Një ditë e madhe për Kosovën në Kongresin amerikan
E pritëm, me të drejtë me gëzim të madh, ditën e Seancës Dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, të kryesuar nga kongresisti i njohur Keith Self, mik i shqiptarëve.
Dhe nuk u zhgënjyem. Pyetjet dhe çështjet e ngritura nga kongresistët dhe përgjigjet e dhëna nga dëshmitarët—sa herë që bëhej fjalë për Kosovën—ishin pothuajse të gjitha në favor të Kosovës. Serbia ishte në bankën e të akuzuarve për të gjitha politikat e saj shkatërruese dhe destabilizuese në Ballkan.
Ndër pikat më të rëndësishme ishte kritika e ashpër drejtuar Serbisë për shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut të popullsisë shqiptare që jeton në trojet autoktone të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Të gjithë të pranishmit u pajtuan për këtë pikë, dhe kongresisti Self madje paraqiti një rezolutë kongresionale e cila mund të konsiderohet historike.
U theksua rreziku që paraqet hegjemonia ruso-serbe, me kërkesën që Administrata Trump të angazhohet më shumë për ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor.
Amerika ka investuar shumë në Kosovë që nga viti 1999. Ky investim duhet mbrojtur, ruajtur dhe zhvilluar më tej. Meqenëse Evropa, për shumë arsye, nuk ka kapacitetin për të frenuar agresionin serb, është thelbësore që Amerika të jetë e përfshirë drejtpërdrejt dhe vendosmërisht në Ballkan. Konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet vetëm përmes ndërhyrjes amerikane.
Propozimi i z. Edward Joseph për anëtarësimin e Kosovës në NATO është zgjidhja më e shpejtë e problemit me Serbinë, sepse shuan shpresat serbe për ndryshim kufijsh dhe për t’u kthyer në vendin ku ka kryer krimet e saj.
Angazhimi amerikan është gjithmonë lajm i mirë për Kosovën, me kusht që të punohet shumë me zyrtarët amerikanë—duke biseduar qetë, me argumente dhe me respekt.
Krejt këto lajme të mira për Kosovën u përpoqën t’i zvogëlonin, t’i shtrembëronin dhe t’i keqpërdornin për interesa personale, klanore dhe partiake disa përfaqësues të partive opozitare të Kosovës, bashkë me analistët dhe gazetarët e tyre nga të gjitha anët, të shitur te armiqtë e popullit shqiptar.
Në stilin “o mulni burra, se u kall Bistrica”, ata u fiksuan vetëm pas 15 sekondave të këtij sesioni të jashtëzakonshëm—më shumë se katër orësh—në të cilin, gjatë një prej pyetjeve të shkurtra rutinë të kongresistit Self rreth asaj nëse disa burokratë të karrierës në Departamentin e Shtetit e konsiderojnë Kryeministrin Albin Kurti si “obstruksionist”, dy panelistë u përgjigjën po, dhe i treti kryesisht po.
Në shumë media, sidomos në rrjetet sociale, shpërthyen tituj sensacionalë dhe të turpshëm kundër Kurtit, me parashikime fantastike e iluzore për “fundin” e karrierës së tij politike. Filloi kori i “penguesi, bllokuesi”, së bashku me vallen e kundërshtarëve të tij dhe armiqve të Kosovës. Gati sa nuk eksplodoi interneti. Dita pas dëgjimit ishte ditë cirku—do të ishte qesharake, po të mos ishte e turpshme.
Ku ishin këta kllounë tre vjet më parë, kur në një seancë të Senatit, senatori Menendez e pyeti zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit Derek Chollet nëse presidenti Vuçiç kishte lidhje me krimin e organizuar, dhe ai u përgjigj Po?! Merreni me mend sikur kjo të ishte thënë për z. Kurti—do të ishte bërë kiameti.
Dihet mirë se burokratë të ndryshëm të karrierës në Departamentin e Shtetit mund të kenë mendime të ndryshme për çështje të caktuara, dhe t’i ndryshojnë ato sipas nevojës.
Gjatë 35 viteve të mia të veprimtarisë lobuese në Washington brenda Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me legjendat kombëtare Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, shpesh jemi ballafaquar me zyrtarë të lartë amerikanë të ndikuar nga Serbia, përfshirë edhe ish-Sekretarin e Shtetit Lawrence Eagleburger.
Disa prej tyre e quanin ish-kongresistin DioGuardi “ngatërrestar”. Të tillët qetësoheshin nga Kongresi Amerikan pas veprimeve të mençura të LQSHA-së dhe presionit nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
Duhet theksuar se ka indikacione serioze se koordinatori i shumë veprimeve kundër Kosovës dhe interesave amerikane në Ballkan—brenda disa qarqeve amerikane dhe brenda opozitës së Kosovës—është ish-ambasadori amerikan Richard Grenell, i ndikuar nga regjimi fashist i Aleksandar Vuçiqit.
Ai është kundërshtar i përbetuar i Kryeministrit Albin Kurti, shkatërrues i hapur i demokracisë së Kosovës në vitin 2020, ndërhyrës i drejtpërdrejtë në zgjedhjet e lira parlamentare të shkurtit 2025, dhe këshilltar i opozitës së Kosovës për mënyrën se si të bllokohen institucionet e Kosovës dhe të krijohet kaos politik, me qëllim të largimit të Kurtit nga politika.
Besohet gjerësisht se ai qëndron edhe pas udhëtimit të shpejtë dhe të habitshëm të Bedri Hamzës në Washington—pa asnjë logjikë apo nevojë— vetëm për të rritur shanset e opozitës dhe për të dobësuar Kurtin para zgjedhjeve. Ky është një veprim antidemokratik me qëllim të ndërhyrjes në zgjedhjet e lira të një shteti për interesa të një shteti tjetër armik.
Meqë deklaratat publike të ish-Ambasadorit Grenell u bënë dukshëm pro-serbe, ai ka filluar të ndryshojë strategjinë e tij, duke i nxitur zyrtarë të tjerë amerikanë të dalin publikisht kundër Kosovës dhe Kryeministrit Kurti, përfshirë Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Ai po përpiqet të fuqizojë organizatën armiqësore “Lista Serbe” dhe të lehtësojë rikthimin e Serbisë në Kosovë, të maskuar me marrëdhënie të supozuara ekonomike.
Kongresisti i njohur republikan Mike Lawler na tha së fundmi, në një takim me komunitetin shqiptaro-amerikan, se Grenell paraqitet si më i rëndësishëm sesa është në të vërtetë brenda Administratës Trump. Për më tepër, duke mbështetur agresionin serb, ai kërkon konflikt në Ballkan, ndërsa Presidenti Trump është kundër konflikteve dhe luftërave. Për këtë arsye koha e Grenellit është në kalim e sipër.
Ish-ambasadori Christopher Hill, i cili është bërë lobist i Serbisë në Washington, po vepron në të njëjtën mënyrë. Ai po kritikon Kosovën dhe Kryeministrin Kurti pa asnjë bazë. Grenell dhe Hill nuk përfaqësojnë politikën zyrtare të SHBA-së—ata përfaqësojnë interesat serbe në Amerikë.
Shpresoj që populli i Kosovës të japë përgjigjen e tij me votë—me shumicë për Kryeministrin Albin Kurti më 28 dhjetor, dhe në kohën e duhur, për Presidenten Osmani. Vetëm populli i Kosovës mund ta shpëtojë Kosovën nga rikthimi i Serbisë, për një të ardhme të sigurt pro-evropiane dhe pro-amerikane.
Mbështetja amerikane nuk do të mungojë. Në fund, Amerika preferon liderë të fortë dhe të pakorruptuar si Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Kosova është me Amerikën dhe Amerika është në Kosovë. Serbia është me Rusinë dhe Rusia është në Serbi. Kjo nuk do të ndryshojë kurrë.
