OPINIONTË FUNDIT

Kimete Berisha: Këndo, pushka ime!

Në vitin 1999 e humba rastin ideal për t’u bërë heroinë kombëtare.

Isha shumë e vendosur.

“Ma jep kallashin”, i thashë një ushtari.

Ma dha.

Desha të gjuaj në ajër, sa për fillim, ta vras frikën.

Por frika ime nuk vrau frikën e askujt.

Sepse pesha ishte aq e rëndë për mua, sa ajo vendoste

a jam unë heroinë a jo.

Hoqa dorë nga heroizmi me vuajtje.

Jo pse s’kisha zemër,

por pse s’kisha duar.

Unë mund të hidhja bomba.

Po s’kisha bomba.

Kështu që iu ktheva pleqnimit.

Zanat familjar shekullor.

Flisja butë, urtë.

Ushtarët më dallonin, më respektonin.

Çdo mbrëmje më ftonin të shikonim lajmet bashkë.

Unë heshtja…

për të mos u zbuluar se s’dija gjë.

Nganjëherë pohoja.

Nganjëherë mohoja me kokë.

Heshtja më bënte të thellë.

Gratë e vajzat gatuanin.

Për ne, ushtarëve dhe pleqnarëve.

BEDRIU

Bedriu nuk ka pushkë.

Bedriu ka dru.

Askush nuk e di pse nuk ka luftuar.

Sipas burimeve të mia, Bedriu e ndan me mua të njëjtën arsye:

nuk e ka çuar dot pushkën.

Por drurin e çon.

Se…pushka kërkon shpatulla.

Druri kërkon vetëm kamion.

LUMIRI

Lumiri nuk ka as pushkë, as dru.

Është i pasur.

Askush nuk e di pse.

Dhe askush nuk pyet.

Se paratë e blejnë edhe këngën.

ALBINI

Në një vend ku kënga shqipe u bë pushkë,

që vret e pret,

korr dashuri,

korr miqësi,

s’lë gjë pa mbytur,

pushka e Albinit u bë këngë.

Para se të bëhej këngë,

pushka u bë lodër politike.

Me të cilën vritet armiku imagjinar.

DHE PROBLEMI IM

Mua, si pleqnare,

nuk më pengon kënga për Albinin.

As pse është e shëmtuar

(se gati krejt këngët janë të shëmtuara).

As pse, në kohën e raketave, zonja i çon mushkat në qiell.

As nuk më pengon që dikush që nuk këndon bukur quhet këngëtare

Mua më pengon pse një grua me plis i këndon një burri.

Jo për dashuri.

Jo për mall.

Por për pushtet.

Sepse gratë në këtë vend

kanë kënduar gjithmonë:

për të vdekurit,

për fëmijët,

për burrat që s’u kthyen…

Jo për pushkët që bëhen deputetë.

EPILOG

Unë nuk e mbajta pushkën.

As Bedriu.

As Lumiri.

Albini e ktheu në këngë.

Dhe kur pushka bëhet këngë,

askush nuk vdes.

Këndo, pushka ime.

Trupi më çohet peshë

nga vargu

“Do t’ju skuq – t’ju bëj, ore, me bojë.”

P.S.

Bang Bang

(My Baby Shot Me Down).

AUTOKRITIKË:

Të lumtë, Kim.

As këtë herë nuk e mbajte pushkën.

E mbajte fjalën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *