financimeve. AKI nuk po merr resurset dhe vëmendjen politike që i duhen për të përmbushur rolin e saj, ndërsa funksionimi i saj i fortë e forcon tërë sistemin e sigurisë.

Meha thekson se rritja e financimeve duhet të ndodhë pavarësisht se kush është Kryeministër.

“Përveç Ushtrisë së Kosovës, kemi edhe mekanizmat tjerë të sigurisë që duhet gjithsesi të kenë rritje të financimeve. Kjo vlen sidomos për AKI-në. AKI nuk është duke patur financimet që i nevojiten për të kryer detyrat që ka në fushën e sigurisë. Mendoj se AKI nuk është duke e marrë vëmendjen e duhur nga politika për rolin dhe fuqinë që ka në sigurinë e Kosovës. Kur shërbimet e AKI-së janë të niveleve të larta, mekanizmat tjerë të sigurisë janë shumë më të fuqishëm. Duhet që gjithsesi AKI të marrë vëmendjen që meriton dhe të ketë rritje përmbajtësore të financimit, pavarësisht se kush votohet për Kryeministër”, përfundon Meha për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *