“Korrupsioni e çoi Kosovën drejt kolapsit” – Aliçkaj vlerëson katër vitet e qeverisjes Kurti – ky sistem mbetet ende i kapur
Gjatë Javës Kundër Korrupsionit, kryeministri në detyrë Albin Kurti rikonfirmoi angazhimin për një shtet të drejtë, transparent dhe llogaridhënës, duke theksuar se ligji duhet të qëndrojë mbi interesat personale.
Ai tha se lufta kundër korrupsionit është detyrë e përditshme dhe u bëri thirrje institucioneve e qytetarëve të vazhdojnë së bashku rrugën e reformave që e bëjnë Kosovën më të drejtë dhe më të besueshme.
Veprimtari Agim Aliçkaj thekson se korrupsioni ka qenë goditja më e rëndë për shtetin e Kosovës pas pavarësisë, duke depërtuar nga zyrtarët më të lartë deri te administrata e ulët dhe duke e çuar vendin drejt kolapsit për shkak të vjedhjes, nënshtrimit ndaj ndërkombëtarëve dhe presionit serb.
Ai thotë se pikërisht për këto arsye qytetarët votuan ndryshimin në vitin 2021 dhe i besuan lidershipit Kurti–Osmani–Konjufca. Sipas Aliçkajt, në këto katër vite janë bërë hapa të mëdhenj në konsolidimin e shtetit, në largimin e ndikimit serb në veri dhe në forcimin e qëndrimit të Kosovës përballë padrejtësive ndërkombëtare.
“Korrupsioni është ndër të këqijat më të mëdha që mund të godasin një shtet demokratik. Zyrtarët e korruptuar nuk mund ta udhëheqin shtetin drejtësisht. Ata nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë përgjithmonë dhe mbeten të cenueshëm ndaj shantazhit deri sa të largohen nga pushteti. Fatkeqësisht, pasojat negative të aferave të tyre korruptive janë të shumta dhe afatgjata.
Pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës u bë një shembull i dhimbshëm i vjedhjes dhe korrupsionit të pakufishëm — nga zyrtarët më të lartë shtetërorë te punonjësit e rangjeve më të ulëta, si dhe në shumë ndërmarrje publike dhe private.
Korrupsioni, i kombinuar me përulje ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe me nënshtrim ndaj kërkesave hegjemoniste serbe, e solli Kosovën buzë kolapsit.
Këto janë dy arsyet kryesore pse populli i lodhur i Kosovës votoi për ndryshim në vitin 2021 dhe i besoi qeverisjen një lidershipi të ri e të aftë si Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca.
Mund të thuhet me siguri të lartë se në këto katër vite ka pasur arritje të jashtëzakonshme në konsolidimin e shtetit dhe në largimin e kontrollit serb nga veriu i Kosovës. Grupet kriminale dhe strukturat paralele u arrestuan ose u dëbuan nga Kosova. Po bëhet rezistencë e fortë dhe parimore ndaj padrejtësive ndërkombëtare të nxitura nga interesa gjeopolitike”, tha ai.
Aliçkaj vlerëson se qeveria Kurti ka parandaluar korrupsionin e madh të së kaluarës, por ende nuk ka arritur ta çkapë sistemin e drejtësisë. Ai përmend strategjitë ligjore, ligjin për Byronë e Konfiskimit dhe angazhimin e Kurtit për transparencë, por thekson se pengesat më të mëdha vijnë nga opozita dhe segmentet e kapura në prokurori e gjykata.
Sipas tij, partitë e vjetra nuk ofrojnë zgjidhje të reja, ndërsa Lista Serbe punon për dobësimin e shtetit. Aliçkaj konkludon se Kurti, koalicioni qeverisës dhe presidentja Osmani mbeten shpresa e vetme për luftë të sinqertë kundër korrupsionit dhe forcim të shtetësisë së Kosovës.
“Sa i përket korrupsionit, arritjet janë më të kufizuara. Suksesi më i rëndësishëm është parandalimi i korrupsionit marramendës, sistematik dhe të organizuar të së kaluarës. Megjithë përpjekjet e shumta, qeveria Kurti ende nuk ka arritur ta “ç-kapë” sistemin prokurorial dhe gjykatat e shumta, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
Kryeministri Kurti ka deklaruar publikisht se lufta kundër korrupsionit “është një detyrë e përditshme, një zotim ndaj shoqërisë dhe brezave të ardhshëm.” Nën udhëheqjen e tij u miratua Strategjia Kombëtare për Sundimin e Ligjit 2021–2026, që synon forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe prokurorisë, përmirësimin e kornizës ligjore dhe ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
U përgatit dhe u miratua një ligj për krijimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme — një mekanizëm i synuar për monitorimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara përmes korrupsionit. Por, edhe pse i miratuar ligjërisht, ende nuk është bërë funksional në praktikë për shkak të ankesave në Gjykatën Kushtetuese dhe mungesës së procedurave konkrete. Pengesat kryesore vijnë nga vetë shkaktarët e korrupsionit — opozita dhe mbështetësit e tyre në prokurori dhe gjykata.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, gjatë Javës Kundër Korrupsionit, rikonfirmoi angazhimin e tij dhe të qeverisë për një shtet të drejtë, transparent dhe përgjegjës, duke theksuar se “ligji duhet të qëndrojë mbi interesat personale dhe e vërteta mbi privilegjet”. Ai e bën të qartë se për të dhe koalicionin qeverisës LVV, Guxo, Alternativa dhe PSHDK, lufta kundër korrupsionit është bërë një prioritet i vërtetë, e jo vetëm një slogan politik.
Ndërkohë, përfaqësuesit e ish-partive opozitare — PDK, LDK, AAK dhe NISMA — nuk kanë ofruar asnjë propozim konkret apo ndonjë shenjë serioze se janë të gatshëm të përballen me gabimet e së kaluarës apo t’i sigurojnë qytetarët e Kosovës se një qeveri e ardhshme nën ta do të sillte ndryshime domethënëse.
Organizata armiqësore “Lista Serbe” ka interes jetik në nxitjen e korrupsionit dhe veprimeve që çojnë në dobësimin e shtetit të Kosovës dhe rikthimin e kontrollit serb.
Kryeministri Kurti me koalicionin, dhe Vjosa Osmani si presidente në mandatin e ardhshëm, janë e vetmja shpresë e vërtetë për një luftë të sinqertë kundër korrupsionit, zhvillimin e demokracisë, forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës” – përfundon ai për “Bota sot”.
