Biserko: Vuçiq hapi dyert e ndikimit rus, Serbia po destabilizon Ballkanin
Që në fillim ka qenë e qartë se Serbia do të përpiqet të pengojë rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), veçanërisht pasi u përmend se Mali i Zi dhe Shqipëria mund të pranohen në BE deri në vitin 2030. Kështu vlerëson për gazetën malazeze Pobjeda Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Sipas saj, arsyet janë të shumta: me anëtarësimin e Malit të Zi në BE do të zvogëlohej ndikimi rajonal i Serbisë dhe do të ndalej procesi i ashtuquajtur i “serbizimit” të Malit të Zi, çka do të nënkuptonte edhe fundin e projektit “bota serbe”.
Duke komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili e quajti Malin e Zi “të mjerë” dhe e akuzoi se po i shërben Kroacisë për hir të integrimit evropian, Biserko thotë se ideja e Serbisë që i gjithë rajoni të hyjë njëkohësisht në BE është joreale.
“Propozimi që i gjithë Ballkani Perëndimor të pranohet njëkohësisht në BE është jorealist, sepse Serbia është dukshëm prapa në reformat thelbësore. BE-ja nuk ka hequr dorë nga Serbia, por vazhdon t’i kërkojë përmirësime në lirinë e mediave, forcimin e shoqërisë civile, respektimin e lirive akademike dhe luftimin e dezinformatave të jashtme”, thekson Biserko.
Ajo shton se Bashkimi Evropian vazhdimisht i vë në dukje Serbisë mungesën e përparimit në reformën e gjyqësorit dhe në krijimin e kushteve për zgjedhje të ndershme, përfshirë rregullimin e listave zgjedhore.
“BE insiston edhe në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe në përmbushjen e shumë obligimeve të tjera. E gjithë kjo tregon se Serbia nuk ka interes të sinqertë për anëtarësim në BE, por ka qëllim të qartë të pengojë rrugën evropiane të fqinjëve të saj. Politika e BE-së e bazuar në tolerimin ndaj Serbisë nuk ka dhënë rezultate, gjë që shpjegon afrimin gjithnjë e më të madh të Brukselit me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Në këtë kontekst, tashmë flitet edhe për fillimin e punës për marrëveshjen e anëtarësimit të Malit të Zi”, deklaron Biserko.
Sipas saj, është arritur në përfundimin se Serbia nuk është partnere e BE-së, por faktor presioni dhe destabilizimi.
Duke folur për ndikimin rus, Biserko vlerëson se Serbia tashmë ndodhet nën ndikim të fortë dhe malinj të Moskës.
“Mund të thuhet se Serbia, dhe veçanërisht presidenti Vuçiq, janë peng i interesave ruse. Kjo u pa qartë edhe në rastin e kompanisë NIS, ku Vuçiç shpeshherë tregon më shumë kujdes për interesat e Rusisë sesa për ato të Serbisë”, tha ajo.
Biserko kujton se pikërisht Partia Progresive Serbe (SNS) dhe Aleksandar Vuçiq i kanë hapur gjerësisht dyert ndikimit rus, i cili përmes Serbisë shtrihet në të gjithë rajonin.
“Shtetit rus i përshtatet ruajtja e status quo-së në Ballkanin Perëndimor, ndërsa radikalët dhe përparimtarët serbë mbeten instrument kyç i Moskës për realizimin e këtij qëllimi. Vuçiç tregon frikacakëri politike, sepse nuk është i gatshëm të mbrojë interesin e vërtetë të Serbisë, por po e çon vendin drejt kaosit. Tensionet po rriten dhe po krijohet një psikozë që të kujton vitet ’90. Është simptomatike që qytetarët po blejnë në panik euro dhe tashmë është e vështirë t’i gjesh”, përfundon Biserko.
