Rikthimi i të ‘vjetërve’ në listat zgjedhore: Politikë e ricikluar apo mashtrim për votuesit?
Tashmë, listat e partive politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë bërë publike. Ato përmbajnë jo vetëm emra të rinj dhe kuadro të reja, por edhe figura të njohura që kanë qenë joaktive për vite me radhë në politikën vendore.
Rikthimi i këtyre emrave, të cilët dikur mbajtën poste të larta si kryeministër, ministra, kryetarë komunash apo deputetë të Kuvendit të Kosovës, ngjall pyetje për rolin që ata do të luajnë në përbërjen e ardhshme politike.
Shumë prej tyre, si Ukë Rugova, Agim Çeku, Burim Ramadani dhe Mytaher Haskuka, etj, dikur ishin pjesë e vendimeve më të rëndësishme të vendit dhe luajtën rol të theksuar në formësimin e politikës kombëtare.
Lidhur me këtë, analistët politikë shprehen se rikthimi i figurave të njohura shpesh është më shumë retorikë se sa një përpjekje reale për reformim të partive dhe përfshirjen e kuadrove të reja dhe të afta.
Në një pronononcim për “Bota sot” opinionisti, Albert Ramadani ka thënë se partitë politike po plotësojnë listat me kandidatë që nuk kanë qenë aktivë për vite me radhë, duke u ofruar mundësi për përfitime ose pozita pranë pushtetit.
“Plotësimi i listave nga partitë politike me figura që me vite nuk kanë qenë aktive, dhe tani partitë politike për të plotësuar numrin e listave prej 110 kandidatëve, po i përfshijnë me qëllimin e vetëm, si duket, për të treguar se përveç se kemi elektorat dhe votues si parti, kemi edhe emra që i përkasin fushave të ndryshme, bizneseve apo familjarëve të tyre, duke i mbështetur dhe duke u ofruar afër pushtetit për ndonjë punë apo përfitim”, është shprehur ai.
Po ashtu, Ramadani ka theksuar se rikthimi i disa figurave në listat zgjedhore shihet si mënyrë për të rivendosur fuqinë e partive dhe për të tërhequr elektoratin.
“Shtrohet pyetja se çfarë nënkupton kthimi apo rikthimi i disa figurave në skenë përmes listave të subjekteve garuese. Rikthimi apo shfaqja e tyre shihet si një formë për të rivendosur fuqinë dhe për të tërhequr elektoratin. Për votuesit aktivë, këta garues do të mbeten sërish joaktivë; ata nuk do të ngrehin as besim, por për votuesit aktivë, të cilët ndjekin ciklet zgjedhore dhe veprimet e figurave, kjo duket qartë. Sidomos figurat e reja që partitë politike i paraqesin si ekspertë në fusha të ndryshme, shumë deputetë që janë në skenën parlamentare me mbi gjashtë legjislatura, shpesh dalin në konferenca për shtyp duke u prezantuar si figura të fuqishme. Në anën tjetër, ato përdoren kryesisht për të rifituar vende në kuvend për partitë e tyre”, është shprehur ai.
Tutje, Ramadani ka potencuar se partitë politike nuk kanë mungesë kuadrove, por shpesh nuk u japin hapësirë për veprim.
“Partitë politike nuk janë pa kuadro, por pyetja është nëse i japin hapësirë veprimi kuadrove të tyre të brendshme. Subjektet politike vazhdimisht, në çdo palë zgjedhje, hulumtojnë dhe mbledhin kuadro të reja dhe të fuqishme në fusha të ndryshme. Të gjitha kuadrot e zgjedhjeve të kaluara, partitë politike i kanë shfrytëzuar për të sjellë frymë të re në lista, ide dhe programe më të avancuara. Por politikanët me “tapi” shpesh nuk ua japin hapësirën kuadrove për të vepruar, dhe si të hyjnë ashtu edhe dalin pa pasur mundësi të ndikojnë.
Edhe në këto zgjedhje, kuadrot e reja do të prezantohen si fitimprurëse, por pas përfundimit të zgjedhjeve, rrallë janë nga këto kuadro që gjejnë vend dhe pozita për profesionin dhe për prezantimin e suksesit që ndoshta e kanë arritur, qoftë brenda apo jashtë Kosovës”, ka deklaruar Ramadani.
, ka deklaruar se problemi kryesor i skenës politike në Kosovë janë klanet partiake që operojnë që nga paslufta, duke mbrojtur interesat personale dhe grupore.
“Mendoj se problemi numër një i skenës politike në Kosovë është se partitë janë të lidhura nga klanet partiake, duke filluar nga lideri deri te strukturat, me një fjalë, tetëdhjetshi i cili, pas luftës, operon pothuajse me të njëjtin emër. Këta janë klanet kryesore që dirigjojnë politikën e partisë. Kjo ka ndodhur që nga paslufta për t’i mbrojtur interesat personale, grupore dhe klanore, bashkë me liderin e partisë. Me një fjalë, nuk ka reforma të mirëfillta në partitë tona politike.
Kosova ka nevojë për ekspertë të ekonomisë, profesorë e intelektualë që e ndryshojnë cilësinë dhe gjendjen në sistemin e arsimit. Ka nevojë për personalitete të dëshmuara dhe të afta, si në aspektin intelektual dhe politik, ashtu edhe në aspektin profesional, që dinë të ndërtojnë projekte e inovacione për ta zhvilluar ekonominë e vendit”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Muçiqi ka shtuar se rikthimi i figurave të kaluara në listat për deputetë është vetëm retorikë, pasi shumë prej tyre kanë dështuar më parë në detyrat e tyre.
“Mendoj se nuk ka ndryshuar asgjë nga e kaluara; lufta për pushtet nuk ka të ndalur, epshet karrieriste për të rrëmbyer sa më shumë pozita dhe për të përfituar sa më shumë janë synim i kësaj mendësie që po udhëheq politikën e Kosovës, e jo përkushtim për ta ndërtuar, zhvilluar dhe ruajtur vlerat. Rikthimi i disa figurave përsëri në listat për deputetë të Parlamentit të Kosovës është vetëm retorikë, kinse partia po forcohet me emra që dikur mbanin poste dhe ishin shumë të përfolur, duke dështuar në punën e tyre”, ka përfunduar Muçiqi.
