“Perëndimi po gabon rëndë”, paralajmëron profesori britanez: Kosova, sot më e rrezikuar se kurrë që nga viti 1999!
Gazeta “Bota sot” sjell një intervistë ekskluzive me profesor Aidan Hehir, ekspert i njohur i politikës ndërkombëtare dhe i zhvillimeve në Ballkan.
Ai flet për zhvillimin e Kosovës, sfidat e brendshme dhe të jashtme, gabimet e Perëndimit, kërcënimin nga Serbia dhe strategjitë që Kosova duhet të ndjekë për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e saj.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e vlerësoni zhvillimin e Kosovës si shtet që nga periudha e pasluftës? Çfarë ka arritur dhe cilat sfida mbeten ende?
Prof. Aidan Hehir: Kosova sot është një nga vendet më të sigurta në botë dhe ka një skenë të gjallë artistike. Sipërmarrësit lokalë e kanë kthyer vendin në një hapësirë të gjallë për të jetuar dhe punuar. Duke pasur parasysh shkatërrimet e viteve ’90, kjo është dëshmi e rezistencës dhe energjisë kreative të popullit të Kosovës.
Megjithatë, shumë më tepër mund të ishte arritur. Për vite me radhë pas luftës, liderët politikë u fokusuan në pasurimin personal dhe në bindjen e plotë ndaj çdo kërkese të ndërkombëtarëve. Kjo solli korrupsion të thellë, papunësi masive, sistem shëndetësor e arsimor të degraduar dhe emigrim masiv.
Pas vitit 2008, Perëndimi u fokusua te Serbia, ndërsa Kosova u detyrua të zbatonte masa që cenonin sovranitetin – përfshirë Asociacionin, demarkacionin me Malin e Zi dhe Dhomat e Specializuara. Zgjedhjet e vitit 2021 shënuan një kthesë pozitive, por pasojat e keqqeverisjes së gjatë dhe presionet e ndërkombëtarëve kanë lënë një trashëgimi të rëndë. Sot, sfida më e madhe mbetet Serbia, e cila është forcuar nga mbështetja perëndimore.
“Bota sot”: A mendoni se Kosova ka arritur të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme dhe konstruktive me shtetet tjera? Në cilat fusha ka qenë më e suksesshme?
Prof. Aidan Hehir: Diplomacia e Kosovës ka qenë kryesisht e dobët. Pas pavarësisë dhe vendimit të GJND-së, u krijua ideja e gabuar se kjo ishte e mjaftueshme dhe se prania e KFOR-it garantonte stabilitetin. Si pasojë, Kosova nuk investoi në diplomaci aktive, nuk hapi ambasada në shtete kyçe për vite të tëra dhe emëroi ambasadorë pa përgatitje.
Ndërkohë, Serbia ka zhvilluar një fushatë të koordinuar lobimi në gjithë botën. Kosova nuk e ka marrë me seriozitet këtë sfidë dhe sot e humb betejën ndërkombëtare për shkak të një qasje të plogësht dhe deklarative.
“Bota sot”: Si e vlerësoni sot pozicionin diplomatik të Kosovës ndaj SHBA-së, BE-së dhe fqinjëve rajonalë?
Prof. Aidan Hehir: Pas 2008-s, Kosova mbeti pas dhe nuk arriti të ruajë marrëdhënie konstruktive me aleatët e saj. Për shumë kohë u soll si një shtet pa vizion, prandaj nuk u respektua as nuk pati ndikim në vendimet ndërkombëtare.
Pas vitit 2021, qeveria ndryshoi qasjen, por ndërkombëtarët ishin mësuar ta trajtonin Kosovën si të nënshtruar. Reaguan ashpër kur Kosova refuzoi politikat që favorizonin Serbinë, si rasti i Asociacionit. Megjithatë, qeveria e Kosovës veproi drejt, duke mbrojtur sovranitetin dhe duke ekspozuar rrezikun e regjimit autoritar pro-rus në Beograd.
“Bota sot”: Serbia ka kryer vazhdimisht veprime kërcënuese dhe sulme ndaj Kosovës. Pse komuniteti ndërkombëtar nuk ka vendosur sanksione serioze ndaj saj?
Prof. Aidan Hehir: Është skandaloze që regjimi serb ka furnizuar me armë grupet e tij militante në Kosovë dhe ka futur forca të sigurisë në territorin kosovar pa pasoja. KFOR-i ka mungesë vullneti ose kompetence për të parandaluar këtë dhe po dështon në misionin e tij.
Po aq skandaloze është heshtja ndërkombëtare. Politika aktuale ndaj Serbisë udhëhiqet nga interesat ekonomike dhe sidomos nga dëshira për qasje në resurset e litiumit. Nëse kjo qasje nuk ndryshon, rreziku i luftës është shumë real. Kosova nuk mund të mbështetet verbërisht te aleatët e vitit 1999.
“Bota sot”: A i duhet Kosovës normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë në rrethanat aktuale?
Prof. Aidan Hehir: Jo. Normalizim nuk mund të ketë me një regjim autoritar që nuk e njeh Kosovën, mohon krimet e luftës dhe vazhdon të mbështesë milicitë terroriste brenda Kosovës.
“Bota sot”: Franca dhe Italia kundërshtuan heqjen e masave ndaj Kosovës. Sa shqetësues është ky qëndrim dhe cili është mesazhi i tyre politik?
Prof. Aidan Hehir: Franca dhe Italia nuk janë partnerë të besueshëm. Ato historikisht kanë treguar mungesë guximi për t’u përballur me agresionin dhe shpesh kanë përkrahur Serbinë më shumë sesa Kosovën. Qëndrimet e tyre të fundit janë vazhdimësi e kësaj politike të gabuar.
“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë? A ka rrezik real për tensione të reja apo konflikte rajonale?
Prof. Aidan Hehir: Sot Kosova është më e rrezikuar se në çdo moment që nga viti 1999. Sulmet në Banjskë dhe shkatërrimi i kanalit të ujit nuk ishin raste të izoluara. Regjimi i Vuçiqit synon shkatërrimin e pavarësisë së Kosovës si pjesë e projektit të “Serbisë së Madhe”.
Milicitë serbe brenda Kosovës janë armatosur dhe inkurajuar nga Beogradi për të rritur sulmet. Paralelisht, Beogradi po shpërndan propagandë se “Kosova po kryen spastrim etnik”, me qëllim që të krijojë arsyen për ndërhyrje ushtarake. Këto janë taktika të ngjashme me ato të Millosheviqit dhe Putinit.
“Bota sot”: Cilat strategji do t’i rekomandonit Kosovës për të forcuar pozicionin ndërkombëtar dhe për të adresuar çështjet me vendet fqinje?
Prof. Aidan Hehir: Kosova duhet të mbajë qëndrimin ndaj kërcënimit serb dhe të mos pranojë kompromis të dëmshëm. Është më mirë të marrë kritika afatshkurtra sesa të sakrifikojë stabilitetin afatgjatë.
Nuk duhet të rikthehet mendësia se mjafton të kërkosh miratimin e të huajve. Shpejt do të bëhet e qartë natyra e vërtetë e regjimit serb, dhe atëherë ndërkombëtarët do të kuptojnë gabimin e mbështetjes së Vuçiqit.
Kosova duhet të rishqyrtojë varësinë nga KFOR-i, pasi shumë shtete kontribuuese nuk e njohin Kosovën, ndërsa disa – si Hungaria – mbështesin hapur Serbinë. Ato nuk janë të besueshme në rast krize.
Është jetike që Kosova të forcojë bashkëpunimin me shtetet që mund ta ndihmojnë realisht, si Mbretëria e Bashkuar, të ndërtojë marrëveshje të qarta ushtarake me to dhe të vazhdojë forcimin e ushtrisë së vet.
