TË FUNDIT

Halil Geci rreshtohet hapur me Koalicionin VV–Guxo–Alternativa, kërkon largime nga LDK

Veprimtari Halil Geci ka deklaruar publikisht mbështetjen e tij për Koalicionin VV–Guxo–PShDK–Alternativa, duke u distancuar nga LDK-ja aktuale, të cilën e akuzon për devijim nga fryma rugoviane.

Geci thekson se do të mbështesë të gjithë ata që mbrojnë kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Kosovës, ndërsa shpreh mbështetje të veçantë për kandidaturën e djalit të tij, dr. Fatos Geci.

Ai nënvizon se mbetet i palëkundur në bindjet e tij politike dhe në përkrahjen për ndryshimin dhe reformimin e skenës politike në vend.

Shkrimi i plotë:

UNË JAM ME ATA QË MBROJNË SHTETIN, JO ME ATA QË E SHESIN LIRINË

Në politikë, si në jetë, ka momente kur duhet të flasësh qartë dhe pa ekuivoke. Ky është një prej atyre momenteve. Unë i takoj rugovistëve të përjashtuar dhe të nënçmuar, por mbetem i palëkundur në bindjet e mia politike dhe kombëtare.

Me këtë shkrim dëshiroj t’u bëj të qartë të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, por edhe lexuesve të mi, se pozicioni im politik është i qartë, i sinqertë dhe i pandryshueshëm.

Qëndrimi im buron nga bindja, përvoja dhe përkushtimi ndaj Kosovës, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit të saj.

Miqtë e mi, për ju disa që nuk e keni ditur: unë jam Halil Geci, baba i dr. Fatos Gecit, kandidat i rugovistëve të përjashtuar, tani pjesëtar i partisë Guxo dhe mbështetës i Koalicionit VV–Guxo–PShDK–Alternativa.

Ju i dini prononcimet e mia publike kundër atyre që e kanë pruar LDK-në në vetëm 10%.

Derisa LDK t’i largojë njerëzit e Isës dhe Hashimit nga kjo parti dhe t’ia hapë rrugën Vjosa Osmanit, Donika Gërvallës dhe rugovistëve të nënçmuar e të përjashtuar, dhe derisa t’i largojë nga LDK-ja Lutfi Hazirin, Avdullah Hotin dhe rrethin e tyre, unë do të mbetem kritik i kësaj partie dhe njëkohësisht mbështetës i Koalicionit të përmendur më lart.

Do ta mbështes këtë koalicion dhe do të jem pjesë e tyre pa asnjë hezitim. Në mënyrë të veçantë, do të jem mbështetës i Yllit tim, djaloshit tim guximtar, dr. Fatos Gecit, në udhëtimin e tij drejt fitores. Natyrisht, pa ndihmën tuaj, as unë dhe as Ftosi nuk jemi askushi.

Unë do t’i mbështes dhe do t’i votoj të gjithë ata që e mbrojnë kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Kosovës sonë të shtrenjtë, pa marrë parasysh se cilës parti apo koalicioni i takojnë. Këtë mbështetje e kam dhënë tash e gjashtë vjet dhe do ta jap edhe më tej, pa rezervë.

Zagarët e amanetit të Rankoviçit, e të Hashimit dhe Isës, lehin, por karavani ecën me mbi 51%.

Me besim në Zot, në popull dhe në të ardhmen e Kosovës, u uroj suksese forcave politike që sot përfaqësojnë ndryshimin dhe shpresën për shtetin tonë. Zoti na e priftë mbarë dhe na ndihmoftë në mbrojtjen e Republikës së Kosovës, të ligjit dhe të interesit kombëtar.

U drejtohem qytetarëve dhe votuesve të partisë Guxo dhe të Koalicionit VV–Guxo–PShDK–Alternativa: nëse vlerësoni se dr. Fatos Geci është kandidati i duhur për të përfaqësuar interesin qytetar dhe shtetëror, kërkoj mbështetjen dhe votën tuaj.

Në çdo rrethanë, unë do të mbetem një mbështetës i palëkundur i këtij koalicioni dhe do të punoj pa u ndalur për mbrojtjen e Kushtetutës, sovranitetit dhe interesit kombëtar.

Me respekt,

Halil Geci

Prishtinë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *