“Në fundin politik të Hashim Thaҫit u përfshi edhe Bedri Hamza, ky nuk sjellë asgjë të re”
Publicisti Idriz Zeqiraj e cilëson zgjedhjen e Bedri Hamzës në krye të PDK-së si përpjekje të dëshpëruar për të maskuar mungesën e alternativës politike dhe reformës së brendshme.
Publicisti Idriz Zeqiraj ka hedhur kritika të ashpra ndaj kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, duke e quajtur retorikën e tij politike të konsumuar dhe pa përmbajtje reale. Sipas Zeqirajt, përdorimi i numrit 130 si “numër i fitores dhe stabilitetit” është një përpjekje e dobët për ta sfiduar Lëvizjen Vetëvendosje dhe për të krijuar një iluzion rreth ringritjes së PDK-së.
“Retorika e Bedri Hamzës për numrin 130 si simbol i fitores dhe stabilitetit është një gjuhë e shpëlarë, boshe dhe e dëshpëruar. Është tentativë për të fshehur mungesën e plotë të alternativës politike, mungesën e ideve dhe mungesën e çdo risi që do t’i sillte PDK-së prurje të reja,” shprehet Zeqiraj.
ImageIdriz ZeqirajFoto galeri
Ai thekson se e vetmja ‘prurje’ që PDK-ja po e promovon si garanci fitoreje është vetë Bedri Hamza, gjë që sipas tij përbën një paradoks politik. “U mbars mali dhe polli një mi – kështu mund të përshkruhet kjo ‘ringritje’ e shpallur me bujë e pompë,” shton publicisti.
Zeqiraj vë në dukje se premtimet për “bashkim, stabilitet, normalitet dhe zhvillim ekonomik”, të cilat Hamza i artikulon, janë slogane të përsëritura ndër vite nga drejtuesit e PDK-së, por që asnjëherë nuk janë materializuar.
“Këto emërtesa janë përdorur nga krerët mashtrues të PDK-së nga zgjedhjet në zgjedhje dhe kanë mbetur gjithmonë premtime të parealizuara,” thekson ai.
Duke iu referuar listës zgjedhore të PDK-së, Zeqiraj shprehet se ajo nuk paraqet asnjë shenjë reforme.
“Lista e re është kopje e listës së vjetër, tashmë e dalë boje. Aty dominojnë figura të konsumuara, përfshirë ish-pjesëtarë të SHIK-ut, një organizatë ilegale kriminale që e ka përgjakur Kosovën me vrasje të kundërshtarëve politikë,” deklaron Zeqiraj.
Ai shton se disa kandidatë të PDK-së, edhe pse të penalizuar nga gjykatat, kanë tentuar të rikthehen në pushtet, por janë refuzuar nga qytetarët.
“Në këtë gjendje kaotike të PDK-së së Hamzës, çdo ide reforme përjashtohet. Shqiptarët vendorë dhe diaspora e refuzojnë qartë dhe zëshëm rikthimin e PAN-it në pushtet,” shprehet publicisti.
Zeqiraj ndalet edhe te çështja e dialogut Kosovë–Serbi dhe rreziku i pazareve territoriale, duke akuzuar ish-krerët e PDK-së për plane të rrezikshme nën maskën e shkëmbimit të territoreve.
“PRONTO-mafia e PDK-së, përveç krimeve dhe hajnive, ka bërë pazare të rrezikshme që kanë synuar ndarjen e Kosovës dhe cenimin e sovranitetit territorial,” thotë ai.
Në këtë kontekst, Zeqiraj përmend publikisht rolin e Baton Haxhiut, të cilin e cilëson si këshilltar të trefishtë të Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiqit.
“Ai ka shpalosur platformën e ndarjes së Kosovës në televizione të Prishtinës dhe Tiranës, duke propozuar dhënien e veriut të Mitrovicës Serbisë, mbylljen e Gjykatës Speciale dhe faljen e krimeve,” thekson Zeqiraj.
Ai kritikon ashpër edhe qëndrimet e ish-ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuqi, duke thënë se thirrjet për ‘harresë’ të krimeve janë të papranueshme.
“Krimit kurrë nuk i skadon afati. Kjo është normë themelore e drejtësisë që është injoruar qëllimshëm,” deklaron Zeqiraj.
Publicisti kujton edhe protestat qytetare kundër ndarjes së Kosovës dhe e konsideron atë periudhë si fundin politik të Hashim Thaçit dhe rrethit të tij, përfshirë Bedri Hamzën.
“Ajo ditë shënoi fundin politik të Hashimit me shokë. Hamza ishte pjesë e asaj varke dhe nuk sjell asgjë të re,” thekson ai.
Në fund, Zeqiraj shpreh shqetësim për përçarjen e lobit shqiptar në SHBA dhe kontaktet e Hamzës me figura të kontestuara.
“Lobi shqiptar, dikur i fortë dhe i bashkuar për Kosovën, sot është zëvendësuar me lobim për mbylljen e Gjykatës Speciale dhe lirimin e të akuzuarve për krime lufte, gjë që bie ndesh me interesat e Kosovës dhe me qëndrimet e administratës amerikane,” përfundon ai.
