TË FUNDIT

Geci ‘djeg’ opozitën: Lobuan që Kosova të mbetej nën sanksione, sot po shtiren si shpëtimtarë

Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të disa përfaqësuesve opozitarë se heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është meritë e tyre, duke i cilësuar këto deklarata si manipulim të hapur politik.

Më saktësisht, në këtë deklaratë Geci iu drejtua Reçicës së PDK-së, që tha se Hamza ka meritë për largim të sanksioneve, përcjell “Bota sot”.

Sipas tij, subjektet që sot po përpiqen ta përvetësojnë këtë zhvillim kanë lobuar më herët në Bruksel kundër interesave shtetërore të Kosovës, madje duke kërkuar vazhdimin e sanksioneve për qëllime pushteti.

Geci thekson se faktet nuk mund të zhbëhen me propagandë dhe bën thirrje që qytetarët ta ndëshkojnë këtë qasje me votë.

Postimi i plotë

Rrenat e opozitës nuk e shpëtojnë të vërtetën

Heqja e masave nga BE-ja po keqpërdoret politikisht nga ata që dje lobuan kundër Kosovës

Heqja e masave nga Bashkimi Evropian nuk ka asnjë lidhje me Bedri Hamzën dhe aq më pak me subjektet opozitare që sot përpiqen ta përvetësojnë këtë zhvillim. Përkundrazi, faktet tregojnë se pikërisht përfaqësues të këtyre partive kanë vepruar në Bruksel kundër interesit shtetëror të Kosovës.

Pretendimet e Elmi Reçicës dhe Bedri Hamzës, se heqja e masave është meritë e tyre, përbëjnë një rrenë të hapur politike. Është e njohur publikisht se dy zyrtarë të PDK-së kanë kërkuar që Kosova të mbetet nën sanksione derisa të rrëzohet Qeveria Kurti. Ky veprim nuk është interpretim, por fakt politik.

Të lobosh kundër shtetit dhe më pas të dalësh si “meritor” për largimin e masave është jo vetëm hipokrizi, por edhe mashtrim i qëllimshëm i opinionit publik. Kjo logjikë nuk buron nga interesi për Kosovën, por nga etja për pushtet me çdo kusht.

Në këtë linjë propagande hyn edhe pretendimi i Elmi Kudrës, alias Elmi Reçica, i cili përpiqet ta shesë veten dhe rrethin e tij si faktor vendimtar në një proces që ata vetë e kanë dëmtuar. Kjo është propagandë e ulët dhe fyerje për qytetarët që e njohin të vërtetën.

Faktet nuk zhbëhen me zhurmë mediatike, as me etiketime politike.

Rrena mbetet rrenë, pavarësisht sa herë përsëritet.

Prandaj, përgjigjja e vetme demokratike ndaj këtij manipulimi është e qartë: ndëshkimi me votë, në mënyrë që ata që kanë punuar kundër Kosovës të mos kenë më mundësi ta shohin Kuvendin nga brenda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *