OPINIONTË FUNDIT

“E shohin shtetin bankomat”, opinionisti reagon ‘ashpër’ ndaj Pal Lekajt e Agim Çekut, ka ‘dy fjalë’ edhe për Haradinajn

Opinionisti Lirim Gashi, ka komentuar listat e partive politike.

Përmes një shkrimi në Facebook, Gashi thotë se nëse shikohen Pal Lekaj e Agim Çeku, ata nuk i shërbejnë popullit, por ata e shohin pushtetin si bankomat.

“Pushteti këtu nuk të kërkon moral. Ai t’i jep çelësat e hajnisë dhe dyert hapen vetë, ndërsa turma shikon dhe hesht si varri i heroit të panjohur.

Shiko Pal Lekën dhe Agim Çekun. Ata nuk i shërbejnë popullit.

Ata e shohin pushtetin si bankomat, si mundësi për të vjedhur, për të grumbulluar, për të kënaqur oreksin e pafund të egos së tyre.

Shteti, për ta, është plaçkë; lufta, një justifikim për hajni të pafund.

Mirëpo, Ramushi nuk ka turp t’i fusë në listë, sepse edhe vetë është një ego e deformuar, një maskë e mbushur me ambicie puro materialiste dhe me një injorancë të pafundme politike.

Pse?

Sepse ai ende s’e kupton se sakrifica e tij e pakrahasueshme dhe e pamatshme në luften për liri, sovranitet dhe dinjitet, turpërohet pa masë nga lakmia e tij e pangopur për ta grabitur pronën e popullit dhe për të grumbulluar pasuri materiale dhe monetare për dhjetë breza pasardhësish në kohë paqeje”, shkruan Gashi.

Tutje, ai hedh kritika edhe mbi komentet e Berat Buzhalës, gjersa përmend emrin e Sadri Ramabajës si mendje e ndritur, një shpirt i palëkundur, që kuptimin e vërtetë të fjalës “Vetëvendosje” e mbronte me çdo grimcë të qenies së tij — lihet jashtë listës.

Shkrimi i plotë:

Turma e oreksit të shfrenuar

Ka diçka që ma rëndon shpirtin, diçka që më shtyn të mendoj deri në lodhje, deri në një dhimbje të ngjashme me atë që ndjen një fëmijë kur zbulon padrejtësitë e papërballueshme të botës.

Njerëzit flasin pareshtur me zë të lartë për gjërat që nuk i kuptojnë, dhe pastaj, flenë qetësisht, pa turp, pa ndërgjegje, sikur të ishin foshnja të pafajshme që s’e kanë asnjë përgjegjësi për veprimet e tyre injorante.

E unë, sikur të isha si ata, do të rrija i heshtur në qoshe, në kafenenë time të zakonshme, me birrën në dorë, duke shikuar botën me sytë e një burri të lodhur dhe të turpëruar.

Sepse ndërgjegjja ime e grisur, nuk do të më lejonte të qëndroja indiferent, duke e parë vetën si turist budalla në postin që do ta meritonte një i mençur shumë më i vlefshëm.

Ajo do të vinte natën dhe do të ma shqyente kraharorin, ashtu siç i shqyen treni i aksidentuar shinat e hekurta nga dheu.

Por këtu nuk ka turp. Jo, këtu nuk ka kurrfarë turpi. Këtu çdo idiot është ekspert, dhe më e keqja, të gjithë kanë oreks. Oreks për pushtet, për mikrofon, për para të shpejta, për prona të vjedhura, për diploma të falsifikuara, për tenderë të montuar, për hajni të legalizuar.

Pushteti këtu nuk të kërkon moral. Ai t’i jep çelësat e hajnisë dhe dyert hapen vetë, ndërsa turma shikon dhe hesht si varri i heroit të panjohur.

Shiko Pal Lekën dhe Agim Çekun. Ata nuk i shërbejnë popullit.

Ata e shohin pushtetin si bankomat, si mundësi për të vjedhur, për të grumbulluar, për të kënaqur oreksin e pafund të egos së tyre.

Shteti, për ta, është plaçkë; lufta, një justifikim për hajni të pafund.

Mirëpo, Ramushi nuk ka turp t’i fusë në listë, sepse edhe vetë është një ego e deformuar, një maskë e mbushur me ambicie puro materialiste dhe me një injorancë të pafundme politike.

Pse?

Sepse ai ende s’e kupton se sakrifica e tij e pakrahasueshme dhe e pamatshme në luften për liri, sovranitet dhe dinjitet, turpërohet pa masë nga lakmia e tij e pangopur për ta grabitur pronën e popullit dhe për të grumbulluar pasuri materiale dhe monetare për dhjetë breza pasardhësish në kohë paqeje

Dhe pastaj shfaqet Berat Buzhala, duke folur për Rugovën, për moralin politik, për trashëgiminë e kombit. Por mendja ime, e lodhur dhe e hidhëruar, kupton menjëherë se ky njeri nuk ka pasur kurrë ndërgjegje. Ai nuk ligjëron; ai shitet. Ai e quan prostitucionin moral “analizë”. Dhe ndërsa ai qesh me ironinë e tij të ftohtë, unë ndjej një urrejtje të madhe për botën që e toleron këtë tradhti, këtë mashtrim të trashë, por të vrullshëm.

Ndërkohë, si një cikël i tmerrshëm i natyrës së keqe, shfaqen riciklimet groteske të kufomave politike: të njëjtat fytyra, të njëjtat duar, të njëjtat gënjeshtra. Vetëm kravatat ndryshojnë.

Në këtë skenë groteske, banda PDK, LDK, AAK — duket si një varrezë politike e të gjitha vlerave njerëzore, kombëtare dhe universale që hapet çdo katër vjet për t’u rikthyer në pushtet, duke i lyer kufomat e saj politike me krem, duke i dezinfektuar me parfum dhe duke u munduar t’i shesë si vlera me përvojë.

Por përvoja e tyre e vetme është ta shkatërrojnë shtetin, pa asnjë sens për përgjegjësi dhe turp.

Dhe pastaj, papritmas, në këtë kaos irritues ndodh një dukuri tejet budallaqe :

Dr. Sadri Ramabaja — një mendje e ndritur, një shpirt i palëkundur, që kuptimin e vërtetë të fjalës “Vetëvendosje” e mbronte me çdo grimcë të qenies së tij — lihet jashtë listës nga disa njerëz të verbër, të kompleksuar dhe injorantë, të cilët nuk dinë se si ta përballojnë dritën e tij.

Ai, i burgosur nga strukturat kriminale të PDK-së vetëm pse i mbrojti idealet më të pastërta të Lëvizjes, tani shihet si i tepërt nga ata që tremben nga ndriçimi i mendjes së tij.

Por Sadriu qëndron mbi çdo oreks, mbi çdo mashtrim, mbi çdo oportunizëm.

Ai qëndron si një dritë e pastër në një botë të mbushur me hije hijenash.

Dhe ndërsa ai qëndron i qetë dhe i ndritshëm, turma e dehur nga oreksi i shfrenuar ngrihet mbi pushtet, mikrofon, tenderë, para të shpejta.

Sepse mendjet e vogla me aspirata të mëdha vetëm një talent e kanë ;

Të hanë, të pinë, të shtrihen në shtratin e mediokritetit dhe t’i përbuzin mendjendriturit si Sadriu, pa e kuptuar se po bëhen pjesë e një komedie të errët, të shkruar nga armiku i brendshëm dhe i jashtëm.

Një burrë që e mbron me dritën e mendjes idealin e një shteti modern dhe sovran lihet jashtë, ndërsa idiotët që nuk posedojnë asgjë tjetër përveç oreksit për famë, pushtet dhe para, ngjiten mbi kulmin e pushtetit me ndihmën e trampolinës së servilizmit dhe mediokritetit.

Kjo është turma e Oreksit të Shfrenuar.

Gjithmonë duke ngrënë, duke pirë dhe duke e vjedhur dritën e atyre që guxojnë të qëndrojnë tē palëkundur përballë stuhive të budallallëkut.

Dhe megjithatë, mes këtij kaosi, drita e një njeriu si Sadriu shkëlqen mbi horizont si drita e një ylli të paarritshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *