Albin Kurti prezanton pesë vendimet e para të mandatit të ardhshëm qeverisës
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka prezantuar pesë vendimet e para që, sipas tij, do të merren në mandatin e ardhshëm qeverisës. Ai ka theksuar miratimin e një buxheti rekord prej 4 miliardë euro për vitin 2026, si dhe një ligj të ri për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë.
Në postimin e tij, Kurti ka paralajmëruar edhe heqjen e kufizimeve të punësimit për veteranët e UÇK-së që përfitojnë beneficione, si dhe pagesën e pagës së 13-të për të gjithë shërbyesit publikë në fillim të vitit 2026.
Postimi i plotë:
Këto janë 5 vendimet e para të mandatit tonë të ardhshëm:
1. Miratimi i buxhetit rekord prej 4 miliardë euro për vitin 2026;
2. Miratimi i Ligjit të ri për çmime tavan për produktet bazë, që të frenohet abuzimi me rritjen e çmimeve;
3. Heqje e kufizimit të punësimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përfitojnë beneficion;
4. Paga e 13-të për të gjithë shërbyesit publikë, në fillim të vitit 2026;
5. Miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 në vlerë prej 200 milionë euro me mbështetje për pensionistët, fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, si dhe subvencionim i faturave për ata që kursejnë energjinë elektrike (pritet të përfitojnë mbi 200 mijë familje).
