The Telegraph” alarmon, ekspertët paralajmërojnë: Si po përgatiten skenarët e rinj të konfliktit në Ballkan
Një brez i ri nacionalistësh serbë po përgatitet për skenarë të rinj lufte në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa qindra militantë tashmë po udhëtojnë drejt Ukrainës për të luftuar përkrah forcave ruse. Kështu raporton media ndërkombëtare britanike “The Telegraph”.
Sipas raportimit, këta individë janë të indoktrinuar me ideologji ultranacionaliste dhe shohin luftën në Ukrainë si një mundësi për të fituar përvojë ushtarake, duke besuar se “Nëna Rusi” do t’ua kthejë nderin në të ardhmen.
Burimet theksojnë se një pjesë e këtyre militantëve janë të bindur se Moska do t’i ndihmojë Serbisë në realizimin e synimeve të saj territoriale, përfshirë pretendimet ndaj Kosovës dhe territoreve të tjera të humbura në Ballkan.
The Telegraph paralajmëron se ky fenomen paraqet rrezik serioz për stabilitetin e rajonit, pasi përfshirja e këtyre grupeve në konfliktet aktuale mund të kthehet në kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Serbia mes Perëndimit dhe Rusisë
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” ngre alarmin për lidhjet e thella të Beogradit me Moskën, përfshirë përmes strukturave paraushtarake dhe komunitetit rus të instaluar në Serbi.
“Jetojmë në një kohë midis. Sidomos Serbia gjendet midis kohëve dhe midis dilemës nëse duhet të bashkohet me NATO-n e BE-në, apo duhet të vazhdojë me aleancën ruse e lindore”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Serbia është shndërruar në një qendër të rëndësishme të pranisë ruse në Ballkan.
“Në Serbi, sipas informacioneve, pas luftës në Ukrainë kanë ardhur 300 mijë rusë. Ata janë përqendruar kryesisht në Beograd, kanë krijuar bizneset e tyre, shoqata dhe kanë krijuar një komunitet me lidhje të ngushta midis tyre. Bëhet fjalë për 300 mijë e më shumë rusë. Këta rusë janë të kategorive të ndryshme. Nuk kanë ardhur rastësisht në Serbi e kryesisht në Beograd. Dikush është kujdesur që të krijohet një komunitet kaq i madh i rusëve në këtë vend dhe kanë marrë tashmë, sigurisht me interesimin e strukturave të shtetit, shtetësinë serbe. Që do të thotë se ata do të jenë tashmë qytetarë të Serbisë dhe do të jetojnë në këtë vend”, thekson Bytyçi.
Paralelisht me këtë prani ruse, Bytyçi rikujton se mijëra serbë janë angazhuar drejtpërdrejt në luftën kundër Ukrainës, përkrah forcave ruse.
“Ndërsa rusët vijnë në Serbi, gjithnjë nën regjinë e shërbimit sekret rus, serbët prej fillimit të luftës e madje para saj, janë shfaqur në Donbas dhe zonat e tjera të luftës përkrah Rusisë së Vladimir Putinit. Edhe ky nuk është lajm i ri. ‘The Telegraph’ thjesht e rikujton këtë fakt. Mijëra serbë janë në vijat e frontit të luftës kundër Ukrainës dhe qindra prej tyre janë vrarë në këtë luftë”, shprehet ai.
Sipas Bytyçit, ky angazhim nuk është i rastësishëm, por pjesë e një skenari të mirëorganizuar politik dhe strategjik.
“E gjitha kjo ka sërish një regji. Të mbahet gjallë lidhja e ngushtë me atë që ata e quajnë ‘Nëna Rusi’! Madje edhe të kompensojnë ndonjë pakënaqësi që Moska krijon kundër Aleksandër Vuçiqit. Ne i dimë tashmë kritikat kundër Putinit për eksportin e armëve dhe municioneve në Ukrainë. Dhe dikush në Beograd kujdeset për ta kompensuar politikën mashtruese që Aleksandër Vuçiq ndjek ndaj Perëndimit, përkatësisht Brukselit dhe Uashingtonit. Dërgon serbë në frontin rus të luftës kundër Ukrainës”, vlerëson ai.
Bytyçi shkon edhe më tej, duke theksuar se numri i paramilitarëve serbë në Ukrainë është simbolikisht i krahasueshëm me kontingjentin e Koresë së Veriut në mbështetje të Rusisë.
“Numri i paramilitarëve serbë në frontin e luftës ruse kundër Ukrainës afrohet me numrin e ushtarëve të Koresë së Veriut që Kim Jong-un i dërgoi në ndihmë presidentit Putin. Megjithatë, më shumë se kjo vlen simbolika”, thekson profesori.
Ai nënvizon se ndikimi rus në Serbi është i përhapur thellë në strukturat shtetërore dhe shoqërore.
“Në duart e Rusisë dhe të Kremlinit janë shumë struktura të shoqërisë serbe. Kisha dhe Sinodi i saj janë plotësisht në anën e Rusisë dhe kundër Perëndimit. Shërbimi sekret BIA është gjithashtu plotësisht në anën e Moskës. Po ashtu shumica e gjeneralëve dhe ushtarakëve serbë, shumica e profesorëve dhe akademikëve”, deklaron Bytyçi.
Sipas tij, kjo klimë justifikohet në Serbi me narrativën se vendi është i rrezikuar nga të tjerët, sidomos nga shqiptarët.
“Pse ndodh kjo? Sepse jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe këta që përmenda janë të bindur se ‘Serbia rrezikohet nga të tjerët, sidomos nga shqiptarët’! E në fakt shqiptarët kanë qenë historikisht dhe janë edhe sot të rrezikuar nga Serbia”, thekson ai.
Profesori rikujton se mobilizimi paraushtarak është pjesë e doktrinës historike serbe.
“Shteti i Serbisë e ka në taktikën e vet historike mobilizimin paraushtarak për të realizuar objektivat e veta strategjike dhe gjeopolitike. Janë krijuar fillimisht qendrat e rekrutimit dhe stërvitjes në territorin e Serbisë dhe më pas këta kamikazë të nacionalizmit serb kanë shkuar në frontin lindor të Ukrainës për të ndihmuar Rusinë”, thotë Bytyçi.
Ai akuzon drejtpërdrejt presidentin serb për përdorimin e kësaj taktike.
“Këtë taktikë e ka përdorur me djallëzi edhe Aleksandër Vuçiq. Ai vetë ka qenë pjesëtar i reparteve paramilitare… Që do të thotë se ishte thjesht një paramilitar i Arkanit ose i Sheshelit”, shprehet ai.
Sipas Bytyçit, përdorimi i paramilitarëve i shërben Serbisë për të shmangur përgjegjësinë shtetërore.
“Është shteti që i sponsorizon paramilitarët dhe në fund thotë ‘Ne nuk dinim gjë’! Europës dhe SHBA-ve u thonë se ‘Ne nuk dimë gjë për këtë’… thjesht për t’u shfajësuar dhe për të mos u etiketuar si aleat i pandashëm i Rusisë. Kjo është e vërteta”, thekson ai.
Në fund, profesori kritikon tolerancën e Perëndimit dhe mungesën e reagimit rajonal.
“Në Europë dhe në SHBA nuk janë aq naivë sa të mos e kuptojnë lojën e pisët të Aleksandër Vuçiqit, por shpesh e tolerojnë me iluzionin se me Vuçiq Serbia mund të ndryshojë kursin. Në Beograd përfitojnë edhe nga fakti se Shqipëria dhe disa vende të tjera të rajonit nuk duan t’i denoncojnë këto taktika destabilizuese”, deklaron Bytyçi.
Ai përmbyll duke apeluar për vigjilencë nga Kosova.
“Kosova duhet të ngrejë vigjilencën dhe të ndajë informacionet e saj me shërbimet partnere për këto çështje, për të cilat folëm më lart”, përfundon profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi për “Bota sot”.
Alarm për Ballkanin: Brez i ri nacionalistësh serbë po përgatitet për luftë
Kurse eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, vlerëson se informacionet e publikuara janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe nuk duhet të neglizhohen.
“Informacionet e fundit në ‘The Telegraph’ që flasin për një brez të ri nacionalistësh serbë, të cilët përgatiten për luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe disa prej të cilëve tashmë udhëtojnë drejt Ukrainës për t’iu bashkuar forcave ruse, janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe paraqesin një kërcënim serioz për stabilitetin e Ballkanit, veçanërisht për Kosovën”, shprehet Elezi.
Sipas tij, ky fenomen nuk është i rastësishëm dhe as spekulativ, por pasqyron përpjekje konkrete për destabilizim.
“Ky fenomen nuk është thjesht spekulativ. Ai tregon përpjekjet e grupeve ekstremiste për të përdorur tensionet historike dhe ndikimin e fuqive të jashtme për të destabilizuar rajonin”, thekson ai.
Elezi e cilëson si alarmuese edhe narrativën që po përdoret nga këto grupe, duke u mbështetur në Rusinë.
“Pretendimet se ‘Nëna Rusi’ do t’i ndihmojë këto grupe për të rimarrë territore të humbura janë të papranueshme dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë rajonale”, vlerëson eksperti i sigurisë.
Në këtë kontekst, Elezi bën thirrje për reagim të menjëhershëm institucional dhe ndërkombëtar, duke renditur disa masa konkrete që duhen ndërmarrë.
“Ne bëjmë thirrje për masa të menjëhershme të sigurisë. Autoritetet e Kosovës dhe të rajonit duhet të monitorojnë dhe parandalojnë çdo aktivitet militant dhe çdo tentativë radikalizimi që mund të destabilizojë vendin”, shprehet ai.
Po ashtu, ai thekson rëndësinë e përfshirjes aktive të aleatëve ndërkombëtarë.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor. NATO, Bashkimi Evropian dhe partnerët strategjikë duhet të jenë të angazhuar në mënyrë aktive për të parandaluar ndikimet destabilizuese dhe për të siguruar koordinim efektiv në nivel rajonal”, nënvizon Elezi.
Eksperti kërkon edhe rritje të ndërgjegjësimit publik.
“Vigjilenca dhe paralajmërimi publik janë të domosdoshëm. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e ideologjive ekstremiste dhe për rolin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë”, deklaron ai.
Në fund, Elezi dërgon një mesazh të prerë ndaj çdo përpjekjeje për destabilizim të rajonit.
“Çdo përpjekje për të rihapur konfliktet e vjetra ose për të sfiduar rendin ligjor në Ballkan do të marrë përgjigjen e duhur ligjore dhe ndërkombëtare. Paqja, siguria dhe integriteti territorial janë të paprekshëm”, përfundon eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.
