TË FUNDIT

Nga kampet ushtarake në Serbi te sulmi në Ibër-Lepenc, ekspertët zbardhin prapaskenat dhe japin alarmin

Dëshmia e dhënë nga Jovan Viqentijeviq para autoriteteve të Kosovës ka hapur një kapitull alarmues për sigurinë e vendit.

“I pandehuri, gjatë transportimit të tij nga Mitrovica e Veriut në Prishtinë, më datë 2.12.2025, dhe pastaj gjatë dërgimit të tij në qendrën e paraburgimit më datë 3.12.2025, në bisedë me zyrtarët policorë kishte dhënë informacione në lidhje me veprimtarinë e tij të kundërligjshme, e po ashtu edhe për persona të tjerë të involvuar në veprime të ngjashme, duke pohuar se ka marrë pjesë në ushtrimet në kampin e ushtrisë serbe të quajtur “Pasuljanske Livade” në Serbi. Atje ka qëndruar dhe është trajnuar prej datës 14.9.2023 deri më datën 23.9.2023”. Sipas tij, aty kanë qenë duke u trajnuar rreth njëqind e njëzet (120) persona nga veriu i Kosovës, të gjithë të nacionalitetit serb”, thuhet në një pjesë të aktakuzës kundër Jovan Viqentijeviqit, njërit nga vëllezërit Viqentijeviq, i cili akuzohet për sulmin me rreth 20 kilogramë eksploziv të kryer një vit më parë në kanalin e Ibër-Lepencit.

Pranimi i tij se ka marrë pjesë në trajnime ushtarake në Serbi, së bashku me rreth 120 persona nga veriu i Kosovës, si dhe përfshirja e dyshuar në veprimtari të kundërligjshme dhe spiunazh, kanë rikthyer frikën e skenarëve të njohur të destabilizimit.

Ekspertët dhe analistët thonë se këto deklarime janë dëshmi që ngrenë dyshime serioze për ekzistencën e strukturave aktive, të organizuara dhe të gatshme për veprime të reja kundër sigurisë së Kosovës.

Shala: Rreziku nuk ka kaluar, strukturat e trajnuara në Serbi mbeten kërcënim real

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se të dhënat e publikuara ditëve të fundit dëshmojnë se këto nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një veprimtarie të organizuar.

“Institucionet e sigurisë së vendit po e trajtojnë me seriozitet maksimal çështjen e trajnimeve të paligjshme në Serbi dhe lidhjet e dyshuara të disa individëve me aktivitete spiunazhi. Të dhënat e bëra publike ditëve të fundit, përfshirë deklarimet e Jovan Viçentijeviqit për përgatitje ushtarake të grupimeve nga veriu, tregojnë qartë se ekzistojnë struktura që kanë tentuar të ndërtojnë kapacitete operative jashtë kontrollit të ligjit dhe institucioneve të Kosovës”, shprehet Shala.

Sipas tij, rreziku për destabilizim nuk është zhdukur dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme institucionale.

“Në këtë situatë, vlerësimi i institucioneve të sigurisë është i qartë: rreziku për tentativa të tjera destabilizuese nuk është zhdukur. Përkundrazi, për shkak të natyrës së organizuar të trajnimeve, përfshirjes së elementeve të jashtme dhe faktit se disa prej personave të përfshirë kanë pasur qasje në informacione të ndjeshme, vendi duhet të mbetet vigjilent”, thekson ai.

Shala thotë se ngritja e aktakuzës për sulmin në kanalin Ibër–Lepenc është hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm.

“Ngritja e aktakuzës për rastin e sulmit në kanalin Ibër–Lepenc është një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Ky proces tregon se shteti ka vullnet dhe kapacitet për t’i çuar para procedurat ligjore pavarësisht presioneve apo tentimeve për të manipuluar narrativën publike”, thotë Shala.

Ai paralajmëron se parandalimi i rrezikut kërkon veprim të integruar.

“Megjithatë, duhet theksuar qartë se vetëm aktakuza nuk mjafton për të garantuar që nuk do të ketë tentativa të tjera për destabilizim. Rreziku reduktohet vetëm nëse krahas procesit gjyqësor vazhdojnë operacionet inteligjente, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, prishja e rrjeteve logjistike dhe monitorimi i afërt i elementeve të lidhura me strukturat që operojnë nga territori i Serbisë”, nënvizon Shala.

Në fund, ai thotë se institucionet janë të vendosura ta çojnë procesin deri në fund.

“Institucionet e Kosovës janë të vendosura t’i çojnë deri në fund hetimet, t’i zbardhin plotësisht motivet dhe rrjetet e përfshira dhe të sigurojnë që askush, brenda apo jashtë vendit, të mos ketë mundësi të shfrytëzojë hapësira ligjore, politike apo operative për të cenuar sigurinë e Republikës. Kosova ka kapacitetet, aleatët dhe vullnetin për t’i parandaluar dhe për t’i penguar çdo tentativë destabilizimi”, përfundon Shala.

Meha: Dëshmia e Viçentijeviqit konfirmon trajnime masive në Serbi, rreziku ekziston por është i reduktuar

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Xhevat Meha, thotë se kjo dëshmi vetëm sa i konfirmon informacionet që kanë qarkulluar prej kohësh.

“Këto ditë, në një seancë gjyqësore, Viçentijeviq dëshmoi se ka qenë pjesëmarrës në stërvitje në bazat ushtarake të Serbisë së bashku me 120 individë të tjerë. Kjo vetëm sa vërtetoi raportimet gjatë vitit të kaluar dhe më herët se nëpër bazat ushtarake të shtetit të Serbisë stërviten grupe me qindra individë”, shprehet Meha.

Sipas tij, këto grupe kishin qëllim të qartë operativ.

“Këta stërviteshin për të kryer aksione sulmi në veri të Kosovës. Këta kanë paraqitur rrezik serioz për sigurinë në Kosovë”, thekson ai.

Meha rikujton se raportime të tilla kanë ekzistuar deri në një moment të caktuar.

“Raportime për stërvitje ka pasur deri në vizitën e Shefit të CIA-s vitin e kaluar në Kosovë, Bosnje dhe Serbi. Pas kësaj vizite raportimet e tilla u heshtën. Sigurisht gjatë kësaj vizite ka pasur ndërhyrje nga Shefi i CIA-s dhe besoj se pas kësaj këto grupe janë shpërndarë”, deklaron Meha.

Megjithatë, ai paralajmëron se rreziku nuk mund të konsiderohet i eliminuar plotësisht.

Rreziku nga këto lloj grupe të individëve për sulme në veri nuk eliminohet, mirëpo besoj se pas shpërndarjes së këtyre individëve rreziku është minimal. Nëse këta individë ri-grupohen në çfarëdo forme tjetër, do të mund të krijojnë rrezik për sigurinë e Kosovës”, përfundon Meha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *