TË FUNDIT

Kurti: 3.2 milionë për rrugën Malishevë–Kijevë, 6.7 milionë për nënstacionin dhe masa në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria do të investojë 3.2 milionë euro për ndërtimin e rrugës Malishevë–Kijevë, ndërsa paralelisht, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e nënstacionit energjetik në Malishevë, në vlerë prej 6.7 milionë euro.

Sipas Kurtit, këto investime janë pjesë e zhvillimit të gjithmbarshëm që ka karakterizuar mandatin aktual qeveritar, jo vetëm në Malishevë, por në të gjithë Kosovën.

“Krejt këto investime, për Malishevën e kudo në Kosovë, janë rrjedhshmëri e zhvillimit të gjithmbarshëm në këtë mandat qeveritar. Sepse progresi është i mundur kur e luftojmë krimin e korrupsionin”, ka shkruar Kurti.

Rritje e punësimit dhe ulje e papunësisë
Kryeministri ka theksuar edhe arritjet në fushën e punësimit, duke bërë të ditur se numri i të punësuarve është rritur nga 350 mijë në 435 mijë, ndërsa shkalla e papunësisë ka rënë nga 26 për qind në më pak se 11 për qind.

Ai ka shtuar se Qeveria po e lidh sistemin arsimor me tregun e punës, me synimin që çdo diplomë e fituar të përkthehet në një mundësi konkrete punësimi.

Masa në veri dhe siguri më e madhe
Kurti ka përmendur edhe veprimet e ndërmarra në veriun e vendit, ku sipas tij janë mbyllur 29 rrugë ilegale, janë shuar komuna paralele dhe zyra ilegale, është ndaluar përdorimi i dinarit dhe është ndërprerë prodhimi ilegal i kriptovalutave.

“Çdo cep i shtetit frymon ndryshe në katërvjeçarin e fundit”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se Qeveria synon të vazhdojë me këto politika edhe pas 28 dhjetorit, për më shumë siguri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *