SHBA bllokon skenarët për ndarje në Ballkan, Bytyçi tregon mesazhin amerikan për Kosovën
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është dorëzuar një projektligj që ndalon qartë dhe prerazi çdo përpjekje për shkëmbim territoresh, ndarje të Kosovës dhe çdo rivizatim kufijsh mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor.
Drafti, i përgatitur nga një grup kongresmenësh dhe senatorësh, pritet të kalojë procedurat e Kongresit dhe të bëhet detyrim ligjor për politikën e jashtme të SHBA-ve.
Ky është sinjali më i fuqishëm i Uashingtonit pas shumë vitesh paqartësish diplomatike, duke i dhënë fund njëherë e mirë skenarëve të rrezikshëm për ndarjen e Kosovës.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi, e quan projektligjin “lëvizje historike” dhe “dhuratën më të madhe që SHBA i ka bërë Kosovës në momentin më kritik”.
Bytyçi thotë se njohjet e deritanishme e kanë përforcuar shtetësinë, por jo domosdoshmërisht sovranitetin në çdo centimetër të territorit.
ImageProf. Dr. Enver BytyçiFoto galeri
“Kosovën e kanë njohur deri më sot 120 vende… Shumë prej tyre nuk janë deklaruar se apo njohin edhe sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e saj… Me deklaratat kundër ndryshimit të kufijve, atë kanë përforcuar njohjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës në të gjithë territorin e saj.”
Ai e vlerëson projektligjin e ri amerikan si kthesë të madhe.
“Një grup kongresmenësh dhe senatorësh kanë përgatitur një projekt-ligj me të cilin ata shprehen se SHBA-të nuk do të ndjekin asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose rivizatimin e kufijve… Ky përcaktim… e bën të detyrueshëm edhe për ekzekutivin e fuqisë më të madhe në botë”, nënvizon Bytyçi.
Sipas tij, ligji përforcon jo vetëm Kosovën dhe Bosnjën, por edhe shtetet e tjera që po përballen me presionin ruso-serb.
“Në një farë mënyre e shoh këtë ligj (projekt) si një lëvizje shumë të rëndësishme të politikës dhe diplomacisë amerikane në drejtimin e duhur, me qëllim që në rajonin tonë dhe në Europë të ruhet paqja, stabiliteti dhe siguria. Ligji garanton dhe përforcon shtetësinë e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, dy vende ballkanike që kërcënohen drejtpërdrejt nga ana e Serbisë. Por është edhe në dobi të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, kundër të cilave Rusia dhe Serbia zhvillojnë një lloj lufte hibride. Ndërsa për Kosovën, njohja e sovranitetit dhe integritetit territorial është po aq e rëndësishme sa edhe njohja e shtetësisë. Thuhet se njohja e shtetësisë e nënkupton njohjen e integritetit territorial. Por nuk është krejt e njëjta gjë”, shprehet Bytyçi.
Profesori e lidh drejtpërdrejt ligjin me ndryshimin e klimës politike në SHBA.
“Ky zhvillim ishte dhe duhej të ishte i pritshëm… Nëse Amerika e sotme nuk pengon projektet e Soros për ta destabilizuar Ballkanin dhe Europën me ndryshimin e kufijve… retorika e presidentit Trump për ruajtjen e paqes do të ishte fiktive.”
Bytyçi përmend edhe arsyet që e kanë shtyrë SHBA-në të veprojë qartë e prerë – e para, agresioni i hapur i Serbisë.
“Serbia me aktet terroriste kundër Kosovës, në vend të vejë vetullat, i nxori sytë e vet. Kam parasysh aktin terrorist që organizoi në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe atë Ibër-Lepenc të 29 nëntorit 2024. Në të dy rastet Beogradi i dëshmoi botës se është një kryeqytet i cili kërkon t’i ndryshojë kufijtë e Serbisë me anën e dhunës dhe akteve të terrorit”, shpjegon profesor Bytyçi.
E dyta, rezistenca profesionale e institucioneve të Kosovës.
“Kosova këto vitet e fundit rezistoi. Madje me përgjegjësi politike dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm të strukturave të saj të sigurisë. Të dyja aktet e terrorit serb i denoncoi para syve të botës demokratike, duke sjellë prova dhe fakte të pakundërshtueshme. Shteti i Kosovës dëshmoi se është i gatshëm dhe i aftë të kryejë detyrat e tij në mbrojtje të territorit dhe të ushtrojë sovranitetin në të gjithë sipërfaqen e këtij territori, edhe në veri. Kjo ka bërë që të hiqet nga axhenda çdo opsion për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve. Ky është suksesi më i madh dhe spektakolar i qeverisë së zotit Kurti, presidentes Osmani dhe institucioneve të tjera të Kosovës, përfshirë policinë dhe forcat e sigurisë. Qoftë dhe vetëm për këtë fakt të pamohueshëm, qeveria Kurti meriton edhe një mandat të dytë në zgjedhjet e 28 dhjetorit”, deklaron Bytyçi.
E treta, aleanca strategjike e Kosovës.
“Kosovës i ka dalë në krah gjithmonë Turqia… Një rol të rëndësishëm po luajnë edhe Gjermania dhe Britania e Madhe… Kësisoj SHBA-të kishin një arsye më shumë të kujdesen për kufijtë e Kosovës. Koha po dëshmon faktin se sa të drejtë patën kundërshtarët e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës dhe se sa jetike është për ekzistencën e shtetit të Kosovës respektimi i integritetit territorial të saj. Vetëm Zoti i shpërblen qëllimet dhe veprimet e mira dhe ligji amerikan për mosndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor është dhuratë prej Zotit dhe SHBA-ve! Madje një dhuratë në kohën e duhur!”.
Ai lëshon edhe një mesazh të fortë për politikanët shqiptarë që dikur përkrahën ndarjen:
“Ky lajm nuk është i mirë për ata shqiptarë që u përfshinë në lojën me kufijtë dhe punuan për ndarjen e Kosovës. Këta shqiptarë, ku bëjnë pjesë dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të skuqen një ditë përpara publikut për veprën tradhtare në tentativë, që Zoti, Amerika, Anglia, Turqia dhe Gjermania e pamundësuan. Por meritë patën dhe kanë edhe të gjithë ata faktorë vendorë që kundërshtuan me forcë projektin e Serbisë së Madhe, si ish-kryeministri Ramush Haradinaj, opozita e Kosovës e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, apo ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.
