TË FUNDIT

Pse akti terrorist i Ibër-Lepenc nuk bëhet mjet akuze kundër Serbisë?!

Pas një viti hetime, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar për ngritjen e akt-akuzës kundër grupit terrorist që shkaktoi aktin e dhunës e të terrorit në Ujësjellësin e Kosovës, në vendin e quajtur Ibër – Lepenc të Zubin Potokut. Aktakuza është ngritur kundër tre pjestarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, të cilët kishin marrë pjesë në vendosjen e lëndës ekpozive dhe dëmtimin e rëndë të ujësjellësit në fjalë. Ngjarja ndodhi më 29 nëntor 2024. Dëmtimi i ujësjellësit shkaktoi probleme për furnizimin me ujë të disa qyteteve të Kosovës, përfshirë Prishtinën dhe Mitrovicën, si edhe të Termocentralit të Obiliqit.

Kur ndodhi kjo ngjarje qeveria dhe presidentja e Republikës së Kosovës e konsideruan ngajrjen si akt terrorist të sponsorizuar nga ana e Beogradit. U arrestuan asokohe tetë persona. Autoritetet policore bënë kontrolle dhe gjetën një sërë provash si uniforma ushtarake, rraketahedhëse, armë zjarri dhe municione. Dhe për këtë reaguan shumë vende europiane, si edhe Turqia. Presidentja Osmani u takua pesë ditë më vonë me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa dhe e denoncoi aktin si vepër të Serbisë.

Lajmin e njoftuan shumë agjenci lajmesh ndërkombëtare si REUTER, gazeta dhe medie të tjera. E njoftoi edhe TV Sky News. Po ashtu opinion publik e pati dënuar aktin si vepër terroriste dhe të dëmshme për Kosovën. Por pati asokohe nga ata që e konsideruan këtë vepër si mekanizëm që Albin Kurti po e përdorte për kapital politik dhe populizëm. Madje në ndonjë rast u fol dhe u shkrua për një konspiracion të qeverisë Kurti, duke tentuar që ngjarja të mos konsiderohej si vepër e terrorizmit serb.

Akt-akuza e Prokurorisë Speciale e publikuar ditët e fundit bazohet gjithashtu edhe në ekspertizën e FBI-së amerikane, e cila ka provuar se të tre personat në fjalë kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe se ata kanë kryer aktin e shëmtuar të terrorit anti-njerëzor më 29 nëntor 2924 në fshatin Vragë në veri të vendit. Madje u provua se njëri prej terroristëve ishte agjent i shërbimit sekret të Serbisë dhe me gradë ushtarake të lartë. Kjo akt-akuzë e mbështetur me hetimet e FBI-së, provoi ndërkohë edhe se kryeministri, presidentja dhe institucionet e Kosovës kishin informacion të saktë për ngjarjen dhe nuk spekulluan me të.

Në këto kushte do të ishte e udhës që ato medie që lansuan lajme të relativizimit të ngjarjes do të duhej së paku të kërkonin ndjesë dhe të sqaronin rrethanat e keqinformimit të publikut në Kosovë. Ndërkaq ngjarja tashmë e provuar dëshmon se Serbia është ende rreziik serioz për stabilitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe kjo narrativë duhet të përhapet në të gjitha kancelaritë e vendeve të Bashkimit Europian, SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe të Turqisë. Informimi është mjeti më efektiv për ta dëshmuar të drejtën e Kosovës për t’u mbrojtur nga sulmet e Serbisë.

Por përmes informimit edhe ngritja e problemit të terrorit serb në Kosovë në takime dhe samite ndërkombëtare demanton fushatën desinformuese të Beogradit. Opinioni publik në Serbi, në Kosovë e më gjerë e dinë se si asokohe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, krijoi alibinë, sipas së cilës Kosova “gënjen” dhe se rasti i aktit të terrorit në Ibër-Lepenc nuk ishte vepër e Serbisë, por një akt “sporadik” që shpjegohej me “pakënaqësinë e serbëve në Kosovë” ndaj “regjimit të Albin Kurtit”! Ai, me hipokrizi “bëri thirrje për hetim ndërkombëtar dhe ofroi ndihmën e Serbisë për ëtë hetim”! Kjo u bë me qëllim që të largohej përgjegjësia e Beogradit në këtë vepër terrori. Pikërisht për këtë arsye gënjeshtart e Serbisë duhen vënë në shënjestër të kritikës dhe kundërsulmit të Kosovës.

Akt-akuza provon se ishin njerëzit e lidhur me strukturat ushtarake dhe të shërbimit sekret të Serbisë ata që ekzekutuan aktin terrorist të Ibër Lepenc. Dhe ky fakt duhet shfrytëzuar pse Kosova e ka të pamundur që Liqenin e Ujmanit t’ia besojë administrimit të përbashkët me Serbinë. Ai liqe, nga i cili furnizohet me ujë gjysma e popullsisë së Kosovës, përfshirë Prishtinën dhe Mitrovicën, si edhe Termocentrali i Obiliqit,është jetik për shtetin dhe duhet me çdo kushte të jetë nën kontrollin shtetëror të Kosovës.

Dhe në fund duhet theksuar se ngjarja e kryer dhe akt-akuza e Prokurorisë Speciale dëshmojnë se sa të drejtë kishin kryeministri i Kosovës dhe presidentja e Republikës që akuzuan drejtpërdrejt Beogradin për aktin terrorist të Ibër Lepencit, gjë që edhe sot nuk po e bëjnë krerët e ish-opozitës, Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj. Duhet të marrë fund në Kosovë situata që për inatet ndaj Albin Kurtit, politikanë e analistë të caktuar të “shkojnë dhe flenë” me Aleksandër Vuçiq!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *