Jo përsëritjes së rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit 2025! Duhet një mazhorancë solide!
Më 28 dhjetor qytetarët e Kosovës do të shkojnë sërishmi në kutitë e votimit. Për herë të dytë brenda një viti ata do të zgjedhin një parlament të ri. Po a do të ndryshojnë numrat në këtë parlament? A do të votojnë zgjedhësit kosovarë njësoj si edhe më 9 shkurtin e vitit që po mbyllet, apo ndryshe, ose diçka ndryshe? Pra dilema është nëse do të ketë ngërç të krijimit të institucioneve apo jo pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kjo dilemë duhet zgjidhur. Zgjidhjen e kanë në dorë zgjedhësit, të cilët votojnë pas 10 ditësh.
Kësaj radhe duket se fushata është më e qetë. Liderët e subjekteve politike po luajnë me dozën e moderuar të fjalimeve dhe diskursit politik, me qëllim që të joshin votuesit për të marrë sa më shumë vota. Kanë ngelur edhe pak më shumë së një javë dhe duket se nuk do të ketë agesivitet në fushatë. Kjo gjë është mirë. Por votuesit nuk duhet të besojnë shumë te retorika. As te disa premtime si ajo e Fatos Nanos më 1997 në Shqipëri, kur u pati premtuar votuesve se do të kthente të gjitha paratë që ata kishin humbur në piramidat e asaj kohe. Në fakt në Kosovë nuk ka iluzione si në Shqipëri. Qytetarët e dinë fare mirë se kush bën diçka e kush hiçgjë për jetën dhe për vendin e tyre.
Nëse gjykojmë në këta parametra, atëherë gjithkush në Kosovë e di se nga liderët e sotëm, Albin Kurti është më i përkushtuari për Kosovën dhe qytetarët e saj. Në pesë vitet e shkuara të qeevrisjes ai la gjurmë të pashlyeshme në disa drejtime, sidomos në vendosjen e sovranitetit shtetëror në katër komunat e veriut dhe forcimin e ushtrisë e të sigurisë kombëtare. Funksioni i sigurisë dhe ruajtjes së sovranitetit është funksioni kryesor për çdo qeverisje dhe sistem politik në botë. Më pas vijnë ekonomia e mirëqenia, arsimi e shkenca dhe politika e jashtme dhe diplomacia. Pa i dobësuar tre elementët e mësipërm, rezultati i qeverisë së Albin Kurtit në funksionin e sigurisë dhe mbrojtjes është spektakolar. Ky vlerësim merr nota pozitive të pakundërshtueshme, po të kemi parasysh se si dhe sa ishte investuar për ushtrinë nga qeveritë para Kurtit. Diferenca shkon në 1 me 100! Po të kemi parasysh guximin e qeverisë Kurti dhe presidentes Osmani për të ndërhyrë në veri të vendit dhe vendosur aty rregull e rend në luftë me bandat terroriste dhe organizatat kriminale të financuara nga Serbia.
Këto rezultate u mjergulluan nga propaganda e ish-partive të opozitës. Por në fakt ato janë aty. Ato flasin me pajisjet moderne të ushtrisë dhe policisë së Kosovës, me uzinat e prodhimit të dronëve e municioneve, me blerjen e armëve moderne nga SHBA-të, Britania e Madhe, Turqia dhe Gjermania etj. Për gati 15 vite më parë partitë e opozitës ishin aty, në pushtet, në zyra, në parlament, në qeveri, në presidencë, por nuk u kujtuan se Kosovës i duhej siguria dhe mbrojtja njësoj si edhe buka. Sepse e kishin mendjen te ndarja e Kosovës dhe i çonin paratë e taksave për lobim në SHBA dhe Europë në funksion të ndarjes së territorit për ta shpërblyer Serbinë me pasuritë e Kosovës. Kjo është e vërteta. Dhe fatkeqësisht këta lobistë nga partitë e ish-opozitës bëjnë propagandën dhe sulmet më të ashpra kundër qeverisë së Albin Kurtit.
Qytetarët e Kosovës nuk ia dhanë Kurtit një mazhorancë absolute më 9 shkurt, sepse ata donin që Kurti të qeveriste në një koalicion dhe autoriteti i tij të kontrollohej më mirë në bashkëqeverisje. Këtë mesazh nuk e lexuan mirë partitë e ish-opozitës. Prandaj ato nuk pranuan as të ulen të bisedojnë për krijimin e një qeverisje të përbashkët bazuar në një program po ashtu të përbashkët. Bojkotuan çdo mundësi për krijimin e koalcionit qeverisës. Kjo do të thotë se zgjedhësi i Kosovës kësaj radhe duhet patjetër që të shtojë numrat e deputetëve të mazhorancës. Aq më tepër se në koalicionin në fjalë tashmë është edhe Partia Demokristiane. Këtu nuk duhet të ketë dilemë. Sepse bëhet fjalë për shtetin, për institucionet e tij, për fatin e Kosovës, për imazhin e saj në botë dhe për një perspektivë të sigurtë afatmesme e afatgjatë.
Heqja e masave shtrënguese nga ana e Bashkimit Europian është një premisë e mirë për të besuar se qeverisja e re nën Albin Kurtin do të jetë shumë më e sukseshme edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme. Prandaj ka rëndësi të krijohet besim. Besim në fjalën që jepet, në veprat që janë kryer dhe në përkushtimin e lidershipit. Në fund të fundit një mandat i dytë është dhe do të jetë prova vendimtare për suksesin ose josuksesin e një qeverisje. Albin Kurti e meriton edhe një mandat!
