“Gabim serioz dhe llogaritje e gabuar” – analizohet premtimi i Bedri Hamzës për rritje pagash dhe rreziqet që mund të prodhohen
Edhe dy ditë na ndajnë nga fushata zyrtare për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, ndërsa partitë politike tashmë kanë filluar të bëjnë publike vendet ku do të hapet fushata.
Pavarësisht që ajo ende nuk ka filluar zyrtarisht, kandidatët për kryeministër bëjnë premtime nga më të ndryshme duke tunduar kërshërinë e qytetarit për votë.
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka deklaruar në një televizion të Kosovës, se me ardhjen e PDK-së në qeveri bizneset do të kenë mbështetje të madhe, ndërsa qytetarëve u premtoi rritje të të pagave dhe pensioneve qysh në muajt e parë të qeverisjes.
“Me PDK-në në qeveri, bizneset do të kenë përkrahje të madhe. Në muajt e parë të qeverisjes do t’i rrisim pagat. Nëse dikush e ka pagën 800 euro, me mua në pushtet paga do të jetë 1200 euro, madje do të ketë edhe paga më të larta. Përveç rritjes së pagave, do të ketë edhe rritje të pensioneve — pensioni më i ulët do të jetë 250 euro, duke i përfshirë të gjithë pensionistët,” ka thënë Hamza.
Njohësi i ekonomisë dhe analisti Ejup Gojnovci, thotë se ky premtim përbën një gabim serioz nëse realizohet ashtu siç ka deklaruar.
Ai nuk beson se ekziston ndonjë arsyetim jopartiak, racional dhe profesional që mund ta mbështesë idenë se një rritje prej 50% e pagave në sektorin publik, është njëkohësisht e realizueshme dhe e përballueshme në mënyrë të shëndetshme për ekonominë
“Premtimi i Bedri Hamzës për rritje pagash prej 50%, përbën një gabim serioz, nëse realizohet ashtu siç ka deklaruar, brenda ditëve të para të marrjes së pushtetit dhe drejtimit të qeverisë. Madje, duke marrë parasysh parametrat financiarë dhe ekonomikë që ka Kosova sot, një rritje e tillë do të ishte tepër e madhe edhe po të shtrihej përgjatë një mandati të plotë katërvjeçar.
Nuk besoj se ekziston ndonjë arsyetim jopartiak, racional dhe profesional që mund ta mbështesë idenë se një rritje prej 50% e pagave në sektorin publik, është njëkohësisht e realizueshme dhe e përballueshme në mënyrë të shëndetshme për ekonominë tonë të lodhur.
Përkundrazi, ndërmarrja e një mase të tillë do të prodhonte dëme të mëdha dhe afatgjata ekonomike. Për ta kuptuar këtë, nuk është e nevojshme me qenë ndonjë ekonomist me nam, mjafton njohja elementare e saj. Pikërisht për këtë arsye, është befasuese që ky premtim si i tillë vjen nga Bedri Hamza, që në opinion konsiderohet njohës i mirë i ekonomisë dhe ka mbajtur për vite me radhë pozita të larta në institucione ekonomike të vendit”, deklaron Gojnovci për “Bota sot”.
Ai ka nënvizuar disa nga pasojat më të thjeshta që do të sillte jetësimi i premtimit të kryetarit të PDK-së.
“Secili mund të hulumtojë dhe të gjejë efektet pozitive apo negative të një vendimi të kësaj sojtë në këtë kohë. Me njohuritë modeste që kam në këtë fushë, po nënvizoj disa nga pasojat më të thjeshta direkte që do të sillte jetësimi i premtimit të kryetarit të PDK-së dhe kandidatit për kryeministër, me qëllim jo domosdoshmërisht të kritikës ndaj tij, por ndaj rrezikut që mund të prodhojë realizimi i atij premtimi.
Së pari, një rritje prej 50% e pagave në sektorin publik do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e inflacionit dhe të çmimeve. Qytetarët do të përballeshin me kosto më të lartë jetese, ndërsa përfitimi real i rritjes së pagës do të zbehej shpejt. Kjo ka ndodhur pothuajse sa herë janë bërë rritje pagash në Kosovë, dhe qytetari është shndërruar në bartësin e parave: merr pak më shumë pagë e paguan çmime shumë më të larta. Pothuajse pa ndryshuar fare cilësia e jetës e mirëqenia e tyre. Politika e pagave nuk duhet të prodhojë iluzion mirëqenieje.
Së dyti, një rritje e tillë do të krijonte presion të rëndë mbi buxhetin e shtetit, pasi do të kërkonte vlera shumë të mëdha për të mbuluar hendekun financiar që krijohet nga një rritje lineare prej 50%.
Së treti, do të preken seriozisht investimet dhe shpenzimet kapitale, pasi pagat do të shpenzonin një pjesë të madhe të buxhetit, duke lënë më pak mjete për zhvillim dhe projekte afatgjata.
Së katërti, rritja lineare e pagave pa u lidhur me meritokracinë, performancën, cilësinë dhe përgjegjësinë, është e padrejtë dhe nuk garanton përmirësim të shërbimeve publike. Pagat e larta, pa kritere dhe pa llogaridhënie, nuk garantojnë e as prodhojnë domosdoshmërisht administratë më efikase.
Së pesti, edhe nëse sektori publik, i financuar nga taksat e qytetarëve, do të arrinte ta përballonte një rritje të tillë, sektori privat nuk do të ishte në gjendje ta ndjekë këtë ritëm. Si pasojë, shumica e të punësuarve në vend do të përballeshin me rritje çmimesh pa pasur rritje pagash”, pohon analisti.
ImageEjup GojnovciFoto galeri
Pasojat e lartpërmendura dhe shumë të tjera, sipas Gojnovcit, nuk do ta zhvillojnë ekonominë.
Ai shton se premtimet e Bedri Hamzës janë llogaritje e gabuar në rastin më të mirë, ndonëse nuk tregoi sa milionë euro është kostoja vjetore që prodhojnë këto rritje, e në rastin më të keq janë floskulë e padobishme, e rrezikshme, e panevojshme dhe mashtruese elektorale
“E sektori privat, do të humbte sigurinë dhe stabilitetin, do të detyrohej të ngadalësonte punësimet, të rriste çmimet, ndërsa investitorët potencialë do të hezitonin së investuari në Kosovë.
Të gjitha këto, dhe shumë pasoja të tjera, dëshmojnë se një rritje pagash prej 50%, e premtuar të ndodhë shpejt, nuk e zhvillon ekonominë, nuk i përmirëson shërbimet publike dhe krijon vetëm iluzion mirëqenieje, duke prodhuar kosto afatgjate që në fund i paguan shoqëria.
Bashkë me këtë premtim, Hamza premtoi se do të ketë edhe rritje të pensioneve dhe ai më i vogli do të jetë 250 euro. Bukur për të qenë e mundshme, ama ta vëmë pak në pikëpyetje, a kemi kaçik për këso rritjesh?
Me pak fjalë, premtimet e Bedri Hamzës janë llogaritje e gabuar në rastin më të mirë, ndonëse nuk tregoi sa milionë euro është kostoja vjetore që prodhojnë këto rritje, e në rastin më të keq janë floskulë e padobishme, e rrezikshme, e panevojshme dhe mashtruese elektorale, të cilën nuk duhej ta bënte, nuk duhet dhe nuk i shërben, as Hamzës e as asnjërit nga liderët politikë që mund të shërbehet me joshje të tilla të ngjashme që e kërcënojnë në esencë boshtin financiar e ekonomik në vend”, përfundon Gojnovci.
