Amerika godet skenarët ruso-serbë për ndarjen e Kosovës, eksperti zbërthen sinjalin e SHBA-së
Projektligji i ri i Kongresit amerikan, i cili ndalon kategorikisht çdo ide për ndryshimin e kufijve në Ballkan, po konsiderohet nga ekspertët si “vija e kuqe” për Serbinë, Rusinë dhe çdo aktor tjetër që ka tentuar ndër vite të rikthejë skenarët e rrezikshëm për ndarjen e Kosovës.
“SHBA-ja nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon”, thuhet në projektligjin e propozuar në SHBA.
E me këtë projektligj, Uashingtoni e ka mbyllur kapitullin për ndarjen e Kosovës përfundimisht. Së paku kështu thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, sipas të cilit, ky veprim amerikan është mesazhi më i fortë strategjik i viteve të fundit për stabilitetin në Ballkan.
“Deklarimi i qartë i Shteteve të Bashkuara kundër çdo ideje për ndryshim kufijsh në Ballkan është një prej mesazheve më të rëndësishme strategjike të viteve të fundit për rajonin. Ky pozicion nuk është i ri… por sot ai riformulohet me më shumë forcë, për t’i dhënë fund përpjekjeve për ta rikthyer këtë debat në agjendë”, thotë Voca.
Ai sqaron se burimi i ideve për ndarje nuk ka ardhur kurrë nga SHBA.
ImageDr. Mirsad VocaFoto galeri
“Duhet thënë qartë se idetë për ndryshim kufijsh nuk kanë ardhur kurrë nga Uashingtoni. Ato janë shtyrë nga qarqe nacionaliste serbe, nga lobimi serbo-rus dhe herë pas here edhe nga individë apo grupe shqiptare të keqorientuara”.
Sipas Vocës, historia ka treguar se ndarja territoriale nuk sjell paqe, por konflikte të reja. Profesori thekson se nisma e re ligjore nga Kongresi amerikan i jep fund përpjekjeve të Vuçiqit dhe sponsorëve të tij rusë për të ringjallur idenë e ndarjes së Kosovës.
“Ky projektligj e mbyll përfundimisht këtë kapitull. Ai i jep një mesazh të prerë Beogradit dhe Moskës se kufijtë në Ballkan nuk do të rinegociohen, dhe çdo tentativë për skenarë etnikë shihet si kërcënim ndaj sigurisë euro-atlantike”, shpjegon Voca.
Voca thekson se për Kosovën ky është konfirmim strategjik.
“Ky është një konfirmim i fuqishëm se SHBA mbetet garancia kryesore e sovranitetit të Kosovës. Në një kontekst ku tensionet burojnë nga Serbia, pozicioni amerikan dërgon sinjal të qartë se strategjitë destabilizuese nuk gjejnë më hapësirë në arkitekturën e sigurisë së Perëndimit”, shpjegon Voca.
Më tej, Voca thotë se SHBA ka vendosur vijën e fundit të sigurisë për rajonin.
“Për rajonin, ky është mesazh i qartë se e ardhmja nuk ndërtohet mbi kufij të rinj, por mbi demokraci, sundim të ligjit, fqinjësi të mirë dhe orientim të pakthyeshëm perëndimor.”
Për Kosovën, ai e cilëson këtë deklaratë si garanci të pakushtëzuar për stabilitetin territorial.
“Për Kosovën kjo deklaratë nuk është thjesht mbështetje politike, por një garanci strategjike që e vulos stabilitetin e saj territorial dhe e vendos qartë në anën e aleancës që garanton paqen në Ballkan”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca.
